Pas miratimit me konsensus të plotë të reformës në drejtësi, reforma zgjedhore pritet të jetë sfida e sesionit të ri të Kuvendit.
Komisioni i posaçëm i ngritur për këtë qëllim dhjetorin e kaluar do t’i duhet gjatë muajve në vazhdim që të punojë për jetësimin në kodin elektoral të rekomandimeve të adresuara nga OSBE/ODIHR-it, pas dy proceseve të fundit zgjedhore në vend.
Komisioni, që funksionon në mënyrë bipartizane, është njohur deri tani me vërejtjet e ndërkombëtarëve, të cilat duhet të zbatohen përmes ndryshimit të neneve përkatëse në ligjin aktual zgjedhor.
Opozita, që e ka konsideruar këtë reformë “betejën e radhës”, ka prezantuar dhe një platformë të sajën, se ku duhen fokusuar ndërhyrjet në kod, ku sfidë kryesore është përdorimi i teknologjisë. PD kërkon shmangien nga kandidimi në zgjedhje të personave me rekorde kriminale dhe votimin elektronik, që eleminon korrupsionin zgjedhor.
Për herë të fundit kodi zgjedhor në Shqipëri është ndryshuar në vitin 2012, ku u ndërhy në çështje që kanë të bëjnë me listat zgjedhore, regjistrimin e subjekteve zgjedhore dhe financimin e zgjedhjeve dhe të fushatës elektorale.
Çfarë rekomandojnë ndërkombëtarët?
Raporti i OSBE/ODIHR për zgjedhjet vendore 2015, por dhe ato parlamentare 2013, propozon një sërë rekomandimesh me synim përmirësimin e mbajtjes së proceseve zgjedhorë në Shqipëri dhe për t’i sjellë ato në përputhje të plotë me standartet demokratike.
Raporti i fundit i ndërkombëtarëve vëren se vëmendje në amendimin e ligjit zgjedhor duhet t’i kushtohet rritjes së pavarësisë, paanësisë dhe kapacitetit profesional të komisioneve zgjedhore. Kështu, ligji mund të ndryshohet për të lejuar caktimin e komisionerëve jopartiakë në të gjitha nivelet, në mënyrë që të depolitizohet administrimi zgjedhor.
OSBE sugjeron gjithashtu rishikimin e kuadrit ligjor për rregullimin dhe zgjidhjen e mosmarrëveshjeve zgjedhore, përfshi këtu dhe subjektet që kanë të drejtë ankimimi, afatet për gjykimin e ankesave dhe juridiksionin mbi listat e zgjedhësve dhe ankesat e lidhura me fushatën.
Një tjetër rekomandim lidhet me përshpejtimin e afateve për dorëzimin e raporteve financiare tek audituesit e KQZ-së dhe publikimin e tyre në kohë, afate që sipas OSBE-së, duhet të përcaktohen ligjërisht.
Rekomandime të tjera të sugjeruara nga vëzhguesit ndërkombëtarë lidhen me kufizimet e përgjithshme të së drejtës për të votuar të personave me aftësi të kufizuar mendore, të cilët duhet të hiqen ose duhet të vendosen rast pas rasti, duke u bazuar në rrethana specifike.
Rregullat për regjistrimin e kandidatëve, duke përfshirë proçedurat për mbledhjen, verifikimin dhe miratimin e nënshkrimeve mbështetëse, duhet të jenë të qarta dhe të rregulluara mjaftueshëm para zgjedhjeve për të siguruar qëndrueshmëri dhe siguri ligjore.
Nisur nga precedentët e krijuar gjatë procesit zgjedhor të 21 qershorit 2015, OSBE rekomandon që Kodi Zgjedhor të përfshijë dispozita në lidhje me kohën dhe kushtet për tërheqjen nga gara të kandidatëve të regjistruar. Gjithashtu, duhet të vendosen masa mbrojtëse për të siguruar, që të mos abuzohet me të drejtën për të tërhequr kandidatët nga gara.
OSBE/ODHIR rekomandon gjithashtu se nevojiten përpjekje shtesë për të trajtuar problemin e vazhdueshëm të blerjes së votës, si nëpërmjet edukimit të zgjedhësve, ashtu edhe përmes ndjekjes penale, me qëllim rikthimin e besimit në proçesin zgjedhor.
Partitë politike mund të bëjnë një angazhim konkret dhe të vërtete për të dënuar praktikat e blerjes së votës, e cila duhet të jetë subjekt i sanksioneve efektive në përpjestim më shkeljen e kryer./360grade.al