Home KRYESORE Ortek largimesh. Pas Rashicës dhe Meha e Shala braktisin De Biasin!

Ortek largimesh. Pas Rashicës dhe Meha e Shala braktisin De Biasin!

Nuk ndalon hemoragjia e kombëtares shqiptare pas futjes së Kosovës si anëtare në FIFA dhe në EUFA. Edhe dy lojtarë të kombëtares shqiptare i thotë “po” Kosovës. Alban Meha, mesfushori nga Mitrovica e ka bërë të ditur vendimin e tij përmes një postimi në Facebook. Ai ka shkruar “Kosova A.M.17”, dhe ka postuar një foto të ilustruar me nje fanellë të Kosovës.

Meha ishte pjesë e Kombëtares shqiptare, por që në muajt e fundit u injorua nga De Biasi. Ai këtë verë u transferua nga Konyaspori turk për në Al Nassr të Emirateve të Bashkuara Arabe. Para tij, Milot Rashica bëri të ditur vendimin për të zgjedhur Kosovën.

Po ashtu Gianni de Biasi ka thënë se nga Shqipëria do të largohet edhe Herolind Shala. Ai për Supersport ka thënë se, Shala në të ardhmen do të luaj për Kombëtaren e Kosovës. Kujtojmë se Shala ashtu sikurse edhe Rashica nuk ishte pjesë e Shqipërisë në Kampionatin Evropian që u mbajt në Francë.

Ikja e dobëson ekipin e Shqipërisë, i cili kishte si formacion bazë lojtarë nga Kosova. Nuk dihet nëse kombëtarja e Kosovës apo e Shqipërisë janë më të forta, por gjasat shkojnë kah Kosova, për momentin.

Shqipëria duket se do ta vuajë shumë në të ardhmen mungesën e lojtarëve kosovarë të cilët deri më sot mbajtën veshur fanellat kuq e zi.

Mesa duket pas Shalës, Rashicës dhe Alban Mehës do të jetë të tjerë futbollistë kosovarë që do të braktisin kampin kuq e zi.

Por a e keni menduar ndonjëherë se si do të dukej formacioni i Kombëtares Shqiptare pas largimit të kosovarë, sigurisht që do të jetë shumë më i dobët se është aktualisht.

Taulant Xhaka: Do rri me Shqipërinë

Largimi i tre lojëtarëve të kombëtares shqiptare tek kombëtarja e Kosovës ka ngjallur shqetësim se edhe lojëtarë të tjerë nga Kosova mund të ndjekin këtë rrugë. Panorama Sport ka pyetur Taulant Xhakën, por pyetja nuk i ka pëlqyer aspak mesfushorit.

Gazetari: Taulant, a do të jesh pjesë e Shqipërisë në eliminatoret e ardhshme të botërorit?

Xhaka: Sigurisht që do të jem. Pse ma beni shpeshherë këtë pyetje?

Gazetari: Sepse orët e fundit, pas largimit të Rashicës e Shalës janë përhapur lajme se ju do të largoheni nga përfaqësuesja e Shqipërisë për Kosovën.

Xhaka: Dakord, por unë nuk jam i detyruar të përgjigjem sa herë ndonjë portal apo ndonjë gazetar i papërgjegjshëm vendos të shkruajë sipas dëshirës. Më vjen keq që është përhapur ky lajm, por unë nuk kam marrë asnjë vendim së fundi. Qëndrimi im është ai që kam pasur përherë./Koha Jone

Share: