Home KRYESORE Dita ndërkombëtare e vajzave, mos festo!

Dita ndërkombëtare e vajzave, mos festo!

Nga Hafize ELSHANI
Shënohet dita ndërkombëtare e vajzave. Ndal dhunës dhe përdhunimit të grave e vajzave shqiptare! Të ngujohesh, të vdesësh dhe të humbasësh jetën, të verbohesh apo të mos kesh mundësi të shkollohesh si bashkëmoshatarët e tu, të jetosh në izolim dhe me frikën e panikun ndaj vdekjes, të përjetosh ankth dhe të mos gjendet dikush pranë për të thënë, të hash ushqimin dhe të ndjesh neveri ndaj tij, të luftosh me vehten dhe mundimin, të heqësh “të zitë e ullirit” dhe të jetosh e dërrmuar dhe e brengosur gjithë jetën, të ecësh dhe të bësh të njëjtën rrugë çdo ditë, e cila përfshin aksin “dhomë-kuzhinë-dhomë”, të jetosh ferrin dhe të mos dish të tregosh vuajtjet e mëdha që heq, të fillojnë goja të mbyllet nga halli e mërzia, të qash dhe të fshish lotët nga frika se po të shikon dikush, të gjendesh përballë gacës dhe të përdorësh mashën për orë të tëra, e për një çast të mendosh se e mira është të qëllosh veten me të, të vjen të vjedhtë nga gjithçka, urren çdo gjë e çdokënd, qoftë edhe pa arsye, kjo është jeta jote, nuk e ke zgjedhur ti, por ajo të ka rënë për hise ty!
Ne si femra nuk duhet të festojme sot, ne duhet të ngremë zërin tonë dhe t’i themi jo realitetit që të tjeret po na mbulojne me mjegull. Femra shqiptare duhet të trajtohet pjesë e shoqërisë, përndryshe, të mos ndërtohen shtëpi familjesh, por spitale të neuropsikiatrisë!
Edhe sot, spitalet tona janë të mbushura plotë me vajza të keqtrajtuara, të dhunuara, të vrara në shpirt, mos të harrojme ato vajza që u nisën për në shkollë e në punë e nuk u kthyen kurrë në shtëpi më, a nuk është arsye për të mos festuar?!
Mjerim! Mos festo sot, shumë vajza me kancer kanë nevojë për një dorë ku të mbështeten e të kapen, ne jemi mundësia që ato të jenë të lumtura në këto ditë të vështira që ato po kalojnë: dhuroju dashuri, gëzim sepse ato kanë nevojë për mbështetje jo për festë.
Ki parasysh ato vajza që kanë pamje të dëmtuar dhe dëgjim jo të mirë, pra ato kanë nevojë që sot ne ta ngremë zërin për to, për të drejtat e tyre dhe për barazi në shoqëri, prandaj mos festo, sot e ke rastin për të ndihmuar.
A mendoni ndonjëherë për ato vajza që dheu i mbuloi në rininë me të bukur të tyre e që sot nuk arritën ta shohin ditën e tyre të vajzave, ato nuk kanë nevojë për festë, por për kujtim ndaj tyre dhe lule e lutje. Mos festo!
Kush mendon për ato vajza që janë në burgjet apo kudoqoftë duke u dënuar për shkak se e vrau dikënd se deshi ta përdhunojë apo qëlloi në të për t’u mbrojtur nga ajo kafshë e egër, sot ato kanë nevojë për ta ngritur zërin për to, e kush mund ta ngrejë më mirë se vetë, ne vajzat, mos festo, lufto për drejtësi sepse mundesh!
Për të gjitha ato vajza që janë pa gjymtyre e të lëvizshme për shkak të një aksidenti të mallkuar, sot ato nuk kanë zemër për të festuar në sheshe a kllabe sepse nuk kanë gëzim në zemër por dhimbje, prandaj mos festo, dhuro dashuri për motrën, shoqen tënde! Për të gjitha ato vajza me sindromën down që janë të prekura nga kjo sëmundje, jo sepse deshën ato të ishin por sepse lindën, edhe ato janë femra që kanë nevoje për ne, për ne të gjithë që t’i përkrahim në shkolla në avancim drejt të ardhmes.
Ato vajza që janë me autisëm, ato kanë më së shumti nevojë për ne, sepse ende ka familje që i fshehin dhe nuk i lejojnë të rrinë me të tjerët, për shkak të asaj që është turp, ne duhet të bëhemi bashkë dhe t’i themi stop keti fenomeni tmerrues; ato kanë nevojë për ne, bota e tyre është e kufizuara, ato janë shumë të mira, kanë intelegjencë të përsosur, kanë nevojë për pak shpresë dhe dritë, ato kanë nevojë për siguri, prandaj mos festo sot, shko, shko, shko të lutem, po të lutem shko përqafo fort dhe tregoje që ne jemi për ju, bëhu drita e saj dhe shpresa e saj e vetme.
Të lutem shko!. Për ato vajza që humbën burrin, të dashurin, babain, nënën, vllaun, motrën, vajzën, djalin e tyreë, ato nuk kanë forcë për festë: sot ju lutem, thirri në telefon dhe thuaj që i do shumë, ato kanë nevojë për ngrohtësi jo për festë.
Për ato vajza që kanë vdekur në lindje, që janë sakrifikuar për fëmijën e tyre, ato nuk kanë nevojë për festë sot, ato kanë nevojë që të flas dikush sot për shëndetësinë që shumë vajza përfundojnë në këtë mënyrë, për shkak të paisjeve, mjekëve dhe mos kujdesit të tyre, prandaj nuk ka festë sot!
Gjitha ato vajza që kanë nga dy-tri diploma në xhep që ëndërrojnë për të ardhmen, për një punë që sillen çdo ditë për të kërkuar një punë për mbijeteesë, sot nuk duhet festuar, por të kërkojmë llogari nga shteti. Për të gjithë ato vajza që i ngacmone shefi, bosi apo kush do qoftë vetëm sa për një rrogë ajo duron atë maltrajtim, sepse nuk ka ku të shkojë, nuk ka para as për të paguar qeranë e banesës, sot ato duhet të flasi , mos lejo të lutem këtë, thuaj në fytyrë unë jam femër nuk kam grusht por po kam zemër dhe shpirt, mos lejo të lutem të të poshterojë vetëm pse është shef, boss, mos lejo, mos lejo, sot për ty nuk ka feste por protestë, dil po të përkrah dhe unë e gjithë vajzat, por të lutem dil protesto!
Ju deputetë që jeni aty jo pa arsye, ju lutem sot të pakten ngritni disa çështje që femra shqiptare në Kosovë po ballafaqohet dhe po ka ngecje, për arsimin, për barazi, për të gjitha sot e keni rastin të na përkrahni, ju lutem veç sot mos shkoni në koktej, kemi nevojë për ju.
Mos festo, aman veç sot! Ju femra që për një idot që ka para ku ta di si i ka fituar, ju shkoni bëni ndërhyrje kirurgjike estetike, duke mos patur mundësi t’iu dallojmë nga kukullat ‘Barbie’, i bëni të gjitha këto vetëm se ai tipi nuk të do nëse nuk je e bukur dhe ngjason me Kim Kardashian, po ju lutem që ndërpritni këto metoda; me rëndësi është jeta jote si je, si të do babai, nëna jote, ti nuk ke nevojë të ndryshosh për një idiot që është i etur mbas famës e antivlerave; ke parasysh ti je vajzë dhe t’i mund ta gjesh princin tënd që të do siç je, jo një idiot me para që nuk ta di vlerën tënde.
Prandaj ti nuk ke arsye të festosh me ato para të atij idioti, debili në klube nate e në kafe me shoqëri, ti sot si vajzë ke nevojë për vetëbesim dhe dashuri, andaj merri ato para hidhja në fytyrë dhe ik kthehu tek vetvetja.
Ju vajza që jeni zhgënjyer nga shoqëria, jeni vrarë nga ta shpirtnisht, mos mendoni për ta, sot nuk ke nevojë të festosh, sot tregohu e fortë, tregohu se ata për ty janë lecka të përdorura dhe të hedhura nga ti.
Sot mos festo, sot tregohu që ti je ajo që vendos kush do të rrijë me ty e kush jo. Andaj për të gjithë ju vajza, sot mos të ngrihemi në këmbë për të festuar, sot duhet të ngrihemi në këmbë për të drejtat tona. Për fund shumë përqafime për të gjitha vajzat në botë, mos u dorëzo!…
Share: