Nga Nikollaq Neranxi
Si një sipërmarrës i vjetër në këtë vend, ju pohoj me bindje se në Shqipëri është shumë e vështirë të bëhesh i pasur me punë të ndershme, sepse konsumatori është i varfër dhe blen pak, ekonomia ka shumë informalitet, kontrabandë, korrupsion dhe krim, megjithatë ju them përsëri me shumë bindje, se ajo para e pakët, e fituar kështu, të shijon shumë dhe të mundëson një gjumë pa makthe.
Por jo të gjithë mendojnë në këtë mënyrë, për disa sipërmarrës faqezinj, zgjidhja më optimale për të bërë para shumë dhe shpejt, është që të bëhen ortakë me pushtetin. Me këtë logjikë biznesi kriminal, po përballemi sot të gjithë, teksa shohim që ata burra që i zgjodhëm në Parlament për të mbrojtur interesat e të gjithë popullit, e kanë bërë fytyrën më të zezë se plehrat që do sjellin, vetëm për interesa klienteliste sipërmarrësish.
Pas 1001 peripecish që kaloi ky vend në 25 vite tranzicion, tani jemi përballë ca njerëzve të cilët na thonë: “Vdisni ju që të pasurohemi ne!”
Kryeministri del në Parlament dhe më thotë që t’i besoj se plehrat që ai do sjellë, janë ca kanace dhe shishe dhe nga ana tjetër kur e pyesin pse e la Shqipërinë të mbushet me hashash, thotë që ky nuk është një fenomen shqiptar, por ne po bëjmë sa mundemi!!
Jam i sigurtë që këtë gjë do na e thotë edhe kur të zbulohet pas ca kohësh, që në Shqipëri po futen mbetje radioaktive, do na thotë që nuk e ka nën kontroll territorin, por po bën aq sa mundet!”
Ligji i plehrave është një betejë e humbur e pushtetit, e kam bindje këtë! Edhe pse e kanë varfëruar këtë vend në ekstrem, edhe pse reagimi qytetar lë për të dëshiruar, në fund që të gjithë së bashku, do të japim verdiktin referendar, jo plehrave në Shqipëri!
(Këtu keni intervistën e Roberto Savianos, i cili ka jetuar mes mafies së plehrave në Itali dhe e njeh mirë këtë biznes, ka bere edhe librin Gomorra. Ja si na paralajmëroi ai 5 vite më parë.)