Nga Artur Nura
Një ditë stresuese, nga ato të përhershmet, ndërsa po e ndihmoja tim atë afër të 80-va të lahej, u bëra nervoz me ngadalësinë e tij dhe fillova t’i bërtas! I kërkoja që të kishte më shumë vëmendje dhe, po me nervozizëm fillova me lëvizje të shpejta ta ndihmoja duke shtyrë duart e tij të avashta! Nga nxitimi, nuk e kisha vënë re që uji ishte më i nxehte se nevojitej dhe ai nuk po fliste vetëm i nënshtrohej ngutjes sime!
– Bir…, unë nuk do të bëhem më kurrë si ty! Por ti…, sigurisht një ditë do bëhesh, siç jam unë sot! ”“ më tha pasi mbaruam dhe sigurisht me zë të avashtë siç ishin edhe lëvizjet e moshës së tij.
Nervozizmit tim, ai ju kundërvu me qetësi e mençuri dhe duke mos u ankuar! Për fat të keq, atë ditë unë nuk e dija se ato fjalë do ishin një leksion i papërsëritshëm i jetës të cilin ndoshta do ta kujtoj deri në ditët e fundit…
Sot besoj se për të gjithë është e qartë se ajo që thuhet rëndom: pleqtë janë si fëmijët është krejt e saktë, por dua të shtoj se përgjithësisht nuk flitet shumë për faktin se njeriu nuk reagon ndaj pleqërisë më të njëjtin durim, ndjeshmëri dhe respekt siç vepron ndaj fëmijëve!
Ne i durojmë shpesh fëmijët tanë ndërsa bërtasin e përplasin këmbët që t’u plotësohen tekat e moshës, por nuk kemi të njëjtin durim dhe përkujdesje ndaj pleqërisë së prindërve tanë, kur edhe ata tentojnë të plotësojnë ndonjë tek të moshës së tyre!
Pse jo, kur për të na bërë sfidë, kërkojnë të imitojnë fëmijët tanë! Harrojmë të kujtojmë se dikur edhe ata kanë qenë si ne! Se edhe ata janë kujdesur për ne, fëmijët e tyre, ashtu siç bëjmë ne për tanët! Për një gjë tillë kujtohemi vetëm kur vihemi në moshën e tyre. Kjo, në shumicën e rasteve, ndodh kur ata nuk janë më dhe na kanë lënë vendin e tyre në familje dhe kujtime të pashlyeshme!
Fëmijët tanë me ne…
Kjo, sipas meje, ndodh për shkak të natyrës sonë egoiste dhe të papërsosur! Ne e kuptojmë si duhet këtë raport të vështirë prind ”“ fëmijë – nipër, vetëm atëherë kur na bie radha të jemi në vendin e atij që e pëson e vuan! Ose, në më të mirën e rasteve, kur është afër momenteve të ngjashme!
Ne nuk shohim dot më shumë se përtej vetes me egoizmin tonë që është i lindur me ne. Besoj se shumë prej nesh mund ta kenë provuar një përvojë të ngjashme dhe besoj apriori se edhe ata/ato kanë menduar dhe justifikuar veten e tyre duke menduar : se të kujdesesh për një fëmijë nuk është njësoj si të kujdesesh për një të vjetër. Se të lash një fëmijë është e mrekullueshme, por nuk mund të thuash të njëjtën gjë, kur të duhet të bësh të njëjtën gjë me prindërit e tu…
Pa dyshim që nga pikëpamja fizike ka një diferencë shumë të madhe midis dy përvojave, por një arsyetim i tillë do ishte krejtësisht i justifikueshëm nëse humanizmi, detyrimi familjar dhe njerëzor do të ishte një profesion i ngjashëm me atë të një punonjësi të shëndetësisë, por jo eksperiencë jetësore brezash!
Po, ndërsa po i shkruaj këto radhë me shpresën se dikush që i lexon edhe mund ta mirëkuptojë këtë histori timen, brenda vetes dyshoj nëse edhe ata si edhe unë, kuptimin e mirëfilltë të saj do ta përvetësojnë me vonesë! Shpresoj që fëmijët e mi ta lexojnë, ta mirëkuptojnë e përjetojnë atëherë kur duhet! Kështu, të gjithë ne, jemi edhe fëmijë edhe prindër në segmente të ndryshme të jetës!
Kjo, edhe pse për fat të keq, në këtë shoqëri konsumi të cilën përcjellim me shumë vrull sot, përsëritja e përvojës sime është shumë e mundshme! Deri sa të vijë ai moment ka dhe shumë rrjedha kohe, por me besim dhe durim pozitiv duhet përpjekur që të gjithë ta kuptojnë se në këtë jetë përgjegjësitë njerëzore shkëmbehen sipas një radhe moshe!