Ata paguhen për të hartuar e miratuar ligje dhe për të ngritur shqetësimet e votuesve të tyre në parlament. Por 35 prej tyre kanë vegjetuar që prej 1 janarit të këtij viti. Janë deputetë që as që kanë hapur gojë për të disktutuar ndonjë projejktligj, për të propozuar apo kundërshtuar. Thjesht janë paraqitur në seanca për të shënuar pjesëmarrjen dhe kanë ngritur kartonat sipas vendimit të partisë. Shumica e tyre, sipas një raporti të Institutit të Studimeve Politike, janë nga radhët e Partisë Socialiste, të pasuar nga LSI e PD.
“Referuar të dhënave zyrtare nga Kuvendi i Shqipërisë rreth 35 deputetë (1 prej tyre me mandat edhe ministror) nuk folën në asnjë nga 27 seancat parlamentare të periudhës janar – korrik 2016”, thuhet në raport.
Nga PS nuk folën asnjëherë 19 deputetë. LSI e PD kanë nga 7 deputetë që nuk kanë bërë asnjë diskutim në parlametn. PAA 1 dhe PDIU 1.
Studimi tregon se nga deputetët që nuk folën në asnjë seancë, bien në sy dy kategori: një grup politikanësh me karrierë të gjatë parlamentare dhe politike majtas e djathtas, si dhe një grup biznesmenësh lokalë, prurje të reja në zgjedhjet 2013 nga listat shumëemërore të partive.
“Në kategorinë e parë evidentohen emra si Bashkim Fino apo Namik Dokle (PS), Arben Imami apo Gert Bogdani (PD), Monika Kryemadhi apo Vangjel Tavo (LSI). Në pjesën tjetër të listës bien në sy emra të njohur për publikun, si biznesmenët Sadri Abazi, Vladimir Kosta, Tom Doshi, Parid Cara e Fidel Ylli (PS), Shkelqim Selami, Agron Çela apo Ylli Shehu (LSI), Dashamir Tahiri, Keltis Kruja apo Gjovalin Bzheta (PD), Ylli Rakipi (PDIU) apo Agron Duka (PAA)”.
Studimi nxjerr në pah faktin se “rreth 50% e këtyre deputetëve e kanë siguruar mandatin parlamentar në formë preferenciale për shkak të njohjes, raporteve apo besimit personal të liderit politik në partitë e tyre. Kjo do të thotë, se kjo pjesë e listës, rreth 15-17 deputetë, presin të konfirmohen në listat proporcionale të partive respektove edhe në zgjedhjet e ardhshme parlamentare, kryesisht për shkak të raporteve personale me liderit ose për shkak të kontributeve financiare në fushatat elektorale. Shumica e tyre kanë mandate të dyta parlamentare, pra kanë përvojën dhe fakti që nuk i kushtojnë rëndësi fjalimeve, do të thotë, njohin rrugët efektive të karrierës, pavarësisht kontributit dhe përgjegjësive publike”.
Deputetët “memecë” të kuvendit nuk janë problemi i vetëm i kësaj legjislature. Në 7 muaj, parlamenti ka miratuar vetëm 19 ligje, shumica e të cilëve janë akte që lidhen me funksione ratifikuese, apo ndërhyrje në axhendën parlamentare.
Për deputetët, vetëm për paga buxheti i shtetit harxhon 250 milionë lekë të reja në vit. Shpërblimet përllogariten në 170 milionë lekë. /Lapsi.al