Home KRYESORE Letër e hapur drejtuar Drejtorit të Përgjithshëm të Policisë së Shtetit Haki...

Letër e hapur drejtuar Drejtorit të Përgjithshëm të Policisë së Shtetit Haki Çako

Letër e AKIP drejtuar Drejtorit të Përgjithshëm të Policisë së Shtetit Haki Çako

Ndalimi i aktistëve nga policia përbën përdorim politik të Policisë së Shtetit nga partia e plehrave

I Nderuar Z. Çako,

Aleanca Kundër Importit të Plehrave mësoi sot (23 shtator 2016) për ndalimin nga Policia e Shtetit të dy aktivistëve Klodi Leka dhe Bislim Lakna, të cilët po shkruanin parulla kundër importit të plehrave.

AKIP dëshiron t’ju vë në dukje se e konsideron ndalimin e aktivistëve një shkelje të rëndë të lirisë së shprehjes dhe lirisë së protestës.

AKIP dëshiron t’ju komunikojë se e konsideron ndalimin një keqpërdorim politik të Policisë së Shtetit nga ana e qeverisë.

Vërejmë me shqetësim se, ndonëse rrugët e Shqipërisë janë mbushur me gjithëfarëlloj grafitesh, përfshirë grafite të partive politike apo vizatime të artistëve të “miratuar” nga pushteti, deri më sot janë vetëm aktivistët jopartiakë ata të cilët keqtrajtohen nga policia duke u ndaluar pa të drejtë dhe duke u mbajtur nëpër komisariate për orë të tëra.

Për rrjedhojë, AKIP e konsideron ndalimin e akvisitëve tanë nga Policia e Shtetit si një veprim selektiv, të padrejtë dhe në dhunim të lirisë së shprehjes dhe të lirisë së protestës.

Si i tillë, ju komunikojmë se veprime të tilla, në rast se do të përsëriten në të ardhmen, do të raportohen nga ne te organizmat ndërkombëtare dhe te ambasadat e huaja si dhunime të kryera nga Policia e Shtetit.

Ne e konsiderojmë betejën tonë kundër importit të plehrave një betejë politike. Si e tillë, Policia e Shtetit duhet të tregojë profesionalizëm dhe paanësi politike, gjë që dukshëm nuk e ka treguar në rastin e ndalimit të dy aktivistëve. Në Shqipëri nuk mundet dhe nuk duhet të ketë dy lloje arti rruge, një i pëlqyer nga autoritetet dhe i pandëshkuar nga Policia e Shtetit dhe një tjetër, i papëlqyer nga autoritet dhe i ndëshkuar rreptësisht dhe padrejtësisht nga Policia e Shtetit.

Me respekt
Aleanca Kundër Importit të Plehrave

Share: