Home KRYESORE “Lapsi”: A po hyn në Shqipëri mafia e plehrave?

“Lapsi”: A po hyn në Shqipëri mafia e plehrave?

Në nëntor të vitit 2011, Fatmir Mediu, Ministër i Mjedisit në atë kohë, e mbrojti në parlament ligjin për mbetjet urbane. Kur Aleanca Kundër Importit të Plehrave sa kishte nisur kundështitë e para, Mediu i qeverisë Berisha mbrohej me argumentin se vetëm 50 mbetje ishin në listën e importeve dhe se këto mbetje ishin sipas direktivave të BE.

Si çdo gjë tjetër që shkaktonte reagim në publik, Edi Rama e përdori sensibilitetin e krijuar nga ky ligj, për interesat e tij politike. Ai nuk u vu në ballë të ndonjë proteste për mbetjet, nuk u takua me drejtuesit e Aleancës Kundër Importit të Plehrave. Por me qëndrimin kategorik kundër ligjit i dha më shumë frymëzim këtij “fronti civil”.

Po me këtë frymë dhe për të treguar se ai është njeri i fjalës, me kompleksin e atij që të gjithë karrierën politike thuhet se e ka ndërtuar mbi pabesi e thika pas shpine, Edi Rama firmën e parë si kryeministër e hodhi kundër ligjit.

Më 22 shtator të 2013, vetëm pak minuta pasi ishte ulur në karrigen e kreut të qeverisë, Rama vendosi të ndalojë importin e plehrave; të të gjitha llojeve: “Ndalohet në të gjitha rastet importimi i mbetjeve të rrezikshme dhe jo të rrezikshme në Republikën e Shqipërisë”.

Më 11 tetor 2013 ky ligj u votua me 76 vota nga 78 deputetë të pranishëm në kuvend. Kryeministri Rama doli para shqiptarëve krenar.

“Jam shumë krenar që ky Kuvend do të miratojë përfundimisht ndalimin e importit të plehrave në Republikën e Shqipërisë. Plehrat në Shqipëri nuk do të hyjnë asnjëherë, deri në ditën kur Shqipëria do të jetë në gjendje të seleksionojë, të ndajë, të mbledhë, të përpunojë plehrat që prodhon vetë. Ne do t’i heqim plehrat nga sytë e gjithkujt që në këtë vend e ftojmë të vijë për të shijuar bukuritë dhe për të shtuar fuqinë tonë të industrisë së turizmit dhe që nuk mund ta mikpresim dhe as të presim të kthehet përsëri pasi e kemi shëtitur mes malesh, kodrash dhe pirgjesh me plehra, në të katër anët. Ka vetëm dy kategori vendesh që importojnë plehrat, ose vendet me standarde maksimale dhe me garanci maksimale, të cilat i lejojnë vetes import edhe të mbeturinave më të rrezikshme për shkak se kanë të gjitha aftësitë për të kontrolluar dhe për të trajtuar këto lloj mbeturinash dhe vendet me standardet më të ulëta të kontrollit dhe me standardet më të ulëta, madje inekzistente, të përpunimit të tyre. Ka vetëm një arsye që mafia u drejtohet vendeve si Shqipëri dhe vendeve të tilla që nuk kanë standarde të larta për kontrollin e tyre. Arsyeja është shumë e thjeshtë, paratë e pista që përfitohen nga ky biznes”, do të deklaronte Rama.

Në morinë e bombardimit të opinonit publik me argumenta që i shtonin pikë politike, kryeministri i sapo-mandatuar u tha shqiptarëve se “nëpërmjet ndalimit të importit të mbetjeve jo të rrezikshme, parashikohet të nxitet pastrimi i vendit dhe do të sigurohet lëndë e parë e mjaftueshme për industritë ricikluese”.

Industria ricikluese e kundërshtoi vendimin. Por zëri i kompanive të pakta që i kishin bazuar investimet e tyre në mbetje si plastika e alumini, u zhurmua nga megafonët që shpërndanin zërin euforik të qeverisë së re.

Më në fund, Shqipëria kishte vendosur të menaxhonte mbetjet e veta.

Por çfarë ka ndryshuar në këto 3 vjet në menaxhimin e mbetjeve në Shqipëri?

Lumi i Ishmit, ai që derdh në detin Adriatik sasinë më të madhe të mbetjeve urbane, vazhdon të “transportojë” në mënyrë të pakontrollueshme të njëjtat sasi. Vendgrumbullimet e mbetjeve janë të njëjtat e 3 viteve më parë. Industria e riciklimit s’ka ndryshuar, madje punon me kapacitete më të vogla. Shqipëria prodhon edhe më shumë mbetje se para 3 vitesh. Ushtria ka dalë disa herë në aksione për të mbledhur plehrat anembanë vendit. Këtë vit Ministria e Ekonomisë dhe Turizmit sponsorizoi me një shumë ende të paditur parash një fushatë sensibilizuese për mbetjet në plazhet e jugut. Kështu ka ndodhur thuajse çdo verë jo vetëm në 3, por në të paktën 10 vitet e fundit.

Pra, në 3 vjet të qeverisë Rama kushtet nuk kanë ndryshuar.

Çfarë ka ndryshuar është vetëm vullneti i vetë Ramës. Disa deputetë të Partisë Socialiste, të mbetur nën sqetullën e kryeministrit si jashtë ashtu edhe brenda parlamentit, kanë depozituar në kuvend disa amendamente për të lejuar importin e plehrave.

Janë amendamente që rrëzojnë vendimin e parë të Ramës kryeministër. Iniciativa është e Besnik Bares që ikën e vjen nga partia sipas humorit të kryeministrit dhe e Eduard Shalsit, që pa Ramën shef s’ka bërë asgjë tjetër në jetën politike.

Ndryshimet janë diskutuar fshehurazi në Komisionin e Veprimtarive Prodhuese, me dyer të mbyllura dhe pa praninë e kamerave.

Besnik Bare ishte dikur në krye të betejës së opozitës socialiste kundër ligjit që lejonte importin e mbetjeve. Ndërsa Shalsin mund ta justifikojë vetëm sentenca e tij e famshme në prag të zgjedhjeve të vitit 2013 kur u shpreh se “kur PS do të vinte në pushtet nuk do të vidhte si këta (të PD), por me lezet.” Me lezet ai po kthen një vendim populist të shefit të tij. Dhe sigurisht edhe me miratimin e kryeministrit. (lexo më poshtë artikullin e botuar dje në lapsi.al)

Po përse Edi Rama po e zhbën vendimin e tij eurofik të tre viteve më parë kur nga menaxhimi i mbetjeve nuk ka ndryshuar asgjë?

Duhet thëën se e pandryshueshme mbetet po ashtu edhe dëshira e “mafias për të përfituar paratë e pista të këtij biznesi”, siç shprehej Rama 3 vjet përpara.

Vdekja e një 17 –vjeçari në landfillin e Sharrës hodhi dritë mbi një prej skandaleve më të mëdha të përfitimit nga menaxhimi i mbetjeve në Tiranë.

Një kompani private, e drejtuar nga kryetari i PS për Peqinin, kishte ngritur një impiant për përpunimin e mbetjeve të ngurta. Në të ishin të punësuar dhjetëra fëmijë, ashtu si Ardit Gjoklaj që humbi jetën, i shtypur në mes të natës nga një fadromë.

Por skandali nuk ka të bëjë vetëm me shfytëzimin e minorenëve në të zezë. Ngjarja tregoi interesin që kanë kompani pranë qeverisë dhe në pronësi të krerëve të PS për këtë biznes dhe lehtësia qe ato kanë për të ngritur impiante private në mjedise publike për të përfituar shuma marramendëse parash, edhe në të zezë.

Kjo është edhe ajo çfarë ka ndryshuar në këto 3 vjet.

Edi Rama nuk po e zhbën vendimin e tij për shkak se e ka kuptuar se ai dëmtoi 2 – 3 biznese ricikluese që e ulën intensitetin e punës.

Ai nuk po tërhiqet ngaqë më në fund e bindën se vendimi i tij ishte i nxituar dhe i pastudiuar. As po e bën për shkak se Shqipëria është më e pastër apo ka rritur standardet dhe aftësitë si për të kontrolluar mbetjet e importuara ashtu edhe për t’i përpunar ato.

As po e bën për shkak se shoqëria civile ka rënë në gjumë dhe Aleanca Kundër Importit të Plehrave e kreu misionin që mori gjatë kohës së qeverisë Berisha.

Skandali i Sharrës ngre dyshime të forta se vendimi ka të bëjë me bizneset pranë qeverisë që kanë rritur interesin, që pas koncesioneve, të marrin “edhe paratë e pista” që dalin nga përpunimi i mbetjeve.

Interes ky që sheh investimin direkt të njeriut të besuar të Edi Ramës në bashkinë e Tiranës, Erion Veliajt dhe besnikëve personalë në kuvend, si Shalsi e Bare.

Investimi i këtij rrethi të ngushtë njerëzish pranë Ramës, që po i hapin sërish rrugën importit të mbetjeve, është një tjetër provë se tërheqja nga vendimi i 22 shtatorit nuk vjen si pasojë e ndonjë nevoje të diktuar nga rrethanat.

Ndryshimi në ligj nuk po ndodh për t’u ardhur në ndihmë bizneseve ricikluese apo Europës së Bashkuar as se Sharra ka ndryshuar. Vendimit populist po i bihet me gomë sipër për shkak të ndryshimit të interesit të bizneseve pranë Ramës për të fituar edhe nga mbetjet tona, në mos për t’i hapur dyert mafias së plehrave. /Lapsi.al

 

Share: