Tenderi i gati një viti më parë, por edhe cilësia e uniformave të reja të Policisë së Shtetit është kthyer në objekt hetimi në Prokurorinë e Tiranës, për dyshimet e pabarazisë në tendera dhe shpërdorim detyre. Hetimet janë regjistruar pas qëndrimit të opozitës muaj më parë, por edhe publikimeve në media.
Sipas prokurorëve të njësisë task forcë, komisioni i vlerësimit të ofertave pranë Ministrisë së Brendshme ka çelur dy herë procedurat për tenderimin, së pari në nëntor 2015 dhe më pas në dhjetor 2015.
Pas paraqitjes së katër ofertuesve “Gjergjefi”, “DSE and Alfredo Grassi” dhe “Paera” është shpallur fitues i tenderit me vlerë 1 miliard lekë bashkimi i operatorëve shqiptaro-turk “Yakupoglu Tekstil dhe Marsi Al”.
Kompania rezulton si ofertuese për prodhimin e gati 28 mijë copë uniformave të policisë. Por ndërsa shpallja e tenderit “për uniformat e shërbimeve të veçanta të policisë” është njoftuar më herët nga Agjencia e Prokurimit Publik, sipas prokurorisë, dyshimet hidhen për cilësinë e uniformave.
Nga verifikimet paraprake dyshohet se këto uniforma nuk janë prodhuar në Turqi pasi nuk disponohen ende fatura doganore për hyrjen e këtij prodhimi në vendin tonë, çka hedh dyshime që të jenë dizanjuar dhe prodhuar në Shqipëri.