(Po botojmë pjesë nga artikulli i shkruar për “Corriere della Sera” nga Tiziano Terzani më 1996, mbasi kishin kaluar dy javë në Kalkutë me Nënë Terezën, duke e ndjekur në zhvendosjet e saj ndërmjet të varfërve.)
Nga Tiziano Terzani
Kalkutë. Sapo kisha fikur regjistruesin e po e falënderoja për kohën që më kishte kushtuar, kur ajo, duke më parë ngultas me sytë e saj të kaltër, të skuqur nga mosha, më pyeti : “Po pse gjithë këto pyetje ?”. “Sepse dua të shkruaj për ju, Nënë”. “Mos shkruaj për mua. Shkruaj për Atë…..”, tha duke ngritur sytë drejt qiellit. Pastaj u ndalua, mori duart e mia në mes duarve të saj të mëdha, topolake e pak shëmtake e, sikur të donte të më besonte një të fshehtë të madhe, vazhdoi : “….. madje pusho së shkruari dhe shko e puno në qendrat tona…. shko e puno pak në shtëpinë e atyre që po vdesin”. Nënë Tereza ishte e gjitha aty.
(….) Desha të krijoja një ide timen për veprën e saj dhe, duke ditur se për të kuptuar Nënë Terezën, duhej kuptuar Kaligath-i, fillova që aty për të ribërë në etapa të mëdha rrugën e saj të jashtëzakonshme. Që në hyrje njeriu mund të bllokohet i pështirosur. “Shtëpi për të braktisurit në fill të jetës” thotë një tabelë e çngjyrosur përmbi derë. (….) Kaligath-i është në rrethinën e jugut të Kalkutës, është një qytet, në vetvete dëshpërues e tragjik, sa që duket herë-herë i vënë nga Zoti mbi faqen e Tokës, për të vërtetuar se Ai nuk ekziston (….) Këtu më 1952, Nënë Tereza, mbasi kishte lënë urdhrin e Loretos, me të cilin kishte arritur në Hindi që më 1928, filloi të kujdeset për ata fatkeqë të cilët, të braktisur liheshin të vdisnin nëpër rrugë. (…..)
“Një herë më rastisi të merrja një burrë të mbuluar nga krimbat – më tregonte – M’u deshën orë të tëra për ta larë e për t’i hequr krimbat një nga një prej mishit. Së fundi tha: “Kam jetuar si një shtazë rrugëve, por tani vdes si një engjëll” e, duke vdekur më dha një buzëqeshje shumë të bukur. Kjo është puna jonë: dashuri në veprim. Thjesht.”
(….) Dhe a nuk është një mrekulli që kjo grua, e cila filloi misionin e saj me pesë rupie në xhep, të ketë ngritur në këmbë një perandori me afër 600 shtëpi në 122 Vende të botës? A nuk është një mrekulli që ajo të ketë mobilizuar një ushtri prej më shumë se 4.000 murgeshash e murgjish e që e mbarështon këtë “shumëkombëshe” pa kompjuter nga një zyrëz në katin e parë të Shtëpisë Nënë ku, sipas rregullit të varfërisë të kongregacionit, nuk ka një radio, një televizor, një aparat freskues ajri, as dhe një ventilator, por vetëm dy makina të vjetra shkrimi?
“Një bejleg botës bashkëkohore, Nënë? Si zgjedhja për t’i dhënë më shumë rëndësi dashurisë se barnave? Lutjeve më shumë se ilaçeve kundër dhimbjes?”, e pyeta.
“Po, nuk jemi infermiere, nuk jemi ndihmëse shoqërore, jemi murgesha. Qendrat tona nuk janë spitale ku gjindja kurohet, janë shtëpi ku njerëzit që askush nuk i don gjejnë dashuri”.
