Nga Ivana Dervishi/BIRN
Dy maturantë nga gjimnazi Sami Frashëri, pjesë të një projekti gjerman dygjuhësh shkollimi, ishin pjesë e një grupi prej disa qindra nxënësish, të cilët u mblodhën të mërkurën për të protestuar përpara ndërtesës së qeverisë në Tiranë, pasi ishin lënë jashtë listës paraprake të fituesve në universitetet publike shqiptare.
Pas një vendimi të marrë nga ministra e Arsimit gjatë muajve të verës, mesatarja e notave e të dy 18 vjeçarëve u rivlerësua nga 9.8 dhe 10.15 në 9.2 dhe 9.44. Për çudinë e tyre, edhe pse nuk janë përzgjedhur në listën paraprake të fituesve në universitetet publike shqiptare, atë kanë fituar të drejtën e studimi për mjekësi dhe arkitekturë në Gjermani.
“Do të kishim dashur që mbi ne të aplikohej sistemi për të cilin ramë dakord kur filluam shkollën. Sistemi i ri është ndërtuar që të gjitha kuotat t’i jepen nxënësve me mesatare 9.8-10, por kriteret dolën pasi ne e mbaruam maturën,” shpjeguan ata për BIRN.
Dy maturantët, të cilët refuzuan të identifikoheshin me emër duke pasur frikë se mund të kenë pasoja nga autoritetet, ishin pesimistë që publikimi i raundit të dytë të listave të fituesve do ta zgjidhte problemin e tyre, duke nënvizuar që përsëri do t’i jepej mundësi zgjedhjeje një numri te vogël fituesish.
Publikimi i listave jopërfundimtare të fituesve në universitetet shqiptare në fillim të kësaj jave, u shoqërua nga paniku i mijëra maturantëve që nuk rezultuan fitues të asnjë dege, pavarësisht mesatares së lartë dhe notave të mira të tre viteve.
Ministrja e Arsimit, Lindita Nikolla reagoi të martën në mbrëmje duke deklaruar se listat nuk janë përfundimtare dhe se 24 mijë maturantë nga 27 mijë aplikantë do të mund të zënë një degë në universitetet shtetërore.
“Sistemi i ri është transparent, sjell më shumë meritë. Ajo që shihni sot nuk është lista përfundimtare e fituesve,” shtoi Nikolla në një takim me nxënës të hënën.
Sistemi i ri
Ndryshimet e këtij viti në sistemin e përzgjedhjes së fituesve në universitete i japin përparësi nxënësve të ekselencës, të cilët shpallen fitues në disa degë njëkohësisht dhe i zënë këto vende derisa të zgjedhin një prej tyre- duke nxjerrë jashtë listave të para kandidatët e tjerë.
Një tjetër arsye përse mijëra maturantë janë gjendur në mënyrë të beftë jashtë çdo fakulteti, janë ndryshimet e minutës së fundit nga ministria e arsimit për llogaritjen e pikëve të secilit maturant në varësi të lëndës dhe peshës që ajo zë në fakultetin që nxënësi po konkurron.
Skema aktuale e ndan peshën e pikëve në 50 për qind, në mesataren e tre viteve të shkollës dhe atë të provimeve të maturës dhe 50 për qind në mesataren e gruplëndëve të avancuara.
Nxënësit thonë se heqja e mesatares së ponderuar, që u kthye në mesatare aritmetike ka ulur në mënyrë drastike pikët e tyre dhe ndryshimet e vlerësimit të lëndëve të avancuara kanë barazuar peshën e lëndëve të vështira me atë të lëndëve më të thjeshta.
Të mërkurën qindra nxënës u mblodhën përpara kryeministrisë për të denoncuar sistemin e ri të maturës, që i jep të drejtë përzgjedhjeje në fazën e parë vetëm një grupi të vogël aplikantësh . Ata shprehën revoltën e tyre për mungesën e transparencës së procesit të përzgjedhjes së fituesve dhe denoncuan mospërputhjen e notave të tyre me fitimin e një vendi në fakultet.
Protestuesit bënë thirrje si “Turp” dhe “Duam të arsimohemi” ndërsa i kërkuan ministrisë së arsimit dhe kryeministrit që të ndërhyjnë për të rregulluar sistemin e përzgjedhjes së fituesve, në mënyrë që të gjithë aplikantët me nota të larta të ndjekin arsimin e lartë sipas degëve të përzgjedhura.
Maturantët morën me radhë megafonin për të rrëfyer eksperiencën e tyre personale të mospërfshirjes në asnjë nga listat paraprake të fituesve dhe duke akuzuar ministrinë se nuk e ka menaxhuar me transparencë procesin dhe kërkuan dorëheqjen e ministres së arsimit.
“Jemi të shokuar. Nuk arrijmë të kuptojmë se çfarë ka ndodhur realisht apo si është e mundur që me një mesatare mbi 9 të mos fitoj asnjë degë në asnjë fakultet,” tha për BIRN një maturante nga gjimnazi “Petro Nini” në Tiranë.
“Dymbëdhjetë vite shkollë më janë vlerësuar me zero. Sistemi aktual është aq i padrejtë, saqë pavarësisht një mesatarje të lartë, renditja shkon mijëra vende poshtë vijës së pranimit. Edhe në fazat e tjera të kualifikimit kur të lirohen kuotat e zëna nuk kam shanse t’i afrohem degës që dua dhe që me sistemin e vjetër mund ta fitoja,” shtoi ajo.
Prindërit të shqetësuar
Protestës së maturantëve iu bashkuan edhe prindërit e tyre. Duke folur për BIRN, nëna e një nxënëseje të gjimnazit “Ismail Qemali” u shpreh shumë e shqetësuar për dëmin psikologjik të dështimit të sistemit mbi vajzën e saj.
“Që prej daljes së listave, vajza ime është trishtuar aq shumë saqë nuk i pushojnë lotët. Disa nga shoqet e saj madje kanë filluar të përdorin ilaçe antidepresioni,” tha prindi i maturantes.
“Një vit më parë, vajza më e madhe fitoi pa asnjë problem degën që dëshironte, falë sistemit meritë-preferencë. Vajza e dytë sot, një nxënëse e shkëlqyer lihet jashtë çdo fakulteti,” shtoi ajo.
“Jam shumë e zhgënjyer nga arsimi në Shqipëri dhe i kërkoj institucioneve të ndërhyjnë për të mos lejuar shkatërrimin e ëndrrave të këtyre nxënësve që kanë mësuar për 12 vite në mënyrë të vazhdueshme” përfundoi ajo.
Të tjerë prindër i thanë BIRN se skema aktuale i detyron familjet shqiptare të shtrëngojnë rripin dhe t’i çojnë fëmijët drejt universiteteve private për të mos i privuar ata nga dega e tyre e ëndrrës, të cilën shteti nuk ia ofron.
“Fëmijët tanë i janë përkushtuar mësimeve për vite me radhë sepse e dinin se merita do t’i jepte të ardhmen që ëndërronin, pasi gjendja jonë financiare nuk e përballon dot arsimin e tyre në privat,” tha për BIRN prindi i një maturanti.
“Tashmë duket se i gjithë ky dështim ka synim të vetëm drejtimin e nxënësve nga universitetet private,” shtoi ai.
Të tjerë, si dy studentët e programit dygjuhësh në shkollën e mesme Sami Frashëri, zgjidhjen e shikojnë vetëm duke u larguar jashtë vendit për të studiuar.
“Do të përpiqemi ta ndërtojmë jetën tonë jashtë Shqipërisë sepse nuk shohim asnjë stimul për rininë këtu,” i thanë ata BIRN.