Nga Denion Meidani
Ndër çuditë e radhës, madje me një shije tepër të hidhur, ishte dhe etiketimi i fundit as pak i sinqertë apo realist dhe për më tepër bizare për Ramën si një “investim kombëtar”. Në opinionin tim, ashtu si dhe për mjaft të tjerë, ai, më shumë i ngjan një virusi apo një sëmundje kancerogjene, që përhapet me shpejtësi dhe prek e prish çdo qelizë të shëndoshë, që bie në kontakt me të.
Shumë analistë, por dhe vëzhgues të thjeshtë, janë munduar ta etiketojnë apo, më mirë të themi, ta diagnostikojnë të ashtuquajturën “Rilindje” dhe ideatorin e saj Rama. Në fakt, nuk do ishte kurrë më realist sesa sot i gjithë vlerësimi me 360 gradë i evolucionit të plote të këtij sekti që nga gjeneza, brenda PS-së dikurshme në pushtet, në marrjen në dorë të frenave të opozitës se djeshme dhe deri ne ardhjen në pushtet e keqqeverisjen e saj për 3 vjet e kusur.
Një evolucion i tillë si fillim solli si pasojë dëmtimin permanent të demokracisë së brëndshme brenda Partisë Socialiste, të kolegjialitetit e solidaritetit, humanizmit e sakrificës, kritikës dhe autokritikës, apo dhe vlerave të tjera me të cilat krenohej ajo parti në vite. Dhe jo vetëm kaq por dhe i partive të tjera të majta e të qendrës, që arriti të tërheqë e gllabërojë në gravitetin e saj. Duke mos harruar dhe partneritetin e deklaruar me çdo të keqe vetëm për të fituar zgjedhjet e vitit 2013. Pra, me “orientim nga lart”, një grup partish të minimizuara e të “shtypura” dhe me demokraci funksionale të gjymtuar dhe, mbi të gjitha, një mori individësh pa histori përfaqësimi dhe jo pak persona të inkriminuar, u përfshinë në hierarkinë e lartë partiake e shtetërore, duke prodhuar kështu një sistem politik të sëmurë në thelbin e vet. Si rezultat, Rama me armën e Rilindjes, morri si fillim një pushtet ekzekutiv dhe e sulmoi atë me pseudo-reforma dhe me shkarkime pa kriter e punësime të dyshimta që t’i shërbenin atij dhe sektit të tij, pa kurrfarë norme, kriteri e morali.
Dhe e gjitha kjo rezultoi fatale në rimëkëmbjen e ekonomisë, që kishte disa vite në krizë, duke paralizuar pjesën e shëndoshë të saj, veçanërisht biznesin e vogël dhe të mesëm, pa lënë pa viktimizuar edhe biznesin e madh, që nuk kishte pranuar kompromisin dhe nënshtrimin. Goditi sistemin financiar me ngarkesë të rritur të barrës fiskale, ndërkohë që mbledhja e të ardhurave nuk iu përgjigj kësaj rritje të sforcuar, deri duke favorizuar evazionin tek të regjurit me peshë. U rëndua kështu një pjesë e konsiderueshme e sipërmarrjes që të vetmen zgjedhje kishin o të falimentonin, o të korruptonin. Kjo sigurisht i dha një zhvillim të ri korrupsionit kapilar në vend. Por, mbi të gjitha, një thellim dhe zgjerim i tillë goditi rritjen ekonomike, punësimin, zhvillimin e investimet e mëtejshme qofshin ato vendase apo të huaja. Paralizimin e ekonomisë si rrjedhojë e këtyre “luftërave” e pseudoreformave gjatë 3 viteve të para e kompensoi me mbyllje sysh, deri me stimulimin e ekonomisë kriminale, duke inkurajuar hashashizimin tej e përtej. Pra, një ekonomi e helmuar që u bazua në monopole rilindëse, partneritete korruptive, tenderime abuzuese klienteliste, deri me injektime të drejtpërdrejta të parave të drogës. E gjitha kjo ishte dhe pamja tjetër, por dhe pasoja e dytë e evolucionit rilindës!…
Sëmurja e sistemit social në vend u shtri më tej duke goditur administratën publike dhe duke i mbushur radhët e saj me “rilindas” të pamoralshëm e të paaftë, por dhe deri duke detyruar biznese të ndryshme për të mbushur radhët e tyre po me të njëjtin lloj. Nga ana tjetër, kemi sulme serioze për të goditur e infektuar sistemin arsimor në nivele të ndryshme, me të ashtuquajtura reforma gjoja të mirë-menduara. U tentua jo pak për të ushqyer e zhvilluar klientelizmin në institucionet arsimore, madje deri për të garantuar katapultimin dhe mirë-pozicionimin e një pjese të rinisë, sidomos asaj maturante, duke zhvlerësuar tërësisht lëndët me zgjedhje në dije më të thelluara të matematikës, fizikës, kimisë, etj. Nuk e di a u arrit ky qellim i pasinqertë, për të favorizuar të kundërtën, pikërisht për regjistrimin jo patjetër të merituar në vendet e preferuara në universitete publike; më pas, pse jo dhe në administrata të ardhshme. Edhe në pjesën e sistemit social, që i përket shëndetësisë, u inkurajua klientelizmi, veçanërisht në tregun e ilaçeve dhe rimbursimeve, u godit sistemi publik dhe në të njëjtën kohe u inkurajuan partneritete abuziviste jo funksionale me të ardhura publike, përfshirë dhe segmente të caktuara jo publike, duke shkatërruar çdo shprese dhe mbjellë vetëm dëshpërim.
Infektimi deri sëmurja serioze e mjedisit ishte akoma më e lehtë sepse ai po lëngonte prej dekadash, dhe dëmtimi ishte në akumulim të vazhduar. Thjesht u paralizua ligji për mbetjet mjaftueshëm për të lejuar aktorë e marrëveshje të reja, por dhe konvertuar aktorët e vjetër drejt “rilindjes” apo duke pompuar aktorë të rinj. U mirë-mendua një model ekonomik në këtë sektor për të përshtatur interesat e mafies me përfitimet personale të kastës së re dhe u dha drita jeshile. Dhe, ndërkohë, ndotja mbretëron në çdo cep shpie e pallati, në kanale e lumenj, liqene e dete.
Sigurisht, për të arritur në sëmundjen e katër sistemeve kryesore të mësipërme duhet të helmohej e transformohej edhe sistemi i sigurisë dhe i vetë rendit publik. Si pasojë, dhe gjithë inspektoratet e organet e kontrollit në vend, me prekjen apo infektimin prej sëmundjes “rilindase”, atje ku rezistuan u dërrmuan, atje ku pranuan u inkriminuan, ndërkohë që prurje të reja u graduan, u infektuan dhe u përdorën për të goditur çdo qelizë të shëndoshë brenda çdo sistemi, qoftë ai ekonomik, politik, social e me radhë.
Por çfarë është më e rëndësishme, Rama tashmë në rolin e “padrinos” kuptoi që çdo gjë tjetër e virusuar varej nga aksioni i tij dhe ortakëve të tij brenda dhe jashtë vendit, për t’u garantuar dhe pikërisht për të marrë nën kontroll sistemin tonë të dobët dhe të sëmurë të drejtësisë. Ky sistem prezupozohet të bëjë realisht drejtësi, të ofroje barazi dhe trajtim të njëjtë, të mbrojë mjedisin, të ndëshkojë keqbërësit, qofshin ata brenda radhëve të politikës e më gjerë, madje dhe të krijoje e ruajë balancën e pushteteve. Rama dhe rilindësit e tij fillimisht e sulmuan vetë sistemin me shembuj ngacmues për publikun, më tej e goditën atë me deklarata të egra, me presione nga me te ndryshmet, me protesta në dyert e tij dhe në fund me një reforme që nisi si e tillë, pra si një vegël tjetër për të kontrolluar e sëmurë më tej këtë sistem apo pushtet të pavarur, por që nga rezistenca e opozitës dhe vlerësimet këmbëngulëse të Venecias, mori një pamje të pranueshme, të paktën deri tani në letra por jo në ligjet plotësuese.
Por sëmundja nuk harroi aspak median. Ai ka përfituar prej saj, nga interesat konkrete të pronarëve e disa gazetarëve të “blerë”, nga vetë dobësia e saj, në përgjithësi. Pra, ai ka qenë shumë kreativ në infektimin e mëtejshëm të ashtuquajturit pushtetit të katërt. Dhe kjo jo vetëm për median tradicionale (shtypin e shkruar apo median elektronike, radion e televizionin) por dhe median sociale. Me para të taksapaguesve shqiptarë, ai ka ngritur apo influencuar portale, ka punësuar pseudo-gazetarë dhe grupe “rinore”, deri duke përdor emra të caktuar dhe aq më keq kamikazë-gëlbazë mediatikë. Dhe çudia më e madhe është se megjithëse ai e ka krijuar “kazanin” e tij të shpifur mediatik, ai sulmon pa teklif të tjerët që i kundërvihen, si pjesë të “kazanit”!… përflitet, se ai edhe mund te ketë ndikuar dhe në largim pronaresh në favor të atyre që e mbështesin. Dhe nuk duhen harruar këtu dhe kërcënimet, qokat, ofrimet dhe përfitimet, që kanë marrë nga rilindja pronarë mediash të fuqishme, pikërisht për t’u vënë në dispozicion, deri duke shtrembëruar fjalën e lirë sipas dëshirës së udhëheqësit apo, siç do thonin gjermanët në këtë rast, fyrerit.
Pra, këtu kemi rastin tipik ku të gjitha sistemet e pushtetet janë prekur nga sëmundja rilindëse. Këto janë ato sisteme që duhet ta mbajnë demokracinë në rrugën e drejtë, janë ato që kontrollojnë e ekuilibrojnë njëri-tjetrin, që mbrojnë, pra, vetë parimin kushtetues demokratik të “checks and balances”. E thënë thjesht, këto pushtete metaforikisht janë ato sisteme imune, