Home KRYESORE Rrugët e përgjakura dhe fajtori për të cilin nuk flitet

Rrugët e përgjakura dhe fajtori për të cilin nuk flitet

Nga Alfred Lela

Sa herë mbërrin vera përveç vapës, plazhit, pushimeve-në det apo në mal-, flirteve e dashurive, planeve për dasëm e dasmat vetë, Shqipërinë e mbulon edhe oi-a e stërzgjatur e një kuje. Duket sikur, në atë nxitim të paqortueshëm drejt gëzimeve të jetës, shqiptarët e humbin durimin, që edhe pa verën nuk është se e kanë, dhe takojnë vdekjen. Çdo verë, e sidomos gusht, gazetat e televizionet raportojnë, sikur të ishin duke lexuar fletë nga romani i Remarkut Asgjë e re nga fronit i Perëndimit, për të vrarë e të plagosur nëpër aksidente automobilistike. Numrat, rrëqethës siç dinë të jenë vetëm ata kur kumtojnë vdekje, ngjiten e ulen duke ngushtuar hinkën e errët të jetëve të shuara. Katër në Velipojë. Tre në Gjirokastër. Një në Tiranë. Tre në Dibër.

Një, dy, tre, katër e kështu me radhë deri në vdekjen e herës. Vdekja në gusht, në Shqipëri, nuk pret në radhë, nuk respekton asnjë radhë. Ajo vendos vetë për rendin e gjërave.

Siç është zakoni, sidomos ndër shqiptarët, vdekja, e cila nuk është asnjëherë e vetëmjaftueshme, kërkon edhe fajtorin ose fajtorët. Gishti i akuzës ngrihet mbi policinë dhe ministrin e policisë; rrugët dhe drejtorinë e rrugëve; pushtetin, lokal e qendror; babëzinë, të shtetit e privatit; ndonjëherë edhe drejt Zotit vetë.

Shqiptari, ama, domethënë vetja, nuk gjendet kurrë në gabim.

Së pari le t’i heqim nga qafa e ndërgjegjes duke i ngarkuar me faj gjithë të lartpërmendurit. Nuk ka dyshime se rrugët janë me probleme; se sinjalistika është e mangët; se policia është e pavëmendshme; se institucionet përgjegjëse nuk i kuptojnë dhe as i ushtrojnë kapacitetet e përgjegjësitë e tyre, e me radhë. Në pazotësinë, mefshtësinë, shkujdesjen, padurimin, nuk munden këta njerëz, këto institucione, të kenë dalë prej një brumi, shtrati antropologjik e kulturor të ndryshëm prej atij nga rrjedhim ne. Meqë erdhëm te ne, çfarë bëjmë ne që rrugët e pasigurta dhe pa sinjalistikë të mos i shndërrojmë në rrathë ferri? A jemi të kujdesshëm? A e ruajmë tjetrin dhe veten? A i konsiderojmë kapacitetet e shoferit që është para nesh kur ai është grua e pastërvitur në timon; plak me patentë të marrë vonë; adoleshente e trembur nga rruga; ‘i fortë’ që kërkon të ‘zgjatet’ nëpërmjet shpejtësisë së makinës; një i huaj që nuk e njeh territorin?

Shumë prej jush që i lexoni këto radhë do ta kapni vetën në kundravajtje të kësaj etike. Edhe vetë aty jam; dorë për dorë me pendimin që më kap kur e kap veten në padurim kafshëror. Por, shqiptarët, le të biem dakord, kur kapin timon me duar kujtojnë se kanë shtënë në dorë Njëbrirëshin. Ndjesia e pamundur e shtazës që i mundon nga brenda. Xanxa e pastërvitur me qytetërim. Edhe më shtypëse bëhet ajo kur thepin e vetes e kthen në gisht akuzator. I cili drejtohet sipas rastit te emigrantët, katunarët, të ardhurit, të zbriturit, të hipurit, të lajthiturit, të çmeriturit. Asnjëherë nga vetja.

Po, rrugët nuk janë të përsosura. E drejtë, sinjalistika mungon vende vende. Ndriçimi mungon në thuajse shumicën e segmenteve. Këto janë jashtë teje. Po kujdesin, etikën, durimin, konsideratën për tjetrin, a i ke? Apo të mungojnë edhe ato?

P.S. Ky shënim është rekuiem për të huajt që kanë vdekur gjatë ditëve të fundit në Shqipëri: italianët Giorgio De Serio dhe Giovanni Sanguedolce, dhe rusin Denis Kaiumov. Shqipëria i ka zhgënjyer që me herën e parë (dhe të fundit) duke u dhënë vetëm një rast, vdekjen./Mapo.al

Share: