Gjykata e Tiranës ka lënë të lirë dy mjekët e maternitetit “Koço Gliozheni”, Elidon Kristo dhe Dritan Deçka. Për ta është dhënë masa “detyrim paraqitje”.
Ajo që ra në sy ishte paraqitja e tyre në seancë me uniformën e mjekut. Ata akuzohen për mjekim të pakujdesshëm në rastin e 35-vjecares Aida Çajka që humbi jetën në muajin e 9-të të shtatzënisë, si dhe foshnjën e saj.
Në dosjen e prokurorëve thuhet se mjekët kanë gabuar në mjekimin e nënës që ishte paraqitur në gjendje të rëndë në maternitet. Sipas akuzës pacientja nuk është trajtuar në maternitet, por është lëvizur në tre spitale të ndryshme në gjendje të rëndë.