Home KRYESORE “Pista e Ishmit si Kryevepër inxhinierike e Qeverisë”,

“Pista e Ishmit si Kryevepër inxhinierike e Qeverisë”,

NGA AGRON GJEKMARKAJ

Me lajmet që vijnë nga toka jemi mësuar, sado të këqija e trazovaçe të jenë. Përshtypja mbi to është kalimtare. Ndërsa ato që bien nga qielli na bëjnë më kuriozë. Kudo dëgjon psherëtima “ra dhe një tjetër”. Qielli mbetet më mistik, shumëkush e konsideron atë si strehë të Perëndisë! Ai gjithsesi gjykohet si më i frikshëm, ka epërsinë e lartësisë dhe pafundësisë. Tani nuk janë të paktë ata që mendojnë se edhe qoftëlargu në hava fle.

Qielli shqiptar është bërë vërtet befasues si pronë e gjithkujt. Prej tij nuk të mbron më çadra, as guna. Thjesht nuk duhet të qëllosh në vendin dhe kohën e gabuar. Nuk është produkt fantazish letrare të thuash që të bie avioni kokës. Realiteti e ka tejkaluar letërsinë. Dikur ajo (letërsia) i paraprinte shkencës. Pas përrallave arabe me qilim fluturues fshihej ideja e një mjeti, i cili, pas disa shekujsh, do të materializohej tek aeroplani. Pas “Njëzet mijë lega nën Det” të Zhyl Vernit u panë fillimet e anijeve nënujore apo nëndetëseve e plot të tjera!

Kohë kur libri tejkalonte me kut të madh çdo gjë. Mendimtarë vetmitarë projektonin realitetet e së nesërmes në letër. Kohë të bukura magjepsjeje! Ndërsa sot realiteti ua përqesh shpejtësinë e ideve shkrimtarëve dhe letrën e bën shuk duke e gjuajtur vrik e në kosh! Sot Shqipëria ka nevojë për shkrimtarë të realizmit socialist si interpretues të realitetit. Ismail Kadare në një tregim të vetin na rrëfen për një bashkëqytetas të tijin, një soj i Leonardo Da Vinçit, gjirokastrit që rropatej për të ndërtuar një aeroplan druri.

Aura që mbështjell tregimin është magjike. Një kombinim mes marrëzisë dhe shkrepjes gjeniale, një kërkim fantastik si thyerje e monotonisë që mpin trurin njerëzor në një provincë shqiptare mbipopulluar me delirantë! Sado që shfaqemi pesimistë për misionin e fjalës dhe fuqinë e shkrimit, përsëri kemi të drejtë të shpresojmë se Dino Çiços, nëse koha do t’i falte jetë, i zhveshur nga letërsia e Kadaresë ai mund t’i fitonte disa sfida duke i dhuruar krenari kombit në këto ditë të vështira. Do të kishte emigruar në Itali dhe do projektonte fluturuasa! Nëse ky personazh sot do të ishte gjallë, sigurisht do të konkurronte çdo mekanik të aeronautikës italiane.

Siguria se do t’i shtrëngonte më mirë rrotat se ata, nuk meriton dyshim. Me sa shohim, problemi më i madh i avionëve të vegjël që prodhon vendi fqinj janë rrotat. Ato thyhen, i ha dreqi shpejt, nuk durojnë ngarkesa të mëdha. I bezdis fërkimi me pistat e reja të bëra enkas për ta. Ndoshta qeveria shqiptare është në kohën e duhur për të bërë një notë proteste pranë këtyre industrive, se po na gjykon keq bota.

Nëse rrotat do të ishin më të vidhosura, Kryeministri ynë do ishte më pak i trazuar, ministri i Brendshëm nuk do merrte flakë si kashta, Opozita më e tërhequr do shfaqej në do punë, policia më pak e stresuar tek ruan të mbjellat, tek arreston të sëmurët me zemër që vdesin në burg pa ilaçe, dhe media më pak e surprizuar. Të gjithë ne nuk do të kuturisnim në hamendësime kaq të mbrapshta. Por jo, ato dreq rrotash, ata palo aeroplanë, ata xhins pilotësh po prishin gjithçka, vetë imazhin e ngritur me mundim e “punë” të “Rilindjes”, duke bërë kaçamak elikzirin e saj.

