KRUJË, Shqipëri – Shqipëria e vogël malore ka qenë për dekada vendi më i izoluar i Evropës, por tani, 26 vjet pas rrëzimit të komunizmit ajo po del në pah me shenjën e padëshiruar dalluese si prodhuese kryesore e marijuanës për kontinentin.
Në malet veri-qendrore të Krujës, Iliri është një prej shumë fermerëve të varfër të Shqipërisë i cili i është kushtuar rritjes së bimës së paligjshme. “Unë nuk po bëj ndonjë krim, është dëshpërimi që më shtyu të kultivoj Kanabis” thotë ai. “Unë mezi mbijetoj” shton 50-vjeçari, duke u përpjekur të justifikojë arsyen e vendimmarrjes së tij pas kthimit si emigrant nga Greqia, i detyruar nga kriza e ekonomike atje.
Në tregun fitimprurës evropian paratë nga marijuana janë joshëse. Dy kilogram farë shiten për 600 euro (670 dollarë amerikanë) – sa çmimi i rreth një ton grurë.
Shqipëria është bërë edhe një rrugë kryesore tranziti për kokainën e Amerikës së Jugut si dhe heroinës afgane me destinacion Evropën, duke ia shtuar qeverisë në Tiranë (e cila dëshiron të hyjë në Bashkimin Evropian) presionin ndërkombëtar për të gjurmuar dhe shkatërruar fusha me kanabis që si pika mbushin fshatrat e thella të vendit.
E vendosur në bregdetin e Adriatikut, Shqipëria ka kushte ideale klimatike dhe gjeografike për tregtinë e kontrabandës. Terreni shkëmbor ku rritet kanabis për Policinë është i vështirë për të ndërhyrë. Dhe bregdeti shqiptar më pak se 100km (60 milje) larg nga Italia është portë për pjesën tjetër të Evropës Perëndimore. Bandat kriminale kontrollojnë biznesin i cili (siç mendon dhe një diplomat i huaj Perëndimor) është i mbushur me “dëshpërimin e fermerëve”.
Iliri mbolli bimën e tij të parë më pak se një vit më parë rrëzë një përroi në një copë toke shkëmbore prapa shtëpisë së tij. Është e vështirë të bjerë në sy, edhe nga helikopterët italianë të policisë ushtarake që monitorojnë zonën në përpjekjen për të ndihmuar autoritetet shqiptare që të godasin kultivuesit.
NJË TËRHEQJE E NXITUAR
“Që nga janari, Policia ka kryer më shumë se 1,250 operacione … (dhe) ka shkatërruar më shumë se 2.3 milion bimë Kanabis”, thotë Altin Qato, kreu i Sigurisë Publike. Më shumë se 250 persona janë arrestuar ndërsa rreth 100 të tjerë janë shpallur në kërkim. Rreth 8.900 oficerë policie janë mobilizuar dhe më shumë se 9 ton Kanabis është konfiskuar. Të gjendur përballë këtyre aksioneve, kultivuesit e marijuanës tërhiqen në zona ku aksesi është i vështirë” shton Qato.
Ata gjithashtu po mbjellin gjithnjë e më shumë një varietet holandez të modifikuar gjenetikisht me një cikël të shkurtër lulëzimi i cili jep disa të korra. Me të rënë në gjurmë të parcelave, Policët duhet të ecin për orë të tëra nëpër terren të mprehtë për t’i arritur. Për të arritur objektivin shpesh ata udhëhiqen nga shenja në terren si vijëzimi i tubave.
Në një fushë pranë Krujës ka pasur shenja të një tërheqje të nxituar të një bime që rritet: një shishe me ujë, disa bukë dhe pak djathë. Kjo tokë “në letra nuk i përket askujt”, tha për AFP kreu i një ekipi policor prej 10 personash. “Ata do mblidhen, do të djegin bimët, dhe një hetim do të përcaktojë autorët”, tha ai në kushte anonimiteti.
“NUK MUNGOJNË BLERËSIT”
Ndërkohë Xhaferri, babai 82-vjeçar i Ilirit, thotë se kultivuesit e marijuanës “ua shesin të korrat kujtdo që dëshiron të blejë, dhe blerësit nuk mungojnë”. Ai thotë se të korrat e tij të ardhshme do jenë pas dy javësh – nëse nuk ndërhyn Policia më parë.
Gjithsesi, trafikantët e drogës fitimet nga narkotrafiku i kanë shumëfish më të larta se 2.000-5.000 lekë (15-35 euro) që fitojnë çdo ditë kultivuesit. I shitur për 200-300 euro kilogrami në Shqipëri, kanabisi arrin 10-fishin e çmimit në Greqi e Itali.
Në vitin 2014, Policia Shqiptare nisi një spastrim në qytetin jugor të Lazaratit, njohur si “mbretëria e kanabisit”. Sipas një raporti italian, çdo vit aty prodhohej 900 ton kanabis me një vlerë tregu prej 4.5 miliardë euro – që është një e treta e GDP të Shqipërisë.
Tregtia gjithashtu përfshin policë të korruptuar. Rreth 20 janë akuzuar deri më tani dhe politikanët në të gjithë spektrin e akuzojnë njëri-tjetrin për lidhje me trafikantët. Krahu i djathtë fajëson qeverinë e tanishme Socialiste se e ka kthyer Shqipërinë në “Kolumbinë e Evropës.” Kryeministri Edi Rama përgënjeshtron duke thënë se kur e Djathta ishte në pushtet ajo kurrë nuk trajtoi problemin në Lazarat.
Ambasadori i SHBA në Shqipëri Donald Lu, tha kohët e fundit se “ka politikanë të cilët kanë përfituar nga lidhjet e tyre me trafikantët e drogës. Ne e dimë se ka disa anëtarë të Parlamentit, kryetarë të komunave në Shqipëri dhe persona që kanë kandiduar për kryetarë komune, të cilët ishin dënuar për trafik droge në vendet anëtare të BE”, tha ai. Por Lu gjithashtu përgëzoi përpjekjet për të vënë gjërat në vijë ndërsa shenjat e ndryshimit janë të dukshme. Në raportin vjetor të saj publikuar në muajin qershor, Agjencia Italiane e luftës kundër drogës raportoi një rënie të kanabisit të sekuestruar. “Ne jemi të vendosur ta heqim Shqipërinë nga harta ku listohen drogat e trafikuara në Europë” tha për AFP Zv.ministri i Punëve të Brendshme Stefan Çipa/AFP.