NGA FATOS LUBONJA
Gjatë debatit mbi reformën në drejtësi kam mbrojtur dhe vazhdoj të mbroj tezën se prapa retorikave të kësaj reforme kemi luftën për pushtet midis tri partive banda. Si pasojë, kjo luftë mund të sjellë tri lloj zhvillimesh: ose një lloj destabilizimi (nëse tri bandat hapin luftë me njëra-tjetrën pa e mposhtur dot njëra-tjetrën), ose futje edhe më thellë në shtetin e së padrejtës (nëse Drejtësia kapet nga banda më e madhe), ose mbetje atje ku kemi qenë (nëse ato arrijnë një “konsensus”).
Kam argumentuar se e treta është më e mirë se dy të parat, pasi është më demokratike të kesh tri banda në pushtet, sesa një bandë apo destabilizim e kaos. Mirëpo, opsioni i tretë ngre, me shumë të drejtë, pyetjen: Mos kjo do të thotë se duhet të qëndrojmë në kënetën e korrupsionit dhe depresionit ku ndodhemi? A nuk duhet filluar diku? Dhe, a nuk mund të ishte reforma në drejtësi një fillim?
REFORMAT E VËRTETA DHE POLITIKA
Shpesh, kur flasim për rrugët e ndryshimit, duke u dhënë emrin “reforma”, këto i lidhim me politikanët që kemi, duke nënkuptuar se ata, me hir ose me pahir, po detyrohen t’i bëjnë ato. Nganjëherë, madje, situata shitet sikur edhe ata i kërkojnë sinqerisht këto rrugë, i duan reformat e vërteta, por nuk i gjejnë dhe kërkojnë ndihmë. Koha ka treguar se nuk është kështu.
Të gjitha reformat e maxhorancave që kanë ardhur në pushtet kanë qenë të rrejshme dhe zhgënjyese pasi janë përdorur për një qëllim të vjetër dhe të pandryshueshëm: ndryshimin e gjithçkaje (në kuptimin e vendosjes në pushtet të njerëzve të tyre), që të mos ndryshojë asgjë (në kuptimin e mënyrës se si këta njerëz keqpërdorin pushtetin për interesat e tyre meskine).
E tillë është edhe reforma që po na premton drejtësi. Le të sjell një argument me vetë fjalët e Ramës për këtë. Rama i porsaardhur në pushtet, deklaronte se për korruptimin e njerëzve e ka fajin sistemi jo individët, se edhe një gjerman po ta futësh në këtë sistem do të korruptohej. Pra ai nënkuptonte se do të ndryshonte sistemin. Ndërkaq, ajo çka ka bërë deri më sot (dhe që, sipas meje, synon ta përmbyllë edhe me drejtësinë) është pikërisht ndryshimi i njerëzve, jo i sistemit. Edhe i famshmi “veting” që po shitet si shpresë drejtësie e ndryshimi, në thelbin e vet, premton sjelljen e “gjermanëve” në drejtësi.
NGA DUHET FILLUAR ATËHERË?
Ka një përgjigje mjaft të thjeshtë për këtë: duhet ta fillojmë nga vetja që të ndryshojmë edhe sistemin.
Edi Rama dhe partia e tij vërtet e kishte shumë të vështirë ndryshimin e gjithçkaje menjëherë. Por një gjë e kishte të lehtë. Të bënte vetingun te vetvetja më së pari, të mos lidhej me krimin vetë, të mos bënte korrupsion vetë. Dalëngadalë shembulli i mirë që do të jepej në çdo sektor, do të triumfonte mbi të keqen. Në këtë mënyrë do të fitonte gjithnjë e më shumë kredibilitet dhe nesër do të mund të çlirohej edhe nga i korruptuari Meta, të cilin e paraqet sot si shkakun pse nuk po i ecin punët, e do të mund të kryente reforma të vërteta.
Po pse nuk ndodhi kjo, por sot shohim paradoksin që këtej rilindasit flasin për veting të gjyqtarëve dhe prokurorëve, kurse në anën tjetër mbështeten te kriminelët që kanë futur në Parlament e nëpër bashkira? Jo thjesht sepse janë mashtrues e hajdutë të lindur, sikurse thonë disa, por sepse janë pjesë e sistemit, pjesë e strukturës së pushtetit ekonomik politik mediatik që korrupton edhe “gjermanët”.
Në një shkrim e kam krahasuar këtë sistem me një godinë trekatëshe, me krimin e organizuar në bodrum, me oligarkët e korruptuar dhe korruptues në kat të parë, me mediet e këtyre oligarkëve në kat të dytë, me politikanët në katin e tretë, në të cilin kat drejtësia nuk ka veçse disa zyra të vogla.
Ajo që po ndodh te kjo godinë me ardhjen e Ramës në pushtet është se ai po kërkon t’i zvogëlojë opozitës zyrat fare në kat të tretë, t’i mbyllë drejtësisë dyert që i ka të lidhura me ato të opozitës duke ruajtur lidhjen vetëm me zyrat e veta; të marrë gjithnjë e më nën kontroll lidhjet me katin e parë dhe të dytë e, veçanërisht, të fuqizojë lidhjet me bodrumin, çka po duket dramatikisht së fundi me faktin që po bëhet gjithnjë e më evidente se mbjellja e tërë Shqipërisë me kanabis nuk është një diçka spontane, por diçka e organizuar për të siguruar bazën ekonomike të pushtetit të kësaj maxhorance.
E pra, reforma e vërtetë që kërkohet në Shqipëri është ajo që do të synonte shpërbërjen e kësaj godine kriminale pushteti. Dhe të presësh që këtë ta bëjnë vetë arkitektët, ndërtuesit dhe konsoliduesit e saj është iluzion, sepse ata kanë dy arsye të forta që nuk i lejon ta bëjnë këtë. Së pari, ekonomike, sepse interesat e tyre materiale janë të lidhura ngushtë me mirëfunksionimin e kësaj godine dhe së dyti, psikologjike, sepse ata janë “institucionalizuar” tashmë në këtë godinë. Jashtë kësaj godine dhe punës që bëjnë në të ata nuk i gjejnë dot më kuptim jetës.
LËVIZJA E RE
Ja pse kam ngulmuar dhe ngulmoj se për të kryer reforma të vërteta lipset një lëvizje e re njerëzish që duhet të synojnë shpërbërjen e kësaj godine dhe jo fuqizimin e saj, siç po ndodh. Saktësoj se kur them “jashtë” nuk nënkuptoj “gjermanë” që bien nga qielli, por, në radhë të parë shqiptarë që nuk janë përfituesit, por viktimat e kësaj godine si dhe plot nga ata që, në një mënyrë apo në një tjetër, u është dashur t’i nënshtrohen diktatit të saj, por që kanë vetëdijen se kemi të bëjmë me një strukturë kriminale që po i çon të gjithë në humnerë, apo edhe eksponentë të saj që janë bërë tashmë të vetëdijshëm se po vazhdoi kështu ajo do të implodojë duke i zënë edhe ata brenda.
Disa nga pikat kryesore të programit të kësaj lëvizjeje, që për sa i përket elektoratit e shoh si lëvizje të të papërfaqësuarve nga godina, prandaj dhe më së shumti të njerëzve të ndershëm dhe të varfër, prandaj më së shumti një lëvizje të majtë si ato që kanë lindur së fundi kundër kastave të korruptuara në Greqi, Itali apo Spanjë, do të duhet të ishin:
Së pari, të mos ketë lidhje dhe sponsorizim nga krimi dhe kriminelët, çka do të thotë që ajo të planifikojë që bodrumi i godinës të spostohet në vendin që i takon, me një fjalë në burg, apo në fundërrinat e shoqërisë.
Së dyti, të kontestojë fort me shembullin e vet konfliktin e interesave që ka sot në Parlament, midis qenies në teori të politikanëve shërbëtorë të interesit publik dhe qenies së tyre realisht biznesmenë që e përdorin politikën për përfitimet e tyre personale. Duke iu referuar metaforës së godinës, kjo do të thotë që lëvizja të programojë që kati i parë i godinës të spostohet më vete, si treg vërtet i lirë.
Së treti, të kërkojë një reformë themelore në sistemin mediatik që do të pamundësojë ekzistencën e medieve manipuluese e disinformuese të publikut që punojnë për interesat e bodrumit, të katit të parë dhe të politikanëve të lidhur me ta dhe të stimulojë mediet e pavarura prej tyre. Çka do të thotë që edhe kati i dytë i godinës të shkrihet e të krijohet një “godinë mediatike” më vete, si pushtet i ndarë.
Së katërti, në këtë lëvizje të katit të dytë duhet të përshihet edhe kërkesa që në shpërbërjen e godinës të kryhet edhe zhvendosja e zyrave të së ashtuquajturës shoqëri civile që ato të fillojnë të punojnë si kundërpeshë e pushtetit, siç i quan John Locke dhe jo si leva të partisë në pushtet, siç i quante Stalini dikur organizata të tilla, si organizatën e gruas, bashkimet profesionale, organizatën e rinisë etj.
Së pesti, për ta mbyllur me reformën në drejtësi:
vetëm një lëvizje e tillë, që e fillon vetingun nga vetja dhe që punon seriozisht për ndarjen e kësaj godine kriminale, mund ndihet e lirë për t’i dhënë pushtetin ligjit dhe Drejtësisë mandatin për të qenë ajo gardiani i vetëm i tij.
Kush pretendon se me një politikë, ekonomi, media, dhe shoqëri civile të kapur nga krimi dhe korrupsioni, mund të kemi drejtësi të pavarur, që të mbrojë barazinë e të gjithëve para ligjit, vetëm se mashtron për qëllime që s’kanë të bëjnë me drejtësinë dhe shtetin e së drejtës. /panorama.al