Nga Dr. Enriko Ceko
Prej vitesh, ekzistenca dhe forcimi i lidhjes midis arsimit në përgjithësi dhe ekonomisë, duke u fokusuar kryesisht në rëndësinë e arsimit të lartë për të patur rritje ekonomike dhe zhvillim të qendrueshëm në vazhdimësi, është vënë re në programet zhvilluese të mjaft vendeve që sot janë në krye të ekonomisë botërore si Japonia, Gjermania, Franca, Britania, etj dhe në mjaft vende që cilësohen si vende në zhvillim si Afrika e Jugut, Kina, India, shtuar këtu edhe mjaft vende të pazhvilluara, kryesisht afrikane, që me shpejtësi po shkëputen nga ky grup vendesh.
Koncepti i forcimit të mëtejshëm të lidhjes midis zhvillimit ekonomik dhe cilësisë së arsimit u theksua edhe më shumë në fillim të vitit 2016 në debatet kryesore të Forumit Ekonomik Botëror, (Takimit Vjetor që mbahet në Davos), në të cilin marrin pjesë së bashku me dijetarët më në zë të ditëve tona edhe përfaqësues të niveleve të larta të shumicës së qeverive të vendeve të ndryshme të botës.
Sipas të dhënave të fundit është vënë re se në pothuajse të tëra vendet që kanë nivel të lartë papunësie, ka një diferencë të madhe midis asaj çka studentët (punëmarrësit e ardhshëm) mësojnë në shkollë dhe asaj çka kërkojnë punëmarësit nga punonjësit e tyre, si në sektorin publik ashtu dhe në atë privat dhe kjo sepse të mësuarit me mënyra tradicionale dështon që të pajisë punëmarrësit e ardhshëm me njohuritë e së nesërmes dhe kjo vërehet më së shumti në edukimin profesional dhe të specializuar të mesëm dhe të lartë.
Dhe kjo gjendje ecën së bashku me borxhin e lartë publik, deficitin e lartë buxhetor, inflacionin e pa kontrolluar apo të kontrolluar me vështirësi, etj. Zyrtarisht, niveli i papunësisë në Shqipëri është rreth 15 – 16% dhe papunësia midis të rinjve është rreth 34 – 35% dhe kjo grupmoshë e ka shumë të vështirë të gjëjë punë nëse nuk arrin të fitojë aftësi të reja që nuk i merr në shkollë dhe pa investim të përshtatshëm në trainime dhe në riaftësim profesional, shtuar këtu edhe aspekte të tjera problematike të kushteve të bërjes së biznesit në Shqipëri.
Por, duhet theksuar se, edhe në Shqipëri, ka mjaft punëdhënës që deklarojnë se e kanë të vështirë që të gjejnë punonjësin e përshtatshëm për këtë apo atë vend pune dhe kjo sepse ka një diferencë shumë të madhe midis aftësive që kërkohen nga punëdhënësit dhe aftësive që kanë punëmarrësit. Kjo mund të rrgullohet duke bërë të mundur që kandidatët e sotëm për punë të kenë aftësi kooperuese, aftësi për të komunikuar dhe aftësi për të zgjidhur problemet, aftësi që mund dhe duhet të zhvillohen nëpërmjet asaj që quhet të mësuarit social dhe emocional (social and emotional learning – SEL), që duke u kombinuar me aftësitë e tjera bën të mundur që studentët e sotëm të jenë të suksesëshëm në ekonominë dixhitale që është në zhvillim të mëtejshëm dhe të vazhdueshëm.
Punëdhënësit e sotëm kërkojnë që punëmarrësit të kenë tre lloj aftësish: aftësi bazë, aftësi kompetencash dhe aftësi karakteri. Aftësitë bazë duhen për të zgjidhur problemet që dalin përpara në operimet e punës së përditëshme, aftësitë e kompetencave duhen për t’u përballur me ndryshimet e vazhdueshme të mjedisit politik, ekonomik, social dhe kulturor dhe aftësitë e karakterit duhen për të arritur ndërthurjen e punonjësve me mjedisin në ndryshim.
