Home KRYESORE Tronditet Kosova, publikohen bisedat e drejtuesve të PDK-së

Tronditet Kosova, publikohen bisedat e drejtuesve të PDK-së

Politika kosovare është tronditur nga një skandal përgjimesh me protagonist deputetin e PDK-së Adem Grabovcin, si dhe dhjetëra përfaqësues të tjerë të kësaj force politike përfshirë kryetarin aktual, Kadri Veselin, Presidentin dhe ish-kryetarin, Hashim Thaçi, deputetin Azem Syla, etj.

Në bisedat telefonike të publikuara nga portali insajderi.com, Grabovci bisedon me përfaqësuesit e partisë që bën pjesë në koalicionin qeverisës, për favore të ndryshme, punësime, afera korruptive etj.

Sipas Insajderit, Grabovci ka ndikuar në emërimet e prokurorëve dhe të gjyqtarëve, ku Sali Mekaj është bërë kryetar i gjykatës së Apelit, Sylë Hoxha, kryeprokuror i Prizrenit, etj. Deputetit Grabovci i janë përgjuar mbi një mijë biseda telefonike, të cilat janë publikuar pjesërisht.

Drejtuesit e portalit kanë njoftuar se do t’i lancojë të gjitha materialet shumë shpejt në faqen e tyre në internet. Përgjimet i përkasin periudhës kohore, nëntor-dhjetor të vitit 2011. Kjo ngjarje ka shkaktuar reagimin e mënjëhershëm të partive opozitare të cilat kanë kërkuar hetim të mëtejshëm.

Drejtuesit e portalit insajderi pretendojnë se janë munduar që të kontaktojnë me të gjithë protagonistët e përgjimeve, por sipas tyre, asnjë përfaqësues nuk ka pranuar që të komentojë në lidhje me këtë çështje.

Në përgjimet telefonike, zyrtarët e Partisë Demokratike të Kosovës fyejnë edhe pakicat kombëtare përfshirë serbët, egjiptianët dhe romët.

Share: