Ashtu siç paralajmëruan javën e shkuar, emrat më në zë të agjencisë amerikane të hapësirës dolën në një telekonferencë për të dhënë lajmin; prova të reja dhe më bindëse për ekzistencën e një mega-oqeani nën sipërfaqen e akullt të Europas.
“Kemi mundur të kapim pamje shtëllungash avulli në sipërfaqen e Europas. Ky është një zbulim i rëndësishëm pasi në të ardhmen do të na lejojë të kërkojmë për gjurmë jete në këtë satelit të Jupiterit, pa patur nevojë që të shpojmë qindra metra korracën e akullt që mbulon sipërfaqen e tij”, deklaroi udhëheqësi i studimit, William Sparks.
Shtëllungat janë vënë re në polin jugor të satelitit dhe vetëm njëra, por edhe kandidatja më potenciale për t’u vizituar nga njeriu apo robot i ndërtuar prej tij, është parë në pjesën veriore të Europas.
“Mendojmë se këto shtëllunga janë avuj uji, ose e pakta copëza të imta akulli, sepse kështu është e ndërtuar Europa, e akullt”, thotë Sparks.
Shkencëtarët e NASA-s thonë se pikërisht në këto pika mund të kërkohet në një të ardhme të afërt për oksigjen, hidrogjen apo elementë të tjerë kimikë në bazë të të cilëve mund të kuptohet më mirë përbërja e oqeanit të satelitit.
Prej dekadash ekziston një teori e një oqeani nën sipërfaqen e aktullt të Europas, teori që u përforcua në vitin 2013 pas pamjeve të siguruara nga sonda Galileo dhe që thuajse konfirmohet nga ky zbulim i ri i NASA-s.
Europa është njëri ndër 67 satelitët e njohur të Jupiterit, planeti më i madh i sistemit tonë diellor./ Top Channel