Home I pakategorizuar Pse plehrat ia ulën kokën Edi Ramës ?

Pse plehrat ia ulën kokën Edi Ramës ?

Në këto tre vite, sa herë është akuzuar, qoftë nga gazetërët kritikë, qoftë nga kundërshtarët politikë, se me qeverisjen e tij po ngre një sistem të mirfilltë të grabitjes së shqipëtarëve, Edi Rama e ka pasur gjithnjë të gatshme një përgjigje.

Kur i thonë se po e lëshon qeverisjen në duart e miqve të tij, të cilëve u ka dhënë koncesione maramendëse, ai përmend faktin se shteti nuk ka para ti bëjë të gjitha.

Kur i thonë se po flirton me ish biznesmenët spekulantë të kohës së Berishës, ai justifikohet se nuk e bën me zemër, por ishte e pamundur të mos i zbatonte kontratat tashmë të nënshkruara.

Kur i thonë se po e mbush vendin me hashash si pasojë e një policie bashibozukësh të korruptuar, ai fshihet pas gishtit duke thënë se tani bie më shumë në sy, pasi tani po kapet më shumë.

Megjithëse aspak të besueshme, këto alibi, në të shumtën e rasteve kanë mbajtur gjallë për një kohë të gjatë propogandën e rilindjes dhe përballjen e saj në debatet me kundërshtarët.

Por, sot, ka ndodhur diçka e rrallë.

Në rrejt po përhapet me shpejtësi, një fjalim i kryeministrit të sapoemëruar në parlamentin e Shqipërisë. Një ushtrin i bukur oratorie, i njeriut që me kokën lart, – sapo kish nënshkruar aktin e tij të parë në zyrën e shtetit për ndalimin e importit të plehrave – shpjegonte një gjë të thjeshtë.

Shpjegonte me pak fjalë, se në ç’rast, njerzit mund ta quanin me plot gojën hajdut, vetë atë, Edi Ramën.

Është tejet interesante të rishikohet sot ky fjalim tërë pathos, pjesë nga i cili Lapsi.al po i boton me video (shiko lajmin poshtë).

Aty Rama argumenton se pse në një vend të pafuqishëm dhe pa instrumentet e nevojshme të kontrollit si ky yni, apo në të singjajshëm me të, mafia rreket të eksportojë plehra.

Pasi thekson me plot gojën se as sot dhe as nesër, vieni re me vëmendje, nënvizon “as nesër”, Shqipëria nuk mund të importojë plehëra nga jashtë, ai shpjegon se si do të quhej një politikan që do të tentonte ta bënte këtë.

Për Ramën e tre viteve më parë ai do të ishte një njeri i kapur nga interesat financiare që i diktonte mafia.

Sot deputetët e tij kanë bërë gati të miratojnë në kuvend, pëkërisht ligjin që shefi i tyre abrogoi me pompë tre vite më parë.

Natyrisht për të mbuluar aq sa mundet këtë skandal të madh, ata pretendojnë se janë konsultuar me grupet e interesit, se duan të pengojnë vdekjen e sigurt të kësaj industrie, se kanë parashikuar vetëm importin e mbetjeve të sigurta etj.

Në këtë ballo me maska është futur edhe LSI-a që me sitilin e saj qesharak, sikur flet në emër të publikut, ka shtuar kushtin që ky import të mund të kontrollohet nga shoqëria civile (Imagjinoni, një rrezik të cilin nuk e pengon dot armata e administratës shtetërore, do ta monitorojnë ata pak militante ambientalistë).

Por të gjitha këto argumenta janë vërtetë pallavra.

Mjafton të shikohet fjalimi i Ramës i tre viteve më parë, ku ai flet për pamundësinë e shteteve si ky yni për të përballuar mafian e plehrave për të kuptuar gjithçka.

Rama e thotë troc, pa përdredhje dhe pa alibi të shpikura.

Nëse një qeveri e bën këtë në Shqipëri, ajo është një qeveri hajdute që punon kundër kombit të vet.

Po atëherë, nëse kjo shumicë e kalon këtë ligj në parlament, a kemi të drejtë ta etiketojmë Ramën me fjalët që ai vetë ka zgjedhur për veten?

A nuk është kjo edhe një provë më shumë se edhe për rastet e tjera abusive kur ka mundur të shpikë një alibi, ai është motivuar nga interesa financiare që ia ka imponuar mafia? (Lapsi.al)

Share: