Pak muaj pasi qeveria Rama kishte ndaluar importin e të gjitha mbetjeve, një dokumentar i Journeyman.tv tregonte me fakte, me zë e figurë, se mbetjetjet në Shqipëri vazhdonin të futeshin, madje edhe ato të rrezikshmet. Dokumentari rreth 29 minuta titullohej “Vendi i Mbeturinave/ Si po bëhet Shqipëria mali i plehrave europiane”.
Gazetarët raportonin se megjithë ndalimin e importit nga qeveria Rama, ky aktivitet vazhdonte, kryesisht për letrën dhe skrapin. Ata intervistuan edhe kryeministrin Rama, i cili në mënyrë të prerë mohonte importin (shih dokumentarin më poshtë në rubrikën lajme të Lapsi.al, minuta 14:40). Faktet tregonin të kundërtën e asaj që thoshte kryeministri i Shqipërisë në mikrofonin e gazetarëve të huaj. Shqipëria, – thuhet në këtë dokumentar, – vazhdon të jetë e kërcënuar nga një katastrofë ekologjike dhe e rrezikon të bëhet mali i plehrave europiane.
Sot mazhoranca e drejtuar nga Edi Rama ka dërguar në parlament një ligj të ri për plehrat, jo për të shtërnguar masat për të mos lënë që mbetjet e Europës të hyjnë në Shqipëri, por për ta legalizuar ardhjen e tyre. Një ligj që rrëzon të gjithë betejën që Edi Rama pati bërë kur ishte në opozitë, prej vitit 2010. Ky ligj e bën atë politikanin më të pavërtetë që ka parë Shqipëria.
Për ta provuar këtë vetëm shihni se çfarë ka thënë Edi Rama në parlament kur votohej ligji i tij për të ndaluar importin e plehrave. “Është krejtësisht e qartë. Shqipëria sot dhe nesër nuk mund të importojë plehra nga jashtë. Ka vetëm një arsye, pse mafia i drejtohet vendeve si Shqipëria për të dërguar plehra dhe ka vetëm një arsye pse qeveritë e vendeve si Shqipëria, të dobëta në standarde dhe të pamundura për të kontrolluar ruajtjen e standardeve nëpër kufinjtë e tyre t’i hapin rrugën importit të plehrave. Arsyeja është shumë e thjeshtë: Interesa të jashtëzakonshme financiare që lidhen me fatkeqësinë e kombeve në nevojë në mungesë të qeverive dhe shteteve që u shërbejnë interesave të këtyre kombeve” (video 2, më poshtë).
Sot, më shumë se dje kur importi i plehrave ndalohej, Shqipëria është në rrezik nga plehrat dhe mafia e plehrave që duket se më në fund e gjeti rrugën e duhur për të depërtuar.
Qindra mijëra tonelata plehra të vendeve të ndryshme të botës do të zbarkojnë në një vend, ku ashtu siç thoshte kryeministri Rama në fund të vitit 2013, e ka të pamundur të kontrollojë ruajtjen e standardeve dhe është më shumë se kurrë nën ndikimin e interesave të jashtëzakonshme financiare, që këtë herë lidhen me fatkeqësinë e shqiptarëve.
Këtë fakt e pranon edhe vetë mazhoranca, ndonëse në mënyrën më qesharake të mundshme. Duke vënë në dyshim aftësinë e autoriteteve shqiptare për të kontrolluar mbetjet po ashtu edhe besueshmërinë e Ramës ndaj publikut, LSI propozoi që grupe të shoqërisë civile të kontrollojnë mbetjet ne dogana.
Ky propozim, përveç se i tejkalon kufinjtë e marrëzisë për shkak se është e paimagjinueshme se si dhe me ç’mjete do t’i kontrollojë shoqëria civile qindra mijëra tonelata me plehra që vijnë nga jashtë, vë në lojë sa shqiptarët aq edhe kryeministrin.
Nga njëra anë LSI e nxjerr të pabesueshëm Edi Ramën, nga ana tjetër, duke mos patur më guximin për të dalë hapur kundër tij, u thotë shqiptarëve të dalin nëpër dogana për t’i monitoruar mbetjet.
Po kaq qesharake është mbrojtja që Edi Rama po i bën këtij vendimi. Ai nxorri Eduard Shalsin për ta përdorur edhe njëherë në një betejë me moral të humbur. Sepse Shalsi i tij nuk dha dot një arsye mbrëmë në emisionin Opinion se përse Shqipëria kishte nevojë të importonte mbetje.
Por ashtu si 3 vjet më parë, që subkoshienca i nxorri shprehjen “nuk do të vjedhim kaq hapur si këta”, ashtu edhe mbrëmë Shalsi e tha një gjysmë të vërtetë të arsyes së ndryshimit të ligjit. Ai përmendi një marrëveshje mes Erion Veliajt dhe bashkisë së Veronës për të përpunuar mbetjet.
Ai foli për një biznes, i cili vetëm pak javë më parë nxorri në dritë një skandal të Veliajt, që i kishte dhënë leje një kompanie private që ndërtonte impiantin e saj në mes të landfillit të Sharrës. Kompania ishte e kreut të PS –së së Peqinit, Edurim Teqes, i shpallur në kërkim pas vdekjes së 17 –vjeçarit Ardit Gjoklaj, teksa punonte natën “në të zezë” në landfillin e Bashkisë së Tiranës.
Investimi personal i Veliajt në industrinë e riciklimit të mbetjeve nga njëra anë dhe ai Ramës nga ana tjetër flasin qartë për arsyen përse Edi Rama po e lejon importin e mbetjeve.
Ka vetëm një arsye për këtë. Arsyeja është shumë e thjeshtë, siç shprehej dikur Rama: Interesa të jashtëzakonshme financiare që lidhen me fatkeqësinë e kombeve në nevojë në mungesë të qeverive dhe shteteve që u shërbejnë interesave të këtyre kombeve.
Në këtë rast pyetja është: interesave të kujt po u shërben Edi Rama?/Lapsi.al