“Një herë ju, Nënë, keni thënë se nëse do të kishte ende zgjedhje mes Kishës e Galileut, Ju do t’ishit përsëri në anën e Kishës. Por a nuk është ky një mospranim i shkencës që është sot feja e madhe e Perëndimit?” e pyeta.
“Atëherë përse Perëndimi i le të vdesin njerëzit rrugëve? Përse? Përse na takon neve në Washington, në New York, në të gjitha këto qytete të mëdha, të hapim vende për t’iu dhënë për të ngrënë të varfërve. U japim ushqim, veshje, strehim, por mbi të gjitha u japim dashuri, sepse të ndihesh i refuzuar nga të gjithë, i padashur është më keq se të kesh uri e të ftohtë. Kjo është sot sëmundja e madhe e botës, edhe e asaj perëndimore”.
Flasim për dështimin e për faktin që Nënë Tereza e ka përcaktuar si “kërcënimin më të madh të paqes në botën e sotme”. “…. është e keqja, e keqja. Dështimi është e keqja”, më ndërpret. “Nëse një grua ësht’e aftë të vrasë birin e saj, çfarë na pengon ne të theremi me njëri-tjetrin? Asgjë!”.
“Po a nuk ju duket se në një Vend si India problemi i shtimit të popullsisë është një nga shkaqet e varfërisë e të vuajtjes që ju kërkoni të lehtësoni? ngul këmbë. Nënë Tereza nuk dëgjon “arsye”. Thotë që jeta është e shenjtë, që nuk na takon neve të vendosim e që një çift i martuar, nëse nuk do fëmijë, mund të zbatojë metodat “natyrore” të planifikimit familjar.
Sa i përket varfërisë, shpjegimi i saj në këtë çast më duket më bindës se ai i shumë ekonomistëve dhe ekspertëve të zhvillimit: “ Zoti na ka krijuar ne dhe ne kemi krijuar varfërinë. Problemi do të zgjidhet kur ne të heqim dorë nga makutëria jonë”.
Më sjell ndër mënd Gandhin. (….) A thua edhe mesazhi i Nënë Terezës do të mbarojë si ai i Gandhit, i harruar mbas ikjes së saj?
“E ardhmja nuk është çështje e imja”, m’u përgjigj.
“As edhe ajo e Urdhrit tuaj ?”
“Jo. Ai do të marrë masa. Ai më zgjodhi mua e në të njëjtën mënyrë do të zgjedhë dikë që të vazhdojë punën “.
I kujtoj një ëndërr që ajo vetë e ka treguar. Nënë Tereza i paraqitet Shën Pjetrit dhe ai, i ndalur te dera, i thotë : “Ik, ik. Ky nuk është një vend për ty. Në Parajsë nuk ka të shkretë e të strehuar në baraka”. “Atëherë po e mbush këtë vend me atë gjinde, kështu do të kem edhe un të drejtë të vij”, iu përgjigj Nënë Tereza.
“Tani besoni se keni çuar mjaft prej tyre, për të fituar atë të drejtë, Nënë ? A ndiheni pranë?”, e pyeta.
“Pres të më thërresë”.
“A nuk keni frikë nga vdekja?”
“Jo, përse duhet të kem frikë? Kam parë shumë njerëz të vdesin dhe askush për rreth meje ka vdekur keq”.
Ishte bërë vonë dhe kambana kishte rënë dy herë për të thirrur në faltoren e katit të parë murgeshat dhe vullnetarët që mblidheshin për të thënë lutjen e mbrëmjes dhe Ajo donte të zinte vendin e saj, në gjunjë mbi një copë thesi. Duke e parë atë herë të fundit, ndërmjet gjindes së saj, më dukej se shqetësimet e shumë “arsyetuesve” që kanë për “Misionaret e Mëshirës” ishin të kota. Nëse puna që ajo dhe murgeshat bëjnë nuk është “e tyre”, por e “Atij”, ajo punë nuk mund veçse të vazhdojë. Të besuarit është ai që vlen.
E përktheu: Eugjen Merlika