Home KRYESORE Skandali në Rio/ Olimpistja shqiptare: Si më lanë jashtë parakalimit për një...

Skandali në Rio/ Olimpistja shqiptare: Si më lanë jashtë parakalimit për një kostum

Mbeti jashtë ceremonisë së hapjes së Lojërave Olimpike “Rio 2016”, një ditë më parë jo për faj të saj, absolutisht, por sepse Komiteti Olimpik Kombëtar Shqiptar nuk i siguroi në kohë kostumin zyrtar.

Një ditë më pas, peshëngritësja e Kombëtares shqiptare, Evangjeli Veli, thyen heshtjen pas këtij skandali.

Në një prononcim për gazetën “Panorama Sport”, Veli zbulon se për mungesën e saj në ceremoni e njoftuan vetëm 2 orë përpara. Gjëja e fundit ndoshta që mund të kishte menduar kampionia shqiptare e shtangës në këtë Olimpiadë. Por e detyruar të pranojë pasi nuk kishte zgjidhje tjetër tashmë.

Në rrëfimin e saj, Veli e cilëson mungesën në parakalim së bashku me pesë sportistët e tjerë kuqezi, si Luiza Gega, Nikol Merizaj, Izmir Smajlaj, Sidni Hoxha dhe Briken Calja, si një skandal.

Jo vetëm kaq, por për fatin e saj të keq, do të ballafaqohej me këtë vendim të zyrtarëve të Misionit Olimpik vetëm një ditë përpara premierës olimpike.

“Komiteti Olimpik nuk më lejoi të marr pjesë në parakalim, sepse nuk më siguruan dot kostumin zyrtar. Ky është një skandal i madh. Edhe për moralin tim përpara garës nuk duhej të ndodhte. Për dijeninë tuaj dhe të mbarë opinionit, më kanë njoftuar vetëm dy orë përpara se të niseshim për në ceremoninë e hapjes. Dhe lajmin ma dhanë Gjergj Ruli (shefi i Misionit) dhe Kliton Muça (zyrtar). Më vjen keq për këtë që ndodhi pasi unë kisha tri ditë këtu dhe nuk më thanë gjë, ndërkohë që më njoftojnë në momentin e fundit”, u shpreh fillimisht mes indinjatës shtangistja Veli.

Refuzimi – E si të mos mjaftonte “bomba” që mori nga dy zyrtarët e KOKSH­it, që pakkush mund ta besonte se mund të ndodhte një gjë e tillë, Veli zbuloi më tej se nuk e njoftuan as për foton zyrtare.

“As për foton nuk më thanë. Për më tepër, asnjeri nuk më doli në mbrojtje. Doli i gjithë delegacioni olimpik përveç meje. Pse, do thoni ju? Për shkak se nuk kisha uniformën. Ky është një turp jo për mua, por për idenë që përfaqëson Lojërat Olimpike. Jemi gjashtë sportistë dhe si gjithmonë, kur kemi mundësinë të dukemi si shtet, është dikush nga mbrapa që na pengon.

Në fakt, presidenti i federatës kërkoi zgjidhje, por në momentin e fundit nuk kishte rrugëdalje. Jam shumë e zhgënjyer, por e lumtur që kam familjen pranë në këtë moment. Jam me vëllain dhe me mamanë këtu në Rio”.

E pyetur se ku e ndoqi ceremoninë, me keqardhje Veli u shpreh: “Isha me familjen, e ndoqa nga televizori”. Gara – Sportistja e parë që do të përfaqësojë Shqipërinë në këtë Olimpiadë të 31­-të është pikërisht Veli, e cila garon sot në peshën 53 kg, bateria B.

“Në prag të garës gëzoj një formë shumë të mirë fizike dhe ndihem ‘Ok’. Përfitoj nga rasti të falënderoj nga zemra familjen time dhe trajnerin Oneld Firanaj, pa të cilët nuk do të isha këtu. Shpresoj që gjithçka të shkojë mirë gjatë garës dhe objektivi që i kam vënë vetes në këtë Olimpiadë është vendi i shtatë. Në bateri jemi 13 sportiste”./Opinion.al

Share: