Pa dhënë asnjë sqarim se çfarë po ndodh në të vërtetë me rafinerinë e vetme të përpunimit të naftës në Shqipëri, qeveria shqiptare prezantoi investitorët e saj të rinj në një terr të plotë informativ.
Nuk u shpjegua se çfarë ka ndodhur në të vërtetë me pronësinë e saj, si do të shlyhen detyrimet e kompanisë dhe çfarë zgjidhjeje do t’u jepet borxheve tatimore.
‘Monitor’ ka mësuar se nuk ka ndodhur asnjë ndryshim në marrjen e aseteve nga përdoruesit e saj, ata vetëm po shfrytëzojnë këtë pasuri pa pasur asnjë kontratë të nënshkruar mbi vlerën e investimit dhe dhënien e borxheve, por vetëm premtime mediatike. Harry Seargent, i cili u prezantua si përfaqësues i grupit investitor, rezulton sipas referencave në shtypin amerikan një person i cili ka mashtruar në marrëveshje tregtare në çështjet e naftës vetë ushtrinë amerikane… Në çdo artikull, në krah të tij del si bashkëpunëtor i afërt Mustafa Abu Nabaá, i cili është kreu i Këshillit Drejtues të kompanisë që po shfrytëzon ARMO-n
Askush nuk e njoftoi pronësinë e re të së vetmes kompani që përpunon naftën në Shqipëri. Një ndërmarrje e cila la pa punë 1200 njerëz, rifilloi veprimtarinë e saj, por këtë e zbuloi një njoftim i kompanisë Bankers Petroleum. Ionian Refining and Trading CO është konsorciumi që ka marrë në dorë ARMO-n, por askush nuk e di origjinën e pronarëve të saj. Qeveria nuk vonoi të tregonte menaxhimin e ri prej një firme amerikane, por dokumentet e kompanisë rezultojnë se ajo është themeluar në ishujt Virgin…
Kush e mori ARMO?!
Në datën 8 qershor, regjistrohet në Qendrën Kombëtare të Biznesit kompania Ionian Refining and Trading CO. Disa ditë më pas, dy degë të kësaj kompanie, me të njëjtin emër, hapin dy NIPT-e të tjerë për të bërë aktive kompaninë dhe në fusha të tjera. Fusha e zgjerimit të saj është shitblerja e pasurive të patundshme, përpunimi i lëndëve hidrokarbure dhe gazit dhe tregtimi i karburanteve.
Askush në këtë muaj nuk mendoi se kjo ishte një zgjidhje për disa qindra protestues në kryeqytet që vinin për t’u bërë thirrje qeverisë të rivinte në punë rafinerinë ARMO dhe për të marrë pagat e prapambetura…
Lajmin për ndryshimin e pronësisë së ndërmarrjes së vetme të përpunimit të naftës e dha përmes një njoftimi për shtyp kompania koncesionare e prodhimit të naftës në Patoz-Marinëz, Bankers Petrolium.
Në mënyrë të tërthortë, Bankers njoftonte një marrëveshje të nënshkruar me firmën IRTC sh.a., ku do t’i jepte një pjesë të prodhimit për rafinimin e naftës dhe nënprodukteve të saj në uzinën e Fierit dhe Ballshit, rrjedhimisht ARMO-s. “Bankers Petroleum Ltd ka kënaqësinë të deklarojë nënshkrimin e një marrëveshjeje të kushtëzuar në tregun vendas me Ionian Refining dhe Trading Co. – IRTC SH.A (IRTC).
Marrëveshja do të bëhet efektive pasi Bankers të marrë miratimin nga qeveria shqiptare për programin e propozuar të shpimit të kompanisë për tremujorin e katërt 2016 dhe pas respektimit të amendamenteve për procedurat ndërmjet kompanisë dhe Albpetrol për tërheqjen e pjesës së prodhimit të naftës së prodhuar në Patos-Marinzës që i përket Albpetrol”, thuhej në njoftimin e kanadezëve.
Të frikësuar nga detyrimet që kjo kompani mund të krijonte karshi saj, Bankers u kujdes që të marrë garanci për lëndën që do t’u shesë menaxherëve të rinj të ARMO-s, e cila nuk është pak, por 65% e prodhimit të saj. “Sapo të bëhet efektive, Bankers do të shesë deri në 65% të prodhimit të naftës bruto në bazë të kësaj marrëveshjeje. Kompania do të marrë garanci pagese në avancë për ngarkesat e naftës bruto. Në përputhje me marrëveshjen, ngarkesat e naftës do të shiten gjatë periudhës 1 tetor 2016 – 31 dhjetor 2017”, njofton ajo.
Burime për “Monitor” thonë se ka qenë një këmbëngulje e qeverisë për të mundësuar këtë marrëveshje, në mënyrë që të vijonin punën punëtorët dhe rafineria të mos amortizohej tërësisht. Kanadezët nuk do t’ia shesin më shtrenjtë naftën konsorciumit të ri, por çmimi do të jetë i njëjtë me atë të eksportit duke zbritur kostot e transportit. “Çmimi i naftës, sipas kësaj marrëveshjeje, bazohet në atë të eksportit, duke zbritur kostot e transportit dhe tarifat portuale. IRTC do të përpunojë naftën bruto në rafineritë vendase të Fierit dhe Ballshit. Pjesa tjetër e naftës së prodhuar nga Bankers do të vijojë të shitet në tregun e eksportit”, thotë njoftimi i saj.
Megjithatë askush nga qeveria nuk dha asnjë informacion lidhur me ndryshimin e shfrytëzuesve të rinj të ARMO-s. Ministria e Zhvillimit Ekonomik, Tregtisë dhe Turizmit është pronare e rafinerisë me 15% të aksioneve, po ashtu Ministria e Energjisë dhe Industrisë është përgjegjësja për ecurinë e rafinerisë, dhe e vetmja që dha një informacion të paplotë ishte ajo e Financave. Ministri i Financave nuk vonoi të shkonte në këtë rafineri dhe të jepte lajmin e mirë për ata që do të rinisnin punën.
“Çdokush e di se çfarë ka kaluar industria e naftës, sidomos ju që e mbani mend mirë atë privatizim të dështuar dhe korruptiv që rëndoi mbi të gjitha në kurrizin tuaj si të punësuar dhe që përfunduat gati-gati në skllevër të papunë për disa vite. Hapja e rafinerisë ka në vetvete disa lajme të mira, jo vetëm për ekonominë shqiptare, por edhe për familjet tuaja dhe investitorët, të cilët dëshiroj t’i falënderoj që bënë të mundur rihapjen e rafinerisë dhe kthimin në punë të 1200 punëtorëve”. tha Ahmetaj.
Një kompani me një kapital aksioner prej 35 mijë dollarësh ka tashmë në përdorim rafinerinë e ARMO-s, madje përfaqësuesi i saj është zotuar se firma do të zgjidhë edhe problemet me palët e treta, të cilat nuk janë të pakta…
“Jemi shumë entuziastë për rifillimin e punës së rafinerisë së madhe dhe që rikthyem të gjithë këta njerëz në punë në këtë industri. Doja të thoja që kjo ka qenë një çështje shumë e komplikuar, por pas operacioneve me bankat ne blemë kreditë dhe me disa investitorë të tjerë amerikanë. Ne kemi mbështetjen e qeverisë për të zgjidhur disa çështje të komplikuara që kanë mbetur dhe për të rivënë në jetë uzinën”, është shprehur në një deklaratë për mediat Harry Seargent, përfaqësues i kompanisë që po administron ARMO-n.
Me një këshill drejtues të përfaqësuar nga tre persona, Kompania IRTC ka zgjedhur në krye të saj një shtetas dominikan të lindur në Jordani për të qenë kryetar i Këshillit Drejtues të saj. Në statut, kompania kujdeset të shpjegojë se në aktivitetin e saj nuk e përjashton mundësinë e dhënies dhe marrjes me qira të pasurive të paluajtshme, edhe pse qëllimi kryesor është rafinimi i lëndëve hidrokarbure. Kjo pikë e rëndësishme e statutit, vendos një pikëpyetje të madhe për qëllimin e vërtetë të investitorëve të rinj, të cilët nuk përjashtojnë mundësinë e dhënies në përdorim të aseteve që kanë në palë të tjera. Po ashtu, vetë Bankers Petrolium nënvizonte që marrëveshja për të shitur lëndën që nxjerr nga nëntoka shqiptare zgjat deri në fund të vitit të ardhshëm.
Sa u pagua për të shfrytëzuar ARMO-n?
Askush nuk e di se cila është vlera e parave që administratorët e rinj paguan për të marrë në përdorim asetet e ARMO-s. E kontaktuar nga “Monitor”, Ministria e Zhvillimit Ekonomik, Tregtisë dhe Turizmit si pronare e 15% të aksioneve të kompanisë nuk ka kthyer përgjigje ndaj pyetjes se a është në dijeni për zhvillimin e një transaksioni shitjeje apo dhënie në përdorim të rafinerisë ARMO sh.a., si pronare e saj me 15% të aksioneve.
Ndërsa Ministria e Energjisë dhe Industrisë thotë se nuk është në dijeni të ndonjë shkrese nga Ionian Refining and Trading CO për këtë çështje. Po ashtu nuk është në dijeni të ndonjë marrëveshjeje të rënë dakord për përdorimin e rafinerisë dhe shumës së paguar për këtë. Si përgjegjëse për gjendjen teknike të ARMO-s, kjo ministri nuk është njoftuar as për plan investimi nga IRTC sha.
“Monitor” ka mësuar se dy personat të cilët u morën drejtpërdrejt me vënien në punë të rafinerisë, ishin ministri i Financave, Arben Ahmetaj, dhe zv.kryeministri Niko Peleshi. I pyetur gjatë vizitës në uzinën e Ballshit se si u bë shitja e këtij aseti, Ahmetaj u shpreh kështu:
“Dua ta kuptoni ju dhe ta kuptojnë qytetarët që dhënia me qira nuk është bërë nga ne. Ky aset, kjo rafineri që shikoni, ka qenë, për shkak të atij privatizimi korruptiv, me taksa të papaguara, me furnitorë të papaguar, me punëtorë rrugëve dhe e morën në dorë bankat. Pra bankat e morën këtë aset në dorë për shkak të dështimit të asaj qeverie që i gënjeu të gjithë këta punëtorë këtu dhe kompania amerikane, pra investitori, e ka blerë nga bankat dhe ky aset, pra rafineria, është konceptuar si një operacion më vete, privat mes tyre, bankave dhe dy kompanive. Pronari i ri i rafinerisë është grupi amerikan, pra investitori”.
Por, në fakt, asnjë ndryshim pronësie nuk është reflektuar në ekstraktin e kompanisë ARMO në Qendrën Kombëtare të Biznesit, i cili është dokumenti i vetëm që tregon pronarët e ligjshëm të saj. Ende administrator i kompanisë është Cristophe François-Bernard Darbord, i emëruar që në vitin 2015, po ashtu nuk ka ndryshime as në anëtarësinë e bordit, ku edhe përfaqësuesi i aksioneve shtetërore vijon të jetë i njëjti. Një burim tha për “Monitor”, se për sa kohë që ARMO konsiderohet një sektor strategjik, ndryshimi i pronësisë nuk mund të bëhet dot me vënie sekuestro nga përmbarimi (i cili ka siguruar një vendim gjykate për vënien e sekuestros nga ana e bankave).
Dy nga bankat që operojnë në Shqipëri, Credins dhe Raiffeisen, kanë kërkuar të marrin uzinën e Fierit dhe Ballshit me qëllim ekzekutimin e kredisë respektivisht prej 18 dhe 27 milionë dollarësh që ARMO mori në vitet e para të privatizimit, por edhe pse e kanë këtë të drejtë, askush nuk është interesuar për të blerë këto rafineri. Arsyeja është thjeshtë: ato nuk mund të jenë pronare të një sektori strategjik pa vendosur më parë Këshilli i Aksionerëve.
Por çfarë ka ndodhur në të vërtetë?
Shoqëria përmbarimore EPSA ka depozituar urdhrat e sekuestros së rafinerisë dhe po ashtu ka tentuar të zhvillojë ankande për shitjen e aseteve të kompanisë, por askush nuk ka dhënë një ofertë për të blerë në asnjë prej ankandeve të zhvilluara. E kontaktuar nga “Monitor”, EPSA thotë se bankat nuk kanë shitur asnjë aset të ARMO-s. “Dosja është pezull me kërkesë të bankës”, thanw burimet e EPSA. Kjo e fundit në 19 shkurt dhe 23 mars zhvilloi dy ankande për llogari të Bankës Raiffeisen ndaj së cilës kompania ka një kredi të pakthyer prej 2.8 miliardë lekësh ose 20 milionë eurosh. Të dy ankandet dështuan.
“Monitor” ka mësuar se deri tani nuk ka asnjë marrëveshje mes aksionerëve të ARMO-s dhe kompanisë IRTC sh.a. Me anë të dakordësisë së qeveritarëve, kompania offshore ka marrë miratimin e administratorit të shoqërisë për të përdorur asetet dhe për të rivënë në punë rafinerinë kundrejt shlyerjes së pagave të punonjësve dhe kryerjes së një investimi për përmirësimin e gjendjes së saj jo më të madh se 15 milionë dollarë. Pra, ARMO nuk është shitur por vetëm po shfrytëzohet nga një kompani e huaj, por se çfarë vlere po paguan si qira, askush nuk di ta thotë.
Ministri Ahmetaj tha se vlera e investimit për 18 muaj do të arrinte në 150 milionë dollarë. “Vetëm në vitin e parë janë 52 milionë dollarë investime që shkojnë në rinovimin e rafinerisë dhe më pas të lidhura edhe me fushat e gazit me Trans Atlantik që shkojnë në gati edhe 100 milionë dollarë të tjera që do të investohen, me riparimin e tubacioneve, me zgjerimin e operacioneve të naftës dhe të gazit dhe sigurisht që ka edhe një efekt të drejtpërdrejtë tek operacionet e Bankers, sepse kërkohet furnizim në sasi të konsiderueshme për t’u përpunuar nga kjo rafineri”, ka thënë Ahmetaj gjatë vizitës në Ballsh.
Detyrimet e rafinerisë ARMO
Kompania audituese Deloitte ka audituar bilancin e ARMO-s të vitit 2013. Audituesi pa të gjitha bilancet në vite dhe gjeti mosrakordime shifrash në vlera të konsiderueshme. Rezultoi që kompania në katër vite kishte falsifikuar inventarët duke shmangur pagesën e taksave, por këtë aksionerët e rinj që blenë rafinerinë në gusht të 2013-s e konstatuan shumë vonë.
“Shoqëria zbuloi se detyrimi për tatimet e shtyra nuk ishin njohur në pasqyrat financiare për vitin e mbyllur më 31 dhjetor 2012 dhe 31 dhjetor 2011”, thotë raporti i Deloitte. Në bazë të rivlerësimit që u bë në bilancet e ARMO-s, detyrimet tatimore të shtyra arritën në 73 milionë dollarë. Sot kompania numëron këto detyrime në administratën shtetërore: 54 milionë dollarë janë tatim i shtyrë në vite, i cili është krijuar përpara vitit 2012, çka bën që të përfitojë nga amnistia fiskale. Ky detyrim është ulur për shkak të pagesës që kanë bërë pronarët në këtë periudhë. Por pavarësisht shlyerjes së tyre, kompania ka krijuar detyrim të ri prej 25 milionë dollarësh ndaj Drejtorisë së Doganave dhe 5 milionë dollarë ndaj tatimeve.
Në total shuma e borxhit të saj ndaj buxhetit shkon në 85 milionë dollarë. Detyrimet më të larta janë gjoba që autoritetet kanë vënë për llogaritjen e gabuar të akcizës, taksës së karbonit dhe taksave kombëtare. Të gjitha këto penalitete përfitojnë nga falja, në bazë të nismës së ndërmarrë për amnistinë fiskale. Edhe pse nuk ka depozituar në Drejtoritë Tatimore pasqyrat financiare, ARMO ka bërë depozitim të deklaratave të cilat automatikisht e bëjnë subjekt përfitues.
Por historia e borxheve nuk ndalet me kaq! Mbi ARMO-n janë depozituar deri më sot 33 urdhër sekuestro, të cilat e bëjnë të pashmangshëm ekzekutimin e tyre. G&O Trading sh.a, Energy Trading sh.a., A&V Oil, Liona sh.a., Standart Oil sh.a., Eroil sh.a., Deveron sh.a., Tea Construction and Petrol sh.a., Fit-Mek-Oil sh.a. dhe United Colors janë kompanitë të cilat kanë kryer shërbime për llogari të saj por nuk kanë marrë asnjë lloj pagese. Gjithsej, detyrimi ndaj tyre shkon në 100 milionë dollarë.
Një tjetër “pre” e rafinerisë është edhe shoqëria shtetërore Albpetrol, që ka një histori të gjatë konfliktesh gjyqësore për naftën e papaguar, që datojnë që nga viti 2012. Në fund të marsit 2016 Albpetrol mori në ruajtje një nga rafinerinë ARMO-s, atë të Ballshit.
Lëvizja erdhi pasi Albpetrol fitoi gjyqin në Gjykatën e Shkallës së Parë në Tiranë ndaj rafinerisë së përpunimit ARMO për një detyrim 30 milionë euro dhe më pas fitoi procesin edhe për 20 milionë euro të tjera.
Albpetrol ka depozituar njësoj si bankat një urdhër sekuestroje, nëse Raiffeisen ka në sekuestro rafinerinë e Fierit, Credins dhe Albpetrol kanë atë të Ballshit.
Të pyetur nga “Monitor”, përfaqësues e Albpetrol thonë se “kemi një titull ekzekutiv nga gjykata të cilin ia kemi kaluar përmbaruesit. Është përmbaruesi që ndjek ekzekutimin e detyrueshëm të vendimit. Pak ditë më parë Zyra Përmbarimore na ka informuar që është realizuar shitja e pare në ankand e një pasurie të paluajtshme në pronësi të Armo sh.a. me vlerë 60 milionë lekë”.
Ndërsa të gjithë janë vënë në radhë për të mbledhur borxhet e ARMO, sipas burimeve nga Albpetrol, projekti i ndarjes së shumave hartohet bazuar në Nenin 605 të Kodit Civi’.
Duke qenë se përveç Albpetrol ka dhe një numër të konsiderueshëm kreditorësh të tjerë që kanë tashmë tituj ekzekutivë për shuma që e kalojnë disa herë vlerën e pasurive të ARMO pritet që projekti i ndarjes së shumave që do përfitohen nëpër ankande të krijojë një sërë konfliktesh gjyqësore mes këtyre kreditorëve
Duke qenë se përveç Albpetrol ka dhe një numër të konsiderueshëm kreditorësh të tjerë që kanë tashmë tituj ekzekutiv për shuma që e kalojnë disa herë vlerën e pasurive të Armo pritet që projekti i ndarjes së shumave që do përfitohen nëpër ankande të krijojë një sërë konfliktesh gjyqësore mes këtyre kreditorëve.
Si u shfrytëzua deri tani ARMO nga Deveron Oil dhe TPD
Edhe pse një kompani e falimentuar, ARMO me sa duket ka qenë një fat për dy shfrytëzuesit që morën me qira rafinerinë në dy vite, 2014 dhe 2015. Dy nënkontraktorët e kompanisë, që shfrytëzuan Ballshin dhe Fierin, Deveron Oil Albania dhe TPD-Trading Petrol & Drilling, kanë raportuar të ardhura përkatësisht 119 milionë dollarë dhe 113 milionë dollarë në 2015-n, duke u renditur tek 20 sipërmarrjet më të mëdha sipas xhiros. Deveron Oil nuk ka dorëzuar bilanc në QKR, por kompania rezulton problematike, pasi ka një borxh prej miliona dollarësh në Doganën e Fierit.
Ky borxh i ka detyruar doganat që në maj 2016 të kërkojnë vendosjen e sekuestros konservative të llogarive bankare e të pasurive të paluajtshme të Deveron Oil. Nga shkresat e përmbaruesit mësohet se borxhi që kompania u ka doganave është rreth 3.6 milionë dollarë.
TPD-Trading Petrol & Drilling ka një aktivitet më të qëndrueshëm, pa detyrime ndaj të tretëve, sipas bilancit 2015. Megjithatë, në 2015-n kompania ka deklaruar humbje prej 6.8 milionë dollarësh, nga fitimet prej 6.35 milionë që kishte vitin e mëparshëm.
Kulmin këto dy ndërmarrje e patën në vitin 2014. Niveli i shitjeve në këtë vit arriti në 227.7 milionë dollarë, ku 96.8 milionë i pati Deveron dhe 130 milion TPD-Trading Petrol & Drilling. Në një raport të Ministrisë së Energjisë dhe Industrisë thuhet me shqetësim që të bëhet kujdes me dy kompanitë pasi ka gjasa evazioni fiskal. “Pasi të marrë vendim, asambleja e ortakëve deri në fund të muajit qershor 2015, duhet monitoruar sistemi i situatës negative për ARMO&DEVERON dhe shpërndarja e dividendëve të TPD.” thotë raporti.
A do ta rrezikojë prodhimi i ri cilësinë e naftës në tregun vendas?
Një tjetër çështje me interes për publikun është edhe se sa do ta rrezikojë prodhimi i naftës vendase cilësinë e karburanteve në Shqipëri. Debati për cilësinë e naftës që blejnë konsumatorët shqiptarë ka qenë gjithmonë një çështje e kontestuar, ku edhe vetë qeveritarët e kanë pranuar si një shqetësim kryesor gjatë aksionit kundër informalitetit. Por mesa duket çdo gjë në këtë diskutim bëhet në kontekstin politik dhe jo në atë të shërbimit me cilësi të qytetarit.
Edhe pse gjatë shpalljes së aksionit kundër informalitetit në sektorin e naftës u deklarua nga qeveria se ka abuzime me cilësinë dhe përzierjen e naftës, disa muaj më vonë, Inspektorati Qendror Teknik deklaroi se vetëm 3% të mostrave të marra në karburantet shqiptare kishin shkelur këto standarde. Një raport i Ministrisë së Financave lidhur me karburantet e përziera dhe evazionin në këtë treg, jep rezultate të ndryshme nga ato të IQT-së. “Faza e dytë e monitorimit të plotë të të gjitha pikave të karburanteve në territorin e vendit filloi më 24 nëntor 2014 deri në mars 2015.
Kështu, gjatë kësaj periudhe numri i pikave të tregtimit të karburanteve të verifikuara me përzierje është rreth 9.6% e totalit të kontrolluar, kurse rastet e refuzimeve u reduktuan në 2.1%. Drejtoria e Përgjithshme e Doganave ka aplikuar gjoba dhe penalitete ndaj shkelësve në masën prej 177,181,034 lekësh të reja (ose 1.3 milionë USD).” thotë ky raport.
Numri prej 190 pikash të cilat rezultojnë me përzierje të karburanteve është shqetësues, po t’i shtosh këtu edhe faktin që 74 prej tyre kishin refuzuar kontrollin. “Ka pasur raste kur përqindja e përzierjes shkon deri në 100%(!)” thotë raporti.
Raporti shkon më tej, duke bërë përgjegjëse për këtë situatë rafinerinë ARMO. “ARMO ka vepruar në kundërshtim me ligjin dhe mund të ketë bërë evazion me naftën bruto, (penalitetet e marra kanë qenë me miliona euro).
Ndërkohë që ka pasur disa rafineri të vogla jashtë kontrollit të cilat mund të përpunonin naftë bruto dhe të shisnin produkt të gatshëm në tregun fundor, i cili ishte i pakontrolluar”, shprehet në analizën e grupit të punës së Ministrisë së Financave.
Këtë shqetësim e ngrenë edhe ekspertët. Vladimir Puka, doktor në çështjet e hidrokarbureve, thotë se deri më sot në rafinerinë e Fierit dhe Ballshit nuk është bërë investim që të përpunohet një naftë cilësore.
“Nuk ka asnjë investim për ARMO-n, prandaj edhe nafta që përpunohet aty nuk është për konsum, ajo mund të blihet më shumë për lëndë në përdorim të industrisë. Ne jemi të specializuar më shumë në prodhimin e mazutit, solarit dhe bitumit.” thotë Puka.
Në vitin 2014, ARMO realizoi një volum përpunimi të naftës bruto në rreth 300 000 tonë (nga 60 000 tonë në vitin 2013). Blerjet brenda vendit u realizuan nga Bankers, ku për 8 muajt e fundit të 2014-s u blenë 181.3 mijë tonë naftë e papërpunuar dhe për 4 muajt e parë 2015, janë blerë 185.2 mijë tonë.
Ekspertët mendojnë se nëse llogariten kapacitetet e përpunimit të rafinerisë pas rivënies së saj në punë dhe blerjes së më shumë se gjysmës së prodhimit të Bankers Petroleum, tregu vendas mund të furnizohet në vit me mbi 300 mijë tonë naftë nga ajo e Bankers.
“Nëse marrim një koeficient humbje të lartë 15%, për shkak të amortizimit që ka rafineria, i takon që rreth 300 mijë tonë të jetë naftë që do të shitet ose në tregun tonë, ose mund të çohet për eksport jashtë. Deri tani, tregu ynë gjithnjë ka vuajtur për cilësi. Nafta që prodhon Bankers është e një lloji specifik dhe kërkon përpunim të rëndë, të cilin nuk mund ta bëjë dot as uzina e Fierit dhe as uzina e Ballshit”, thotë Vladimir Puka.
E kontaktuar nga “Monitor”, se a rrezikohet nga futja në punë e rafinerisë cilësia e furnizimit të tregut të karburanteve në Shqipëri, ministria e Energjisë dhe Industrisë thotë se do të jetë në monitorim të vazhdueshëm të këtij tregu. “Ministria e Energjisë dhe Industrisë monitoron dhe inspekton në mënyrë të vazhdueshme të gjithë sasinë e prodhuar në vend si dhe të importuar të karburanteve, duke siguruar që vetëm produktet që respektojnë standardet në fuqi do të hidhen në tregun e brendshëm.” thotë në përgjigjen e saj zyrtare ky institucion.
A ka shpresa për të ringjallur ARMO-n, apo është vetëm një shfrytëzim i përkohshëm?
Por dhe sa kohë mund të vijojë ARMO që të përpunojë naftën. Këtë pyetje mund ta bëjnë shumë mirë 1200 punëtorët, të cilët e njohin rafinerinë. Ata e dinë që borxhet e kompanisë janë shumë herë më të larta se shitjet që realizon ajo dhe se ka nevojë për dhjetëra miliona dollarë investime.
“Në raportet financiare të renditura për likuiditetet, kapitalin, aktivet dhe ardhshmërinë financiare shihet se shoqëria është në një vështirësi të përhershme për likuiditete dhe nëse nuk kryen një qarkullim më të madh të inventarit të saj, si dhe të rrisë efektivitetin për mbledhjen e borxheve të saj, nuk do të arrijë të paguajë edhe për periudhën në vijim furnitorët dhe detyrimet afatshkurtra.” thotë raporti i hartuar nga grupi i punës i ngritur për çështjen ARMO.
Kjo ka qenë një nga arsyet se përse Bankers kërkoi në marrëveshje me firmën IRTC SH.A që të ketë garanci pagese. Detyrimet ndaj furnitorëve të ARMO-s janë arritur në 100 milionë dollarë, në një kohë që shpresat për rikthimin e tyre janë zero. Raporti shprehet se aftësia paguese e ARMO-s, përveçse është negative, kërkon vite që të shlyhet. Për të paguar një furnitor për një vit, ARMO-s i duhen 3490 ditë, ose 10 vite.
