Rasti i çështjes gjyqësore që ka të bëjë me publikimin e përgjimit, ku oficeri i policisë gjyqësore, Fatos Lushi merrte 18 mijë euro ryshfet për llogari të prokurorit të Prokurorisë së Tiranës, Ardian Braho, bën fjalë për bllokimin e një shumë prej 176 mijë euro.
Këto para i përkasin, Gani Manollarit, ku dy llogari bankare me nga 15 500 euro dhe 10 500 euro ishin personale, kurse 150 mijë euro të tjera ishin transferuar në llogarinë e tij nga “Allium Investments Ltd”, përmes një banke në Monako në korrik të vitit 2014.
Kjo shumë kaloi në llogari të Manollarit si marrëveshje për ndërtimin e një kapanoni në Itali me vlerë 1.2 milionë euro.
Prokuroria e Tiranës hapi procedim penal pasi shumë e transferuar për llogarit të Manollarit nuk ishte e justifikuar si dhe nuk ishte shpjeguar shkaku dhe qëllimi i transaksionit.
Në fund Gjykata e Tiranës ka vendosur për bllokimin e llogarisë prej 150 mijë euro dhe zbllokimin e dy llogarive personale me vlerë 26 mijë euro.
Prokuroria, Ardian Braho ka deklaruar gjatë seancës se Manellari nuk ka procedim penal dhe për këtë arsye kërkohet bllokimi i transfertës së dyshimte dhe jo i llogarive të tij personale./Opinion.al