Ndër aftësitë bazë renditen pasja e njohurive të mira sociale dhe kulturore, njohuri në matematikë, aftësi kompiuterike, njohuri financiare dhe manaxheriale, etj. Ndër aftësitë e kompetencave renditen aftësitë për të menduar në mënyrë kritike, aftësitë në zgjidhjen e problemeve, krijueshmëria, komunikimi, etj. Ndër aftësitë e karakterit renditen kurioziteti, iniciativa, durueshmëria, adaptimi, lidershipi, arsyetimi mbi bazën e shqetësimeve sociale, kulturore dhe mjedisore, etj.
Sa më lart është vënë re se studentët që gjenden dhe studiojnë në një mjedis ku mbizotëron të mësuarit social dhe emocional, kanë arritur që të kenë rezultate rreth 11% më të larta në shkollë se sa studentët që mësojnë në mënyrë tradicionale dhe kjo sepse të mësuarit social dhe emocional i drejton kandidatët e ardhshëm për punë drejt përfitimeve afatgjata, duke sjellë një nivel më të lartë punësimi dhe plotësim edukativ, duke i pajisur ata edhe me aftësi lidershipi dhe dëshirë për të patur kuriozitet, që janë shumë të rëndësishme që studentët të mësojnë edhe më shumë në lidhje me punët e tyre të mundëshme, që do bëjnë në të ardhmen.
Nga përgjigjet që kanë dhënë pothuajse 200 manaxherë të kompanive të ndryshme që operojnë në vende të ndryshme të botës në një pyetësor për aftësitë që këta manaxherë kërkojnë që punëmarrësit të kenë, del se këto aftësi me të cilat duhet të jenë të pajisur studentët e pesë viteve të ardhëshme (pra, bëhet fjalë për vitin 2020), janë:
zgjidhja e problemeve komplekse dhe kontrolli i cilësisë, të menduarit kritik, krijueshmëria, manaxhimi i njerëzve, koordinimi me të tjerët, inteligjienca emocionale, të gjykuarit dhe marrja e vendimeve, orientimi nga shërbimet, aftësitë negociuese dhe fleksibiliteti në njohuri, kur ndër aftësitë që kërkonin këta manaxherë deri në vitin 2015 nuk renditeshin aftësi të tilla si koordinimi me të tjerët, inteligjienca emocionale dhe fleksibiliteti në njohuri, ndërsa zgjidhja e problemeve dhe kontrolli i cilësisë, të menduarit kritik dhe krijueshmëria nuk ishin në krye të listës, por diku nga fundi i 10 aftësive kryesore që kërkoheshin për një punëmarrës të edukuar dhe të aftë për të përballuar ndryshimin dhe zhvillimin.
Pra, me këtë ndryshim pothuajse të menjëhershëm të aftësive që kërkohen në tregun global të punës përpara sistemit të edukimit të vendit tonë del një detyrë shumë e madhe për t’u përshtatur me zhvillimet bashkëkohore dhe për të ofruar shërbim cilësor edukimi si në sektorin publik ashtu dhe në atë privat të arsimit të lartë, pa lënë pas dore edhe nivelet e tjera të arsimit, që furnizojnë me studentë shkollat e larta publike dhe private në Shqipëri, sepse vetëm pas pesë vitesh nga sot, në tregun ndërkombëtar të punës, 1/3 e aftësive që sot konsiderohen si të rëndësishme, do të ndryshojnë dhe, nga ana tjetër, deri në vitin 2020, Revolucioni i Katërt Industrial do sjellë së bashku robotikën e avancuar, inteligjiencën artificiale, makinat që mësojnë, materiale të avancuara, bioteknologji, metoda te reja transporti, etj, etj, të cilat, pa njohuri dhe pa aftësi bazë, aftësi kompetencash dhe aftësi karakteri do jetë shumë e vështirë që të përballohen dhe, nëse nuk përballemi me këto, do e kemi shumë vështirë që të jemi konkurrues në një treg përherë e më tepër global.
