Home KRYESORE Dikur kishim rend, nuk kishim ministri, tani që kemi ministri, nuk kemi...

Dikur kishim rend, nuk kishim ministri, tani që kemi ministri, nuk kemi rend

Nga Astrit Patozi

U bë një kohë e gjatë duke kërkuar të gjej një gjë të mirë, që bën kjo qeveri, për ta thënë me zë të lartë, pa asnjë kompleks, ndonëse nuk është fare ky detyrimi i opozitës. Natyrisht, që nuk më emocionojnë aspak akuzat e kundërshtarëve, se Partia Demokratike vetëm e nxin panoramën e shndritshme të Shqipërisë së “Rilindjes” në këto vite.

Dhe dje m’u duk se e gjeta, teksa pashë ceremoninë pompoze të restaurimit të godinës së Ministrisë së Brendshme. Komplimente, për llacin, tullat, dhe për ngjyrat më shije, që i ndërruan pamjen një institucioni të rëndësishëm në Shqipëri, i cili, para së gjithash, pozicionohet në një pikë strategjike të bulevardit kryesor të vendit. Bënë mirë edhe që rrëmuan në kujtesën historike të qytetit dhe zbuluan ngjyrat e origjinës të projektit Italian të mbretit Zog, ndonëse tanimë do të duhet që të gjitha godinat e tjera të ministrive ngjitur të përshtaten me fasadën e përuruar dje. Dhe kur mendon se është i njëjti “strateg” që I ka ideuar të dyja projektet, nuk kuptohet shumë se përse tani ia gjeti bojërat e origjinës për Ministrinë e Brendshme, ndërsa para disa vitesh, kur vizatoi fasadat e tjera, i ra për shkurt.

Por ky gjithsesi, mund të jetë detaj jo shumë i rëndësishëm. Sepse nuk kishte ndonjë arsye të fortë që nga ansambli i institucioneve shtetërore, që popullojnë bulevardin “Dëshmorët e Kombit”, në përgjithësi të kuruara në këto vite, të bënte përjashtim vetëm dikasteri, që drejton prej 3 vjetësh Saimir Tahiri. Dukej si një lloj asketizmi tërësisht i panevojshëm dhe pa asnjë sens.

Ndaj edhe ta gëzojnë godinën e re, jo vetëm ata që punojnë atje, por edhe shqiptarët, që i kalojnë përbri apo e shohin nga ekranet Ministrinë e Brendshme (më parë quhej e Rendit). Por problemi qëndron se ndërsa dikur kishim rend dhe nuk kishim ministri, tani kemi minisri dhe nuk kemi rend.

Sepse me gjithë problemet dhe zigzaget e forta të luftës ndaj krimit, shteti dhe policia në përgjithësi i kanë dominuar bandat në këto 25 vjet. Sot krimi i vë në rresht policinë, dhe jo për shkak të kësaj të fundit, por sepse ai ka mbërritur me vendim politik në parlament dhe në të gjitha nivelet e qeverisjes. Se Shqipëria është shndërruar me shpejtësi marramendëse në një plantacion gjigant droge, ku kanabisi mbillet dhe korret me licencë të pashkruar, që del pikërisht nga godina e promovuar dje.

Dhe duke shprehur edhe një herë konsideratën për restaurimin me shije të ministrisë së Brendshme, nuk mund të mos bëj analogji edhe me disa vepra të tjera të ngjashme të kësaj qeverie në këto vite. Jam shprehur dikur se projektin e Edi Ramës për “rilindjen e qendrave të qyteteve shqiptare” e konsideroj si normal, pavarësisht devijimeve, që mund t’i bëhen rrugës për shkak të tenderëve korruptivë dhe përfshirjes në to të vetë “kryearkitektit” delirant. Sepse i qëndroj konceptit se investimi ka më shumë vlerë aty ku prek dhe e prekin më shumë njerëz.

Por pyetja është, edhe në rast se ato do të ishin të gjitha kryevepra estetike, a do të ishte ky shpëtim apo një rreze drite për qytetet tona? Kurrsesi, mendoj unë. Për sa kohë që ato po shpopullohen me ritme të frikshme, ku më fatlumët gjejnë një shteg dhe ikin fare nga Shqipëri, kur ata më me pak fat, vijnë e dynden në Tiranë apo Durrës, çfarë vlere kanë qendra e “rilindura”? Dhe njerëzit po kërkojnë të ikin, mundësisht jashtë vendit, për shkak të kësaj qeverie, megjithëse Edi Rama thotë se po bën mrekulli për vitrinën e vendbanimeve të tyre. Dhe gjithësa po ndodh do të thotë se nëse dikur kishim qytete, por nuk kishim qendra, tani kemi vetëm qendra, por nuk kemi më qytete. Ky është bilanci i “Rilindjes”.

Kaq për sot. Natyrisht, do të flas prapë, nëse kjo qeveri më frymëzon, me vepra të mira, ndonëse jam kundërshtar politik i saj.

Share: