Home KRYESORE Biri im bëj diçka për shqiptarët e mi!

Biri im bëj diçka për shqiptarët e mi!

Nga Ismail Kadare

…Me Nënë Terezën, ne shqiptarët, duhet të krenohemi , ajo është e të gjithë botës, nënë e gjithë planetit. Çdo njeri i shquar në botë ka dy informacione bazë : E para, ku ka lindur dhe e dyta e ç´populli është. Ky është ligj universal i njerëzimit . Tani të heqim dorë ne nga modestia? E dimë ku ka lindur Nënë Tereza, por atë punën e popullit që i përket nuk e dimë mirë ne! Popullit që i përket nuk e dimë ne? Pse nuk e dime ne që AJO i ka varret e nënës dhe motrave në Tiranë? Pse duhet të tregohemi kaq modest papritur, kur të tjerët s´na kanë lënë gjë pa na thënë? Na kanë bërë egërsira, gangstera, kodoshë, prostituta, e ç´nuk kanë thënë për ne shqiptarët. Por ja që paskemi një figurë, që nuk e paskan të tjerët!

Të ishte e një vendi tjetër s’prishte punë, por ajo s´është e ndonji vendi tjetër, ajo gjakun e ka shqiptar. Shqipëria komuniste nuk e deshi për turp të saj edhe kur Ajo kërkonte hera-herës të vinte në Shqipëri atëherë. Pse të mos mburremi me të? Mburrja me Nënë Terezën tregon një prirje humanizmi që kemi ne si popull kur mburremi me një njeri të kultivuar siç është Nënë Tereza. Rrjedhimisht do të thotë se ky popull e pëlqen këtë cilësi humane. Në një kohë kur popullin tonë e cilësojnë për mëndjemadh, të dhunshëm, karshillëk e dokrra te tjera, papritur, ky popull krijon një model jashtëzakonisht emancipues. Ç´të keqe ka, e zemë se jemi popull tjetër i Europës p.sh, dhe gjykojmë punën e Nënë Terezës. Vjen dikush e thotë-Nënë Teresa është e këtij populli shqiptar. Ne do themi, shumë mirë që ky popull, i cili është akuzuar për të këqija, paska këtë Nënë të tijën.
«Nënë Tereza ka marë në telefon Klintonin dhe i ka thënë : Biri im bëj diçka për shqiptarët e mi! Nuk ishte e lehtë të jepje urdhër që të bombardohej një shtet tjetër.

Ne na duket e lehtë sot se jemi shqiptarë e themi , epo mirë ja bënë Serbisë, punë e madhe!- por nuk ka qenë e lehtë. Edhe dilemat duhet të kenë qenë të mëdha. Mirëpo, duke ja thënë kjo Nënë e Kishës, Klintonit, ai çlirohet nga ç´do skrupull moral, sepse atij po i thotë një njeri i shenjtë. «Ajo theu ligjin e fesë për popullin e saj», theu rregullin e fesë për shqiptarët e saj. Me këtë ajo i ka larë të gjitha. E turpi ynë i përbashkët është për sharjet ndaj Nënë Terezës !- përfundon Ismail Kadare gjykimin e tij për Nënë Terezën.»
Pjesë nga një intervistë e gjatë me I.Kadare, Koeln, 12.12.2010

Pergatiti Altin Kocaqi

Share: