Home KRYESORE Zbulohet një punishte me 300 kg drogë pranë vendit ku ra avioni...

Zbulohet një punishte me 300 kg drogë pranë vendit ku ra avioni në Ishëm

Sekuestrohen 300 kg kanabis në një banesë në Ishëm të Durrësit, e cila ishte përshtatur për tharjen dhe magazinimin e drogës. Burime nga policia bëjnë me dije për “BalkanWeb” se është shpallur në kërkim pronari i banesës me inicialet B.A në fshatin Rrotull, ndërsa ka nisur procedimi për një tjetër, 32-vjeçarin me inicialet A.Ll., banues në Hamallaj.

Mësohet se banesa është shumë pranë vendit ku u ul avioni i pilotit italian Guido Guidit, i cili dyshohet për trafik ndërkombëtar droge. Magazina ishte përshtatur në një banesë në fshatin Rrotull, i cili ndodhet rreth 50 minuta larg fshatit Gotull, ku një javë më parë u ul avioni tip “Piper”.

32-vjeçari është kapur me një mjet furgon me targa AA 039 BK, në fshatin Rrotull, me 13 punëtorë, të cilët punonin në pastrimin dhe tharjen e bimëve narkotike në banesën e shtetasit B.A. Ndërkohë në cilësinë e provave materiale u sekuestruan rreth 300 kg Cannabis Sattiva, mjeti tip furgon në pronësi të njërit prej punëtorëve dhe një mjet tip Peugeot në pronësi të shtetasit A.Ll.

Nuk dihet ende nëse magazina e gjetur në Ishëm është pjesë e rrjetit të transportit ndërkombëtar të drogës, dhe nëse ka lidhje me avionin tip “Piper”, që u ul në Ishëm. Kujtojmë se në dëshminë e tij të parë para policisë, piloti pati deklaruar se kishte fluturuar në zonë për testuar pistën në fshatin Gotull, pasi prej andej do të transportonte 200 kilogramë kanabis drejt Italisë, por nuk është qartësuar se cili ishte burimi i drogës që do të trafikonte Guidi.

Share: