Nga Arbana Xharra
Janë shumë vjet investime, miliona e miliona që depërtuan pa vëmendjen tonë. Të preokupuar me ngjarje ditore, skandale politike… për dikë tjetër po shtrohej terreni i gatshëm.
Agjencia Turke për Bashkëpunim dhe Koordinim (TIKA) e themeluar nga qeveria turke, e cila në Kosovë udhëhiqet nga Ambasada turke, kishte vërshuar në secilën komunë. Oborret e muret e xhamive të periudhës otomane nisën të vulosen me shenjën e organizatës shtetërore turke. Nuk u mjaftua me rindërtimin e dhjetëra xhamive që u kishin rezistuar kohërave e periudhave, më shumë si objekte kulti.
Turqia nisi zbatimin e projektit më të madh, “rikthimi në vilajete”, ndërtimin e shumë xhamive të reja nëpër Kosovë, shoqëruar me aktiviteteve “kulturore” e duke promovuar haptazi agjendë neootomane. Kriza politike në vend, raporte ndërkombëtare që pasqyronin politikanët e Kosovës të përfshirë në krim dhe korrupsion, lanë vetëm një derë hapur, Turqinë.
Ishte Rexhep Taip Erdogan gjithherë i gatshëm të takojë politikanët tanë, derisa Merkel erdhi një herë deri në aeroport. Duke qenë se ryshfeti tradicionalisht njihet të na ketë mbetur qysh nga pushtimi otoman, ishte lehtësuese edhe arritja e marrëveshjeve me kontrata milionëshe me investitorë turq.
Ekonomikisht nuk pati impakt në Kosovë, sepse edhe nuk kishte qenë ky qëllimi, ishin investime të tjera në kuadër të qindra projekteve (donacione) që filluan të japin rezultatet e agjendës që kishte shtrirje më të gjerë.
Me vullnetin e ish-kryeministrit turk, tani presidentit Rexhep Erdogan, Kosova është vërshuar nga investime milionëshe, jo në ekonomi, as në projektet zhvillimore investive, por në ndërtimin e restaurimin e objekteve fetare. Numri i xhamive kaloi 900 në një shtet që nuk numëron as 2 milionë banorë, jo shkolla, as laboratorë, as fabrika për të punësuar ndonjërin nga 30 mijë të rinjtë që çdo vit presin të futen në tregun e punës.
Miliona euro nga Turqia që erdhën në Kosovë në mënyrë jotransparente, pra jo të gjitha paratë kishin kaluar nga sistemi bankar, po rikthenin kultet fetare donatorit kryesor, TIKA.
Në të shumtën e rasteve, TIKA mban fshehtë financat, zyrtarisht nuk ka shifra se sa para investon. Nga lista që “Zëri” pati siguruar vitin a kaluar në Bankën Qendrore të Kosovës (BQK), investime nga TIKA, si donacione, figurojnë më pak se 3 milionë euro, për periudhën prej vitit 2009 deri më 2014. Ndërkaq, vetëm në xhaminë kryesore në Prizren, “Sinan Pasha”, Turqia ka investuar rreth 1.2 milion euro. Nën petkun e ndihmave, TIKA promovon për shumë vjet agjendën e Erdoganit.
Lë gjurmë në secilin investim që bën. Jep duke kërkuar në këmbim rikthim në neootomanizëm. Propaganda turke depërtoi nga zonat rurale, deri në Universitetin e Prishtinës. Profesorë nga departamenti i Sociologjisë, Gazetarisë, Mjekësisë… me nga një govatë mishi që u kishte shtruar në Stamboll autokrati Erdogan, me përkushtim erdhën për të shtrirë ideologjinë erdoganiane.
Të jargavitur nga paratë e TIKA-s, binin në sexhde sa herë u kërkohej nga vëllai i tyre. Turqia është i vetmi shtet i huaj që në Kosovë, pos Ambasadës ka edhe konsullatën. Kështu për më shumë se një dekadë, TIKA u bë si në shtëpinë e saj.
Nisi të shtrijë aktivitetet në rrënjë, aty ku kishin nisur edhe organizatat e Arabisë Saudite menjëherë pas luftës, ndihma për fëmijë. Por këtyre fëmijëve u kërkohet në këmbim besimi në ideologjinë e Erdoganit.
Shkolla fillore “Elena Gjika”, sikurse edhe xhamitë gjithandej, ishte “dekoruar” me vulën e Erdoganit, shenjën e organizatës së tij TIKA. E çuditshme të mos vëreheshin nga mbikëqyrësi i punimeve, orët me flamurin e Turqisë nëpër klasat e rinovuara me paratë e Erdoganit.
Dhe në fund mbështetësit e tij do të thonë: Çka ke kundër Erdoganit, ai po na del në ndihmë?! Këtu fillon e mbaron nënshtrimi. Një shtet i udhëhequr nga matrapazët, populli nga skamja i mpirë! Edhe ne çuditemi pse gjithë kjo dashuri për babën Erdogan. Investimi i Erdoganit ka nisur të kthehet.