Këto zhvillime do të ndryshojë shpejt mënyrën tonë të jetesës dhe mënyrën tonë të të mësuarit. Disa lloje punësh do zhduken, disa të tjera do jenë më pak të kërkuara dhe disa lloje të reja punësh, që sot ndoshta nuk ekzistojnë, do të fillojnë të bëhen edhe më shumë të kërkuara nga ana e sektorit publik dhe atij privat. Është mjaft e dukshme se forcave të punës të së ardhmes do t’ju duhet që të jenë të kompletuara sa më shumë të jetë e mundur për të qenë konkurruese në një treg global në zgjerim.
Ndër sektorët dhe industritë që do ndryshojnë shumë në të ardhmen e afërt janë media, turizmi, shërbimet financiare dhe investimet, gjenetika, sektori i shëndetësisë, bujqësia dhe ushqimi, sektori i veshjeve, teknologjia e informacionit, etj dhe së bashku me to edhe inteligjienca artificiale, printimi 3D, materialet e avancuara, e të tjera si këto tre të fundit, që, edhe pse janë në fazat e hershme të zhvillimit, shumë shpejt do bëhen pjesë e jetës tonë të përditëshme.
Ndryshimi nuk pret për ata që nuk duan të ecin shpejt dhe kjo kërkon që drejtuesit e sektorit publik dhe privat, edukatorët, qeveritarët, etj, të jenë proaktivë në aspektet e qasjes bashkëkohore dhe moderne të zhvillimeve politike, ekonomike, sociale dhe kulturore në mënyrë që të përfitojmë sa më shumë nga e ardhmja e afërt, për të qenë sa më shumë konkurrues si individë dhe si komb në një treg përherë e më të ashpër global në prag të Revolucionit të Katërt Industrial, sepse roli i qenieve njerëzore në realizimin e produkteve dhe shërbimeve pritet të jetë në një zhvillim edhe më të madh, por kjo kërkon potenciale për njohuri të reja dhe jo siç është vepruar deri më sot kur janë bërë përpjekje në vazhdimësi thjesht për ruajtjen e raportit punë / kapital, pa i vënë theksin zhvillimit dhe të të mësuarit përgjatë gjithë jetës të burimeve njerëzore.
Në ditët tona dhe në vazhdim, shkurtimi i vendeve të punës sjell vështirësi në përzgjedhjen e njerëzve më të aftë për kryerjen e punëve dhe kjo e shtyn konkurrencën për vende punë që të kërkohen punëmarrës që kanë talente për punë dhe kjo përforcohet edhe më shumë në ato lloj punësh që kërkojnë talente që lidhen me informatikën, matematikën, inxhineritë, etj. Çdo sektor kërkon burime të sigurta punonjësish që të jenë të pajisur me aftësitë që duhen në Shekullin XXI. Edhe në punët që do kërkohen më pak do jetë e vështirë për të gjetur punonjësin e përshtatshëm sepse specializimi do rritet dhe kjo sjell vështirësi në rekrutimin e njerëzve me nivel pothuajse të njëjtë edukimi.
Për këto arsye dhe me modelet e biznesit në ndryshim, është e nevojshme që subjektet e arsimit të mesëm dhe të lartë publik dhe privat në Shqipëri të synojnë ofrimin e edukimit, trainimeve dhe kualifikimit përgjatë tërë jetës të forcave të punës dhe pajisjen e tyre me njohuri të reja, kompletuar me aftësi të forta emocionale dhe sociale. Në fakt edhe në ditët tona, studentët që sapo mbarojnë studimet e kanë shumë të vështirë të gjejnë punë. Nën këto kushte, çelësi për rritje ekonomike dhe zhvillim të qendrueshëm mbetet investimi te talenti, njohuritë dhe aftësitë e burimeve njerëzore dhe inovimi në fushën e edukimit në të tëra nivelet e padyshim edhe në arsimin e lartë, dhe, kjo, mesa duket përbën në fakt një çështje kritike për interesat tona të përbashkëta publike në aspektin kombëtar dhe interesat tona private në aspektin individual.