Është mall bio i yni e jo gjepura. Mbi të nuk rëndojnë hilet hormonale të supersticideve, ndaj peshon. Ata janë avionë që meritojnë të quhen piskuriqer se nuk e mbajnë dot bereqetin tonë të bollshëm, lëndën kryesore që prodhon ekonomia jonë, hashashin ngjyrë bukur e erë mirë mëkuar me krenarinë e këtyre maleve të thepisura arbërore. Ngrihen lugetërit, rrotullohen si të ndërkryer e fap rrotës, bash atëherë kur duket se punë e mbaruar, hesap i qëruar materializohet, i bie damllaja dhe planden për tokë me furi me kuç e me maç si sharabajka duke meritur të madh e të vogël! Aq sa gratë e zemëruara i nëmin burrat e kuqalosur nga pija “të raftë aeroplani kokës”!, “të marrtë e mos të sjelltë më balona e drogës” dhe fëmijët delenxhinj që nuk duan të flenë “gjumë more kodosh se të shtyp rrota e avionit po nuk i mbylle sytë”!

Sa të qetë do të ishim të gjithë nëse ato do të funksiononin mirë! Nëse do të hapeshin e mbylleshin me hazerllek ato qafire gomash! Nëse nuk do të linin gjurmë e zhurmë nga pas! Nëse nuk do të mbesnin si zogj nder leqe, problemi nuk do të ekzistonte. Akuzat do të ngjanin si shaka, akuzuesit do merrnin damkën e qorrit se nuk dinë të dallojnë mushkonjat nga avionët etj., etj! Historia analizon faktin e nuk merret me nëse. Me të drejtë Kryeministri ynë i dhënë qamet pas fjalëve të urta na kujton shpesh se nëse halla do kishte k…, do thirrej dajë.

Në këtë rast “halla” ka rrota të prishura që nuk mbajnë e kështu motra e babës ngjan si “dajë” mbështjellë me kostumin e narkotrafikantit! Koha e reflektimit ia ka mbërritur. Fjalët e tepërta i merr era. Duhet të jemi tolerantë. Ne çdo ditë mburremi me tolerancën fetare, ndaj për një çast le t’i shohim gjërat ndryshe e jo një e dy o burra mbi ministra e mbi shefin e tyre. Na vret Zoti me gjithë këtë yrrnek që kemi marrë! Nuk është faji i Qeverisë që mbarshton hashashin se një hajer do ta bëjë edhe ajo, por i atyre palo mekanikëve italianë që nuk dinë t’i japin gomarit ujë. Ilaçe e bëfshin rrogën, se nuk dinë të vënë një burmë.

Mos e gëzofshin rrogën e trembëdhjetë, se nuk ia thonë as sa të vënë ca graso në guzhineta. Dava pepinosh teveqelë hesapi! Nuk duhet të jemi mazokistë dhe të vetë- fajësohemi. Aspak, faji rri gjetkë. Madje, kjo qeveri e akuzuar pa mëshirë për mungesë veprash urbane e inxhinierike ia doli t’ua ngjeshë të gjithë kritikëve të saj. Ndoshta thjesht i hoqën mundësinë e surprizës që kishte përgatitur për ne. Mbase vetë me një fjalim inaugurues Edi Rama me një pankartë nga pas se “Shqipëria po rilind”, do t’ia thekte shiritit duke e prerë faqe njerëzisë. Rastësia nganjëherë ka bukurinë e vet.

Edhe Qeverisë i trokiti fati, ia mbërriti gëzimi te pragu, i rilindi nafaka fukarallëk janë fjalët e gjata! Ajo (qeveria) sot me krenari ua plas në fytyrë nepsqarëve dhe nihilstëve kryeveprën e vet inxhinierike. Një gines europian. Ajo është pista e Ishmit. E bukur, e gjatë, e hijshme, e pazakontë, një kombinim i estetikes me dobinë, kursimit me prakticitetin!

Kemi folur për digat mbi Drin, por ato janë pesë me hiç nga pikëpamja teknike, e sidomos nga origjinaliteti përballë atij tapeti natyror, asaj piste mbresëlënëse që të vjen ta lëpish, të bërë buzë ujit pa bujë e zhurmë, pa rrahagjoksi, vepër të cilën nuk e bënë dot as Skënderbeu, as Rrapo Hekali, as Ismail Qemali, as Princ Vidi, as Haxhi Baba, as Ahmet Zogu, as taliani me nemçen, as Enver Hoxha, as Fatos Nano e as Sali Berisha! Të gjithëve u mat bërrylin Edi Rama. Ajo u bë në kohën e tij dhe është Kryevepra e tij, është halla me k…! Ministri i Turizmit, mos e gëzofsh postin, nëse nuk e fut në guidat turistike!/panorama.al

Share: