Nga Artur Zheji
Mediat qeveritare dhe specialistët e sharjeve të Opozitës, mbas “fitores” së Aleancës së ripërtëritur Rama-Meta, kanë marr hov dhe sulen për të dëmtuar me çdo mjet dhe metaforë, figurën e Lulëzim Bashës.
E paraqesin të brishtë, të paqendrueshme, problematike, të frikësuar, të pasigurtë, mendjelehtë dhe plot të tjera si këto. Përshkrimi është i ngjashëm, me atë që bëhej për Ramën në vitin 2005, kur erdhi në krye të PS, ku dhe ai shprehte pasiguritë e veta fillestare.
Lulëzim Basha, në mënyrën se si vepron, apo në mënyrën se si nuk vepron, padyshim që mund të ketë mospërputhje me përfytyrimin kolektiv, që lidershipet partiake kanë krijuar në vite. Nuk shtrëngon dhëmbët, nuk ka vështrim të egër dhe nuk kërcënon në mënyrë të personalizuar, kundërshtarët e tij politikë.
Përfytyrimi kolektiv do të donte një “egërsirë” që kundërshkëmben me egërsi, sulmet e ashpra të Ramës dhe ambicies së tij për të paktën 3 mandate qeverisëse.
Kush nuk e di, duhet ta dijë se pikësynimi i kryeministrit aktual, është për të paktën 3 mandate qeverisëse njeri pas tjetrit.
Bumi i korrjeve kombëtare të Cannabisit të ktij viti do të jetë spektakolar dhe do të fusë shumë para të thata në qarkullim. Prania e organizatave mafioze italiane është bërë shumë e dukshme. Ata po blejnë fillimisht struktura turistike, që shërbejnë si pikëmbështetje, për të zhvilluar tregëtinë me shumicë të bimës së mrekullueshme.
Pra do të ketë “punë” dhe para në qarkullim. Nga ana tjetër Vettingu kështu si po bëhet në terren, do të sjellë një rritje shumë të madhe të pushtetit të Ramës në gjygjësor, që sjell për pasojë pushtet dhe trembje, për miqtë dhe armiqtë njëkohësisht.
Pra, kryeministri po realizon trekëndëshin e pushtetit të pakufishëm: Para, pushtet politik dhe Pushtet gjygjsor.
Dhe në të njejtën kohë, ka siguruar mjeshtërisht, ai e di se si, një mbështetje besnike ndërkombëtare të rangjeve të larta.
Duket se ndërkombëtarët shohin, dëgjojnë dhe besojnë vetëm versionin zyrtar të fakteve, ndërsa çdo gjë tjetër e klasifikojnë si të pabesueshme, të sajuar dhe të pafaktueshme.
Në këtë sfond zymtak, detyra e Opozitës, ajo që kemi dhe ashtu si e kemi, është sot, më e vështira, por edhe më e rëndësishmja. Lulëzim Basha, do të vazhdojë të jetë njeriu më i sulmuar dhe më i vizatuar keq, nga kundërshtari i vet politik.
Porse Lulëzim Basha, është sot për sot, njeriu i vetëm, që mund ti sjellë dhe duhet ti sjellë, pengesa reale diktaturës së kadifenjtë që po afrohet me shpejtësi dhe në verbëri të plotë të shumicës së blerë të mediave shqiptare.
Dikujt Basha mund të mos i duket frymëzues aq sa do të donte. Dikujt tjetër do ti pëlqente më muskuloz dhe më pak dandy, më të shkurtër, më të gjerë apo më të gjatë.
Po të duan le ta pikturojnë një të tillë, por Basha sot është politikani anti-diktaturë, që kush nuk e do diktaturën duhet ta mbështesë!
Jo për kolltukun e nesërm kryeministror të Lulit, por për mbipushtetin e një personi të vetëm, që nuk sjell dot kështu asgjë të mirë për Shqipërinë./360grade.al