Home KRYESORE Dëshmia e priftit në gjykatë: Mark Frroku është betuar në kishë për...

Dëshmia e priftit në gjykatë: Mark Frroku është betuar në kishë për t’u shfajësuar ndaj familjes Kurti

Në seancën gjyqësore në ngarkim të ish-deputetit Mark Frroku ka dëshmuar sot prifti Gjovalin Sula, i cili konfirmoi se familja Frroku është betuar në kishë, për tu shfajësuar ndaj familjes së Aleksandër Kurtit, i cili u ekzekutua në shtetin belg.

Mësohet se prifti Sula ka deklaruar përpara trupës gjykuese se këto të dhëna i ka mësuar nga At Mikel Pëllumbaj, përpara të cilit është kryer betimi i familjes Frroku.
Në seancën e sotme mundoi sërish deputeti Tom Doshi, ndërsa gjykata i bëri thirrje Doshit të paraqitet në seancën e ardhshme.

BETIMI EDHE NE VARREZA

Në mars të 2013-ës, kur Mark Frroku shpalli kandidaturën për deputet në Kuvendin e Shqipërisë, nën siglën e kristiandemokratëve, ndjeu më shumë se kurrë nevojën të “shfajësohej” sipas Kanunit për dyshimet që sa vinin e shtoheshin asokohe se kishte vrarë Aleksandër Kurtin në Belgjikë.

Sipas Kanunit, ai vendosi të organizonte një ceremoni, për t’i bërë “be” familjes së viktimës, çka nëse kjo realizohej, atëherë Frroku të paktën moralisht dhe sipas të drejtës zakonore, dilte i “larë” jo vetëm përballë familjes së të ndjerit, por edhe votuesve, të cilëve u kërkoi besim për t’u ngjitur në karrigen e deputetit.

Kështu, ceremonia është organizuar varrezat e vjetra katolike të qytetit të Shkodrës, të quajtura Rrmajet. Në këtë ceremoni ku sipas së drejtës zakonore, kanë qenë të pranishëm edhe dy priftërinj, është mbajtur një akt i shkruar, që tashmë ndodhet në dosjen e pro-kurorisë e do të përdoret si provë fajësie ndaj ish-deputetit Frroku. Zyrtarisht ky i fundit është vënë nën akuzën e vrasjes së Aleksandër Kurtit, në 1999 në një stacion treni në Bruksel. Ja çfarë thuhet në dosjen e prokurorisë lidhur me ceremoninë e organizuar në varreza, ku në fakt nuk ka qenë i pranishëm asnjë prej familjarëve të viktimës.

“Nga hetimet ka rezultuar se në vitin 2013, i pandehuri Mark Frroku, gjatë kohës që kishte shpallur kandidaturën si deputet për Kuvendin e Shqipërisë, ka organizuar në varrezat e vjetra katolike të qytetit të Shkodrës, të quajtura Rrmajet, një ceremoni në formën e bërjes së ‘Be’-së, bazuar në të drejtën zakonore. Në këto varreza është varri i të ndjerit Aleksandër Kurti, për të cilin akuzohet Frroku dhe 3 persona të tjerë”, thuhet në dosjen e prokurorisë. Mandej theksohet se i pandehuri Mark Frroku ka kërkuar që në ceremoninë e “Be”-së” të merrnin pjesë edhe të afërm të viktimës dhe për këtë arsye i ka kërkuar xhaxhait të viktimës që të jetë pjesëmarrës. Por, në këtë ceremoni nuk ka marrë pjesë asnjë nga të afërmit e të ndjerit Aleksandër Kurti.

“Për ceremoninë e bërjes së ‘Be’-së është mbajtur edhe akti i saj, i cili është administruar nga Prokuroria e Përgjithshme në funksion të këtij hetimi. Në këtë ceremoni ka marrë pjesë edhe i pandehuri Kristjan Marinaj, shtetasi Lekë Qafa, që është babai i të dënuarit nga drejtësia belge, Bib Qafa, si bashkëpunëtor në vrasjen e shtetasit Aleksandër Kurti. Ndërkohë, rezulton se në këtë ceremoni nuk ka marrë pjesë shtetasi Aleks Vukaj dhe as familja e tij. Edhe shtetasi Vukaj është dënuar nga drejtësia belge si bashkëpunëtor në të njëjtin krim”, saktësohet në dosjen e organit të akuzës.

MBLEDHJA E BABALLAREVE

Nga deklarimi i shtetasit Nickolas Kurti, vëllai i viktimës, i cili është pyetur nga hetuesit më 7 dhjetor 2000, ka rezultuar se vëllai tjetër i tij, i quajtur George, e ka informuar për “mbledhjen e baballarëve”, të mbajtur në Shqipëri, më 28 mars 1999. Zakoni shqiptar parashikon në rastet e gjakmarrjes se, baballarët e përgjegjësve të këtij krimi paraqiten para familjes së viktimës dhe japin informacionin mbi identitetin e autoreve.

Gjatë kësaj mbledhjeje, baballarët e përgjegjësve japin shpjegime mbi rrethanat e vrasjes dhe e pranojnë ose jo përgjegjësinë e tyre. Kjo mbledhje duhet t’i bëjë të mundur familjes së viktimës, të mund të ushtrojë më pas të drejtën e gjakmarrjes. Në “mbledhjen e baballarëve” të zhvilluar në një fshat të Shkodrës nga ku viktima është me origjinë, kanë qenë prezentë: babai i viktimës; vëllai i viktimës, George Kurti; Preng Frroku, babai i Mark Frrokut, (Besnik Morina); Bibë Djafa, babai i Lek Bib Djafa, Fran Ded Joka, babai i Hilë Joka, (Arjan Bytyçi.

Babai i autorit të katërt, Nikoll Vukol, nuk është paraqitur në mbledhje pasi, djali i tij Alex Vuka (Besnik Vuka) nuk e vlerëson veten përgjegjës për vdekjen e viktimës, duke pretenduar se viktima kishte vdekur para se ai të ndërhynte. Me gjithë mungesën e babait të Alex Vuka (Besnik Vuka), borxhi i gjakut është vënë dhe secila prej katër familjeve duhet që këtej e tutje “të paguante një jetë” që të vendosej sërish paqja. Sipas këtij zakoni, një dënim i rëndë në Belgjikë është i barabartë me një jetë. Mbledhja konfirmoi se arsyeja e vrasjes së Aleksandër Kurtit ka qenë larja e hesapeve në lidhje me shtetasen L.A.

Share: