Home KRYESORE Desada Metaj: Në shtrat me “armikun”

Desada Metaj: Në shtrat me “armikun”

Nga Desada Metaj

E vetmja gjë që do të mbahet mend nga seanca e djeshme e parlamentit, është fotoja e 2 deputetëve të PD me Kryeministrin Edi Rama në kafen e Kuvendit. Kjo, jo për përmbajtjen e saj, por ndoshta për mënyrën se si fotoja u shkrep nga kolegë, deputete të PD-së dhe se si iu servir shtypit me shpejtësi dhe diçiturën përkatëse.

Por le t’i shohim gjërat sipas radhës. E para, Luciano Boçi, një nga deputetët “armiq” që ishte në tavolinë me Edi Ramën, ishte në mos i vetmi, nga më aktivët dje në Parlament për skandalin e regjitrimit të studentëve në universitet shtetërore.

Bashkë me Jozefina Topallin, ishin te vetmit zëra të opozitës që debatuan me minstren dhe Kryeministrin për lënien jashtë të mijëra studentëve me anë të një ligji që favorizoi universitet private. Zërat e tjerë të PD për këtë temë thjesht kishin kopjuar pyetjet që gazetarët kishin bërë këto kohë për ministrinë e Arsimit dhe me gjysëm zëri i lexuan ato me shpresën se kamerat do t’i fiksonin modelin e ri të flokëve.

Së dyti, ajo ç’ka ndodh në kafen e parlamentit është një shfaqje që nuk ka nisur kur Rama u bë kryetar i mazhorancës. Deputetë të opozitës dhe mazhorancës janë ulur edhe më parë, edhe në kohët e përplasjeve të nxehta dhe gati gati të armatosura me njëri tjetrin. Askush nga deputetët e opozitës nuk mund t’i thotë (dhe nuk ka pse) Kryeministrit që vjen të ulet në tryezën e kafesë që “mos u ul”. Edhe pse mund të ketë debatuar ashpër me të disa minuta më parë në Kuvend.

Shqiptarët nuk janë më naivët e 10 viteve më parë kur mendonin se pas debateve të ashpra, politikanët e kaheve të kundërta grindeshin edhe jashtë parlamentit apo emisioneve televizive. Nëse Luciano Boçi është treguar i sjellshëm dhe e ka lejuar Edi Ramën të ulet në tavoliën e tij, Asllan Dogjani nga ana tjetër ka qenë deputet socialist dhe pavarësisht ndarjes, askush nuk mund ta paragjykojë për këtë. Ndoshta dikush tjetër, me qëndrim më të ashpër dhe që i përket “shkollës së vjetër” të opozitës 1997-2005 do kishte qenë më i ashpër,por ky është reagim personal dhe askush mund ta vlerësojë me notë.

Nga ana tjetër,”fotografet” e kafes së kuvendit, që në këtë rast janë deputete të PD apo mazhorancës, të frustruara dhe të kompleksuara nga ajo që të gjithë tashmë e dinë qartë, flirtimi me pushtetin, nxituan ta shpërndanin foton për të treguar se nuk janë vetëm ato që mezi presin që Edi Rama t’u ulet në tavolinë. Që nuk janë vetëm ato që luten që pas tringëllimës së telefonit të shfaqet emri i Kryeministrit dhe që të vijojnë në orët e vona me takime, negociata apo pazare. Ky soj i opozitës mezi pret që të mos ndihet i vetëm dhe i keqpërdorur nga mazhoranca. Dhe për këtë nuk kursehet as të përdoret si paparacë, duke harruar se qan e rënkon kur gazetarët i publikojnë çantat e këpucët. Mesazhet dhe foto që ky soj deputetësh shpërndanë për disa media,është kaq naiv dhe keqdashës sidomos në kohën e teknologjisë kur “printscreen” i spiunlliqeve qarkullon me të njëjtin intesitet,madje një kopje të tij e ka dhe Opinion.al

Dhe së fundmi, PD-ja mund të ketë plot probleme në mënyrën si ka zgjedhur të bëjë opozitë. Sa e flashkët apo pa thelb mund të jetë debati i saj me mazhornacën për çështje madhore kjo sigurisht që mbetet një temë për t’u rrahur e zgjidhur sa më shpejt. Sepse ky vend e ky popull meritojnë një opozitë më vitale dhe të argumentuar. Gjë për të cilën nuk mund të ndihmojnë fotot e bëra vjedhurazi kolegëve të grupit parlamentar, që me gjithë defektet, nuk fshihen pas gishtit kur takohen me kundërshtarin politik dhe nuk presin sigurisht që të ardhmen e tyre politike ta vendosë Edi Rama.

Është e udhës që ata që nuk janë dakort me mënyrën si PD bën opzitë të dalin hapur me platforma personale ku bashkëpunimi me PS të jetë shtyllë kryesore. Kjo do t’i bënte ata më luajalë dhe të besueshëm, edhe pse me afrimin e zgjedhjeve PD-ja duhet të zgjedhë njëherë e mirë nëse do të vijojë flirtimet me Rilindjen apo do të mbajë qëndrim të ashpër dhe të ndahet njëherë e mirë nga pushteti që anatemon gjithë ditën, por që ndonjeherë ndan “shtratin” e natës./Opinion.al

Share: