Familja Mali shprehet se Spitali Amerikan duhet të japë llogari për vdekjen e Sanije Sulajt. Vajza e viktimës tregon sorollatjen nga mjekët, teksa kërkonte mamanë e saj. Sanija kishte plot 10 vite që trajtohej me dializë
Familjarët e 65-vjeçares Sanije Sulaj që humbi jetën në masakrën e ndodhur në Spitalin Amerikan një javë më parë, hedhin një sërë akuzash ndaj këtij të fundit. Sipas tyre, është spitali ai që i mori jetën familjares së tyre dhe askush tjetër. Të zhytur në trishtim për fatkeqësinë që atyre u ndodhi, ata thonë se tashmë spitali duhet të mbajë përgjegjësi për vdekjen e Sanijes, pasi erdhi si pasojë e tyre. “Është një trishtim kur e mendon se në ç’mënyrë na iku Sanija. Kush mendoni se e ka fajin për këtë? Doni të thoni që e ka fajin Lefteri, ai që spërkati me benzinë. Absolutisht që nuk ka ai faj. Ai bëri një gabim, por gjithë përgjegjësinë për vdekjen e Sanijes tashmë do ta mbajë Spitali Amerikan. Ai spital na e vdiq Sanijen dhe askush tjetër. Ku është siguria në spital, aq më tepër që është privat. Ku ishin pajisjet që shërbejnë për fikjen e flakëve. Infermieri që ndodhej aty pse nuk i ndihmoi që ato të shpëtonin, por iku u largua për të shpëtuar vetëm kokën e tij dhe të tjetrët aty le të digjeshin. Ai spital nuk ka asnjë siguri sikur edhe për një incident të vogël”, janë shprehur me lot në sy familjarët e 65-vjeçares që humbi jetën një javë më parë në Spitalin Amerikan.
Çështja në Gjykatë
Të irrituar, anëtarët e familjes Sulaj shprehen për gazetën “Shekulli”, se e gjithë kjo çështje do të ndiqet hap pas hapi në gjykatë. Sipas tyre, nëse kjo ngjarje që i mori jetën Sanijes nuk gjen zgjidhje në Shqipëri, ata do ta ndjekin atë deri në Gjykatën e Strasburgut. Këtë do ta bëjmë thonë ata, vetëm që Spitali Amerikan të marrë atë që meriton për kushtet skandaloze që ka, si dhe familja e tyre të marrë atë që meriton. “Të mos mendojnë që kjo çështje do të rrijë e heshtur. Ne jemi të vendosur dhe çështjen do ta dërgojmë në Gjykatë. Ditët në vijim do të bëjmë gati padinë ndaj Spitalit Amerikan që i mori jetën Sanijes dhe gjithçka do të ndiqet aty. Nuk falim asgjë. Ata ishin njerëz dhe jo kafshë që i lanë të digjeshin ashtu. Nuk arritëm t’i merrnim dot as trupin, por morëm vetëm hirin e Sanijes. Spitali do të japë llogari për kushtet e sigurisë që ka, madje nëse nuk e gjej këtu atë që ne meritojmë çështja do të shkojë deri në Gjykatën e Strasburgut. Copa do të bëhemi dhe ndaj atij spitali do të marrim atë që meritojmë”, janë shprehur ata më tej.
Vajza e Sanijes
Teksa gjendemi në shtëpinë e të ndjerës Sanije Sulaj në Mamurras, del dhe na përshëndet me lot në sy vajza e saj. Ajo tregon se ka përjetuar çdo moment të masakrës së ndodhur në spital. Ndërsa gjatë bisedës tregon për pakënaqësitë ndaj spitalit dhe si i prisnin ata familjarët e pacientëve teksa pyesnin për ta. Vajza e Sanijes tregoi për “Shekullin” se mjekët e spitalit nuk donin të tregonin për atë çfarë kishte ndodhur, për vdekjen e Sanijes, ndërsa donin të dilnin në media dhe të hiqnin çdo përgjegjësi të tyre. “Unë qëndroj në Tiranë dhe atë ditë kam shkuar shumë shpejt tek spitali ku mami po merrte dializën. Me gjithë frikën që kisha se mos kishte ndonjë gjë e keqe, fillova të pyesja çdo mjek. Po kush të jepte zgjidhje, askush prej tyre. Njëri thoshte se di ku është, tjetri thoshte nuk e kam parë. Në regjistrin e pacientëve që ishin nxjerrë nga dhomat emri i mamit nuk ishte gjëkundi dhe aty fillova të frikësohesha më shumë. Kontrolloja në katin e dytë dhe nuk e gjeja mamin. Duke kërkuar, nëpër korridore takoj një nga doktorët dhe e pyes. Ai më tregon për një grua duke e përshkruar me karakteristikat e mamit tim, e cila ishte larguar. Ik kërkoje, më tha, se iku me këmbët e veta. Vrapova duke kërkuar në çdo lokal që ndodhej në zonën e Laprakë, me idenë mos e gjeja aty. Vajzat e mia shkuan deri tek Dogana dhe nuk e gjetën. U ktheva përsëri tek spitali dhe aty marr vesh se çfarë kishte ndodhur me mamin tim”, ka treguar vajza e Sanije Sulaj.
Fqinjët e Sanijes
Teksa shkojmë për tek shtëpia e Sanije Sulajt në Mamurras, takojnë disa prej fqinjëve të saj. Na dalin para dhe na tregojnë se ku ndodhet shtëpia e 65-vjeçares. Ata tregojnë se Sanije Sulaj ishte një grua e mrekullueshme dhe nuk e meritonte të ikte nga kjo botë në këtë mënyrë. Sipas fqinjëve, 65-vjeçares i është bërë një padrejtësi. dhe sa më shpejt kjo ngjarje të marrë një rrugë të drejtë. Sanije Sulaj , 65 vjeçe, humbi jetën një javë më parë si pasojë e djegies në Spitalin Amerikan. 57-vjeçari Lefter Canaj, me një shishe benzinë i vuri flakën dhomës ku merrej dializa, duke shkaktuar gjithsej katër viktima, përfshirë edhe veten.
Bashkëshorti: E çonim për t’u shëruar, ata na e vdiqën fare
Muharrem Sulaj, bashkëshorti i 65-vjeçares e cila gjeti vdekjen në Spitalin Amerikan, është treguar i ashpër për kushtet në Spitalin Amerikan. Ai thotë se nëse në spital do të kishin funksionuar mjetet për fikjen e zjarrit, gruaja e tij nuk do të kishte vdekur, por do të ishte shëndoshë e mirë. 73-vjeçari shton më tej se Sanija kishte gjithsej dhjetë vite që kurohej me dializë, katër vite tek Spitali “Nënë Tereza” dhe gjashtë vite te Spitali Amerikan. Ky i fundit, thotë i moshuari, duhet të përgjigjet për atë që ndodhi të hënën e kaluar. Ndërkohë që thekson se askush nuk i ka shkuar në shtëpi sikur për të thënë ngushëllime. “Askush nuk është dukur në shtëpinë tonë për ngjarjen. Sikur edhe për ngushëllime të vijnë, as ministri e askush. Vetëm doktoresha ka ardhur këtu, e cila kishte vite që e kuronte Sanijen dhe askush nuk është dukur më pas. Neve na kanë marrë edhe të panjohur në telefon për ngjarjen dhe madje na kanë ofruar edhe mbështetje, por këta tanët këtej nuk duan t’ia dinë fare. U solidarizuan anë e mbanë vendit me ne, nga Amerika, Gjermania, Franca, Italia, ndërsa Ministria e Shëndetësisë apo Spitali Amerikan nuk ka thënë asgjë”, është shprehur 73-vjeçari. Muharrem Sulaj tha për gazetën “Shekulli” se ditën e ngjarjes nuk mundi të shkonte në vendin ku ndodhi ngjarja dhe nuk ka parë asgjë që është transmetuar në media përsa i përket kësaj tragjedie. “Nuk munda të shkoja atë ditë. U morën fëmijët me gjithçka pasi unë nuk isha në gjendje. Po ashtu nuk kam mundur ende të shikoj lajmet që flasin për këtë ngjarje, gjithçka është e tmerrshme”, ka përfunduar ai.
Videoja
Një tjetër fakt që familjen Sulaj e irritonte më së shumti, ishte publikimi i videos ku shfaqen momentet që Lefter Canaj spërkat me benzinë Dashamir Saraçin, duke i vënë më pas flakën. Sipas tyre, ajo video nuk duhet të transmetohet dhe të fshihet, pasi ka përmbajtje tmerruese. Ata thonë se në asnjë moment nuk kanë mundur ta shohin, për shkak se aty ndodhet Sanija dhe nuk mundin të shohin si digjet për gjalli njeriu i tyre. “Është e tmerrshme. Si mund të lejohet publikimi i asaj video, e cila ka pamje që ne familjarët nuk i shohim dot. Deri më tani nuk kemi mundur ta shohim, po ama e kanë parë fëmijët tanë të vegjël. Dhe të mendosh se cili ishte reagimi i tyre. Normalisht janë fëmijë dhe nuk i rezistojnë dot atyre pamjeve. Ato nuk duhen transmetuar, kushdo që i ka nxjerrë ato pamje ka bërë një gabim të madh”, janë shprehur ata. Ndërkohë, shprehen se ende nuk kanë mundur të marrin sendet personale të Sanijes që i kishte me vete momentin e ngjarjes. Madje theksojnë se as Policia dhe as Prokuroria nuk i ka thirrur për ngjarjen dhe as u kanë shkuar në shtëpi, qoftë edhe për ngushëllim. “Këtu nuk funksionon asgjë. Po bëhen disa ditë nga ngjarja dhe as Policia e as Prokuroria nuk e ka marrë mundimin të na thërrasë për sendet personale. Nuk e kuptojmë çfarë bëjnë”, përfundojnë ata./Shekulli.com.al