Sot për 100 lekë shitje ARMO humb 292 lekë, ndërsa pjesa që tregon situatën më të rëndë të kompanisë është cilësia e kapitalit. Sipas llogarive të Ministrisë së Energjisë dhe Industrisë, për 100 lekë kapital të gjeneruar, humbja është 770 lekë, ose 770%. Kjo është arsyeja se përse askush sot nuk kërkon të blerë shoqërinë, por vetëm të përdorë asetet e saj!
E shkuara e errët e Mustafa Abu Nabaá dhe Harry Seargent
Por, edhe pse nuk njihen pronarët e vërtetë të kompanisë IRTC sha, e cila në bazë të ligjeve të ishujve Virgin, ku ajo ka hapur aktivitetin, nuk ka për detyrim të tregojë aksionerët, kreu i Këshillit Drejtues të saj në selinë e Shqipërisë njihet në arenën ndërkombëtare si zotërues i mjaft kompanive offshore në fushën e naftës, ku nuk mungojnë edhe proceset e shumta gjyqësore të bëra në shumë shtete. Emri i Mustafa Abu Nabaá del i shoqëruar në çdo artikull botëror nga ai i Harry Seargent.
Të dy këta persona janë akuzuar për përfitime të njëanshme të një kontrate me një familjar të mbretit të Jordanisë në vitin 2012. Por edhe pse ka pasur një urdhër gjykate për t’i paguar 29 milionë dollarë, vëllait në kurorë të mbretit jordanez, kjo pagesë nuk është bërë. Po ashtu, avokatët e Mohamed Al-Salah, bashkëshortit të motrës së mbretit të Jordanisë, kishin gjetur disa skema se si Harry Seargent merrte para nga disa kompani “guaska” dhe bënte një jetë luksoze me jahte dhe shpenzime marramendëse, në një kohë që deklaronte se nuk kishte mundësi të paguante urdhrin e gjykatës.
Harry Seargent njihet si miliarder i Gulf Stream dhe disa ndërmarrjeve të tjera të naftës në Teksas. Në një shkrim të rrjetit mediatik “NBC News”, ai rezulton si një person që ndërpreu një kontratë miliona dollarëshe me një nga partnerët e tij, Al-Salah, që ka bërë transportin e naftës për ushtrinë amerikane gjatë luftës në Irak.
“Në vitin 2004, Sargeant themeloi kompaninë International Oil Trade Center me tre partnerë: atë, mbrojtësin Mustafa Abu Nabaá dhe al-Saleh, i cili ishte ‘i dobishëm’ për kompaninë për shkak të lidhjeve me familjen mbretërore”, shkruan NBC.
Gjatë gjykimit, vetë al-Salah ka pohuar se Seargent kishte dhënë 50 milionë dollarë ryshfet në nivelet më të larta qeverisë jordaneze. Me paratë e dhëna u ble kompania e cila kishte monopolin e transportit të furnizimit me karburant të ushtrisë amerikane nga Jordania në Irak. I njohur si një anëtar i Partisë Republikane dhe zyrtar për disa vite i kësaj force, Seargent u akuzua për shkelje të Aktit të Praktikave të Jashtme të Korrupsionit të SHBA-së.
“Ekzistenca e këtij monopoli u kushtoi forcave amerikane afro 200 milionë dollarë, sipas një investigimi të bërë nga kongresi dhe auditit të Pentagonit”, citon “NBC News”. Amerikani Harry Seargeant, u prezantua në krah të ministrit të Financave dhe zv.kryeministrit Niko Peleshi, si një nga drejtuesit e kompanisë që po shfrytëzon kompaninë ARMO.
Mustafa Abu Nabaá po ashtu është akuzuar në Shtetet e Bashkuara të Amerikës se ka dhënë donacione nga njerëz të jashtëm në fushatën për president të republikanit John McCain. “New York Times” raportonte në vitin 2008 se “Seargent lejoi Abu Nabaá të jepte 50 mijë dollarë donacione në mars në fushatë për të mbështetur kandidatin republikan për president McCain të cilat vinin nga një burim i jashtëm i familjes Abdullah”, shkruan artikulli./Monitor/