Home KRYESORE AKIP i kërkon presidentit Nishani të kthejë në Kuvend ligjin e importit...

AKIP i kërkon presidentit Nishani të kthejë në Kuvend ligjin e importit të plehrave

Një grup aktivistësh të Aleancës Kundër Importit të Plehrave (AKIP) dhe aktivistë të grupimeve të tjera qytetare zhvilluan një takim informues me Presidentin e Republikës z. Bujar Nishani në lidhje me ligjin 92/2016 “Për Disa Shtesa dhe Ndryshime në Ligjin 10 463 Për Menaxhimin e Integruar të Mbetjeve”. Aktivistët i prezantuan Presidentit argumentet ligjore, ekonomike dhe mjedisore kundër ligjit, përfshirë faktin se ligji në fjalë është miratuar në Kuvendin e Shqipërisë pa u paraprirë nga analiza serioze dhe të pavarura për nevojën dhe pasojat që mund të ketë ky ligj si dhe pa ndjekur procedurat e rregullta të njoftimit dhe konsultimit publik në shkelje të ligjeve përkatëse.

Aktivistja Kozara Kati iu drejtua Presidentit Nishani:

“Ju drejtohemi ju pasi jemi në një hall të madh, prej vitit 2004 AKIP ka sprapsur disa tentativa për hapjen e rrugës për importin e mbetjeve. Ligji [për menaxhimin e mbetjeve urbane] ka synim të mbrojë jetën dhe shëndetin e qytetarëve, por ka nene që lejojnë importimin e mbetjeve.

Është kauzë jo vetëm në interes të grupimeve që përfaqësojmë ne, por e të gjithë qytetarëve, për brezat e ardhshëm, që të mos lejojmë mbetjet e ardhura nga jashtë. Ju kërkojmë që me përgjegjësi të shihni mundësinë e mosdekretimit të ligjit”, shtoi ajo.

Aktivisti Lavdosh Ferruni tha: “Ky ligj është në funksion të menaxhimit të mbetjeve. Parimi kryesor i tij është pastrimi i Shqipërisë. Ndryshimet e importit të mbetjeve e hedhin poshtë këtë parim sepse importi është me rrezik për mjedisin dhe shëndetin e shqiptarëve.”

Aktivistja Brizida Gjikondi dënoi gjithashtu mungesën e transperencës në rrugën e miratimit të ligjit duke thënë se janë shkelur procedurat e konsultimit të grupeve të interesit dhe të ekspertëve.

“Ligji Për Menaxhimin e Integruar të Mbetjeve ka funksion bazë pastrimin e Shqipërisë, por nga kjo qasje ambjentaliste ka humbur funksionin duke u bërë një ligj me qasje biznesi”, tha Gjikondi.

Aktivisti Andi Tepelena theksoi faktin se megjithëse ligji për menaxhimin e integruar të mbetjeve është në fuqi që nga viti 2011, ai mbetet i pazbatuar: “Bashkitë kishin detyrim të menaxhonin mbetjet e territorit të tyre deri në vitin 2016, por ato nuk kanë ndërtuar infrastrukturën e duhur. Shifrat janë të ndryshme në vend. Bashkitë kanë dështuar të mbledhin dhe riciklojnë mbetjet e tyre urbane,” tha ai.

Aktivisti Aldo Merkoci vuri theksin te fakti se “kjo është një betejë e cila po vazhdon prej 12 vitesh tashmë, duke treguar një konsistencë e cila ka qendruar e tillë perballë 3 qeverive të ndryshme. Një konsistencë dhe një vullnet i tillë i shprehur në mënyrë të drejtperdrejte i qytetarëve duhet vlerësuar dhe jo anashkaluar nga politika,” tha ai.

Share: