Presidenti Nishani e mbajti konfidencial komunikimin me Kuvendin, për zgjidhjen e ngërçit të krijuar pas mungesës së ligjit për ngritjen e Këshillit të Emërimeve në Drejtësi.
“Përderisa ky komunikim është në vijimësi e sipër dhe unë kam ftuar për një takim konsultativ më të drejtpërdrejtë përfaqësuesit e grupeve parlamentare, do të preferoja që ne të mos e bënim publike çfarë kemi deri tani në këtë proces. Ka një komunikim me mendime konkrete”, deklaroi Nishani.
Por Top Channel mësoi përgjigjen e Kuvendit, i cili i sugjeron Presidentit të mos e ushtrojë formalisht kompetencën e tij vetëm sa për të respektuar një afat kushtetues.
Kuvendi thotë se zgjidhja më e drejtë do të ishte që Presidenti ta ushtrojë kompetencën e tij në mënyrë substanciale, që do të thotë se ai duhet të presë miratimin e ligjit përkatës, ku detajohen kriteret për të cilat flet Kushtetuta.
Me ndryshimet që pësoi reforma kushtetuese, ngritja e Këshillit të Emërimeve në Drejtësi nuk është një çështje urgjente, sepse ky organ do të duhet të veprojë pas procesit të “vetting”-ut për anëtarët e Gjykatës Kushtetuese dhe inspektorit të ri të drejtësisë.
Burime zyrtare konfirmuan se projektligji do të jetë gati për t’iu shpërndarë anëtarëve të komisionit ditën e hënë. Dhe po atëherë pritet të mësohet se cili do të jetë qëndrimi i partive kryesore politike për takimin e thirrur nga Presidenti të martën./tch