Home KRYESORE Çfarë përfaqëson të tatuarit, veçanërisht, për politikanët?

Çfarë përfaqëson të tatuarit, veçanërisht, për politikanët?

Nga Kasem Seferi

Ka më shumë se një arsye përse çdo qytetar duhet të njohë, ose të ketë dijeni në lidhje me politikën e të tatuarit (pra, hartimin e ligjeve tatimorë dhe, veçanërisht, administrimin e tyre). Në një shoqëri moderne, arti i komunikimit është një prej dukurive të njohjes së mënyrës së të tatuarit të asaj shoqërie. Dhe, cilado qoftë arsyeja, të qenit ose punëmarrës në sektorin publik, ose në shërbimet financiare, ose në kontabilitet, ose në tregti, etj, kërkesat për njohjen e një politike të të tatuarit, tregon se angazhimi në njohjen e të tatuarit, përmirëson qartësinë e mendimit dhe lejon rritjen e aftësisë për të analizuar dhe artikuluar mendime komplekse si dhe për të intensifikuar fuqinë e të arsyetuarit.

Deri tani shumë pak politikanë shqiptarë janë përpjekur të njohin teoritë e të tatuarit, sepse po ta bënin një gjë të tillë do të kishin parë se çfarë ndikimi kanë pasur ato në ekonominë e vendit dhe se si njohuritë e fituara nga të njohurit e teorive të tatuarit bëhen një influencë e fuqishme në biznes, pa harruar faktin se problemet private për arsye të njohurive mbi të tatuarit janë baza e suksesit në çdo biznes. Tek e fundit të ardhurat e shtetit vijnë nga burime private; pra, qeveria, kryesisht, i nxjerr të ardhurat nga qytetarët me anë të tatuarit.

Parimet që konsiderohen si pika fillestare të një finance publike të shëndoshë janë:

(1) parimi i aftësisë ose barazisë: që njerëzit duhet të paguajnë për qeverinë një shumë të barabartë, pra, duhet të paguajnë tatime në përpjestim me të ardhurat e tyre;

(2) parimi i sigurisë: që nënkupton se duhet të ketë siguri në lidhje me shumën e cila i kërkohet tatimpaguesit të paguajë gjatë vitit financiar, me qëllim që të jetë i qartë dhe i sigurtë rreth shumës së tatimit dhe kohës së pagesës së tij, që të mund t’i rregullojë të ardhurat e tij përsa i përket shpenzimeve të tij;

(3) parimi i përshtashmërisë: që nënkupton se tatimi duhet të vendoset në kohë dhe në atë mënyrë që të jetë më e përshtatshmja për tatimpaguesin për ta paguar atë;

(4) parimi i ekonomisë: që nënkupton se shpenzimet për mbledhjen e tatimeve nuk duhet të jenë të tepruara; ato duhet të mbahen sa më të vogla që të jetë e mundur, të qendrueshme përsa i përket efiçensës së administratës tatimore.

Me kalimin e kohës janë formuluar edhe katër parime të tjera të tatuarit që renditen si vijon:

(1) parimi i produktivitetit: që tregon se një sistem i caktuar tatimor duhet të prodhojë të ardhura të mjaftueshme për qeverinë;

(2) parimi i elasticitetit: që deklaron se sistemi tatimor duhet të jetë qartësisht elastik me qëllim që në çdo kohë që qeveria ka nevojë për më shumë fonde, ajo duhet të rrisë burimet e saj financiare pa pasur ndonjë kosto shtesë për mbledhjen;

(3) parimi i thjeshtësisë: që nënkupton se sistemi tatimor duhet të jetë paanësisht i thjeshtë, i kuptueshëm dhe i qartë për tatimpaguesin, sepse kur komplikohet bëhet i vështirë për t’u kuptuar dhe të çon në shtypje dhe korrupsion;

(4) parimi i diversitetit: që thotë se sistemi i të tatuarit duhet të përfshijë një numër shumë të madh të tatimeve të cilët të jenë ekonomikë.

Veç kësaj, rëndësi ka barazia dhe drejtësia: pra, tatimpagues që me vendndodhje të njëjtë duhen tatuar në mënyrë të njëjtë; siguria: rregullat tatimorë duhen specifikuar qartë kur duhet të paguhet tatimi, si duhet të paguhet dhe cila është shuma që duhet të paguhet; koha e përshtatshme për pagesë: një tatim duhet të jetë i përshtatshëm në kohë ose në mënyrën që ka më shumë të ngjarë të jetë i përshtatshëm për tatimpaguesin; ekonomia e mbledhjes: kostot për të mbledhur tatimet duhet të mbahen në minimum si për qeverinë ashtu edhe për tatimpaguesit; thjeshtësia: ligji tatimor duhet të jetë i thjeshtë kësisoj që tatimpaguesit të kuptojnë rregullat dhe të mund t’i zbatojnë ato me saktësi dhe me kosto efiçente; neutraliteti: efekti i ligjit tatimor mbi vendimin e tatimpaguesve përsa i përket kryerjes së një ndërveprimi tragtar të veçantë ose nëse angazhohen në një ndërveprim tregtar duhet të mbahet në minimum; rritja ekonomike dhe efiçenca: sistemi tatimor nuk duhet të pengojë ose të zvogëlojë kapacitetin prodhues të ekonomisë; transparenca dhe paanshmëria:

Tatimpaguesit duhet të jenë të informuar se ekziston një tatim, si dhe kur vendoset ky tatim mbi ata dhe mbi të tjerët; boshllëku tatimor minimum: tatimi duhet të strukturohet në mënyrë të tillë që të minimizojë mospërmbushjen e kërkesave të legjislacionit tatimor; të ardhura të përshtatshme për qeverinë: sistemi tatimor duhet të krijojë kushte që qeveria të jetë në gjendje të përcaktojë se kur dhe sa shumë të ardhura ka të ngjarë se do të mblidhen.

Kësisoj, është më e lehtë të përmblidhen tiparet/karakteristikat e një sistemi të mirë tatimor, të cilat, shkurtimisht, renditen si vijon: një sistem i mirë tatimor duhet të çojë në shpërndarjen e drejtë dhe të barabartë të pasurisë në komunitet; duhet të kompozohet në mënyrë të tillë që të japë të ardhura të mjaftueshme për qeverinë; kosto e mbledhjes së tatimeve duhet të mos jetë e tepruar; barra e tatimeve duhet të shpërndahet në përpjestim me aftësinë e tatimpaguesit; tatimet duhet të vendosen në një kohë të tillë ose në mënyrën e cila ka më shumë gjasa të jetë e përshtatshme për tatimpaguesin që t’i paguajë ato; duhet të jetë paanësisht elastik; duhet të ketë sigurinë në lidhje me kohën dhe shumën që paguhet për qeverinë; duhet të jetë paanësisht i thjeshtë si dhe i lehtë për t’u administruar.

Sikundër njihet, politika dhe ekonomia janë, thjesht, anët e kundërta të së njëjtës monedhë; shkenca ekonomike e pat origjinën e saj në një periudhë kur shteti ishte i gjithi i plotfuqishëm dhe veprimtaria ekonomike drejtohej në fund të fundit në interes të shtetit. Forma më e hershme dhe mbizotëruese e ndërhyrjes qeveritare në jetën ekonomike të individëve dhe të ndërmarrjeve të biznesit është ajo e të tatuarit, ose e drejta e autoritetit kryesor për të mbledhur tatime dhe politika e përgjithshme e cila përcakton se cili duhet të tatohet, sa duhet të jetë tatimi dhe për çfarë arsyesh duhet të vendoset, ka qenë gjithnjë një çështje e diskutuar. Tatimi nuk është një çështje e thjeshtë, për arsye se ai shoqërohet shpesh me çështje politike që në historinë e njerëzimit kanë çuar në konflikte të ashpër politikë.

Të gjitha kulturat politike janë përzierje jo të lehta të orientimeve dhe ndjenjave individualiste dhe kolektiviste: në kulturat individualiste marrëdhëniet njerëzore qeverisen në mënyrë parësore nga parimet e rrënjosura në pronën private dhe lirinë e kontratës; ndërsa në kulturat kolektive qeverisja rrënjoset në pasurinë e përbashkët ose kolektive. Të tatuarit është një instrument në një formë vazhduese të luftës së kulturës mbi atë se si duhet të themelohen marrëdhëniet njerëzore.

Të tatuarit përfaqëson një tip të “këmbimit të detyruar” për arsye se qeveria nuk kufizohet në mënyrë të pastër te këmbimet vullnetare. Parimi i këmbimit të detyruar e trajton të tatuarit si një mjet të shërbimeve publike të furnizuara nga shteti për qytetarin. Në disa raste këmbimet e detyruara që e bëjnë të mundshëm të tatuarit mund të jenë përfituese për të gjithë, por në raste të tjera, të tatuarit përdoret si një instrument për marrjen dhe shkurtimin e pasurisë.

Shkurtimi i të drejtave të pasurisë nëpërmjet të tatuarit është aftësia e shtetit për të praktikuar diskriminimin tatimor, që mund të shihet nga krahasimi i një shteti që zotëron një pushtet të pakufizuar për të tatuar me një tjetër, pushteti i të cilit për të tatuar kufizohet nga një kërkesë kushtetuese e përgjithshme ose nga mosdiskriminimi në të tatuarit.

Fusha e polemikës politike në lidhje me të tatuarit kufizohet vetëm në përqindjen e saj. Mundësia për të praktikuar diskriminimin e çmimit politik zgjeron shumë fushën e veprimit për korrupsion në politikë. Do të ketë gjithnjë, ashtu siç ka qenë, një treg për legjislacionin tatimor, në lidhje me të cilin grupet e interesit, në mënyrë të veçantë, lobojnë për kushtet tatimorë që dëshirojnë.

Kapaciteti i tatueshëm është ajo shumë maksimum të cilën komuniteti është në gjendje ta mbajë kundrejt shpenzimeve të autoriteteve publike. Aftësia tatimore optimum e një kombi është shuma maksimum e të tatuarit që mund të mblidhet dhe shpenzohet për mirëqenien ekonomike në atë komunitet. Shuma e barrës tatimore të cilën janë gati ta mbajnë qytetarët e një vendi varet nga shpërndarja e pasurisë, madhësia e popullsisë, metoda e të tatuarit, etj, etj.

Madhësia e popullsisë, në qoftë se rritja e të ardhurave kombëtare është më e madhe se sa rritja e popullsisë, të ardhurat për frymë rriten; kapaciteti i tatueshëm i individëve rritet, në qoftë se përqindja e rritjes së popullsisë është më e madhe se sa të ardhurat kombëtare, atëhere kapaciteti i tatueshëm zvogëlohet.

Në qoftë se tatimet ndahen me mençuri, atëhere ato u japin tatimpaguesve më pak zemërim dhe sjellin një rezultat shumë të madh dhe, në qoftë se qytetarët e një vendi kënaqen me qëllimin e të tatuarit (për shembull, rritjen e mirëqenies së njerëzve, atëhere ata tregojnë gadishmëri më të madhe për të paguar tatime për qeverinë, por, po qe se ata shohin se të ardhurat do të shpenzohen për qëllime joproduktive, ata hezitojnë t’i paguajnë tatimet).

Në qoftë se qytetarët kënaqen që qeveria po bën më të mirën e vet për të rritur standartet e jetesës së masave dhe për ruajtjen e prestigjit të vendit, atëhere ata përpiqen të sakrifikojnë paratë e tyre për qeverinë. Kur qytetarët punojnë me entuziazëm, ata marrin paga më të larta nga punëdhënësit e tyre.

Kur një sistem tatimor vendoset në kushtet e një konkurrence të përkryer, ai përhapet në mënyrë automatike në mënyrë të barazpeshuar, ose thithet nga i gjithë komuniteti, gjë që nuk i është kushtuar rëndësi në botën e të tatuarit në realitetin shqiptar. Mjafton të bësh një ballafaqim të të gjithë sa përshkruhet më lart me realitetin shqiptar, veçanërisht, me këtë të tre viteve të fundit, tregon se çfarë politike tatimore ka ndjekur dhe po ndjek qeveria.

Ndoshta ia vlen të kujtohet thënia e ministrit francez Kolber se të tatuarit i ngjan mënyrës që përdoret për të rrjepur një patë që të dëgjohen sa më pak klithma prej saj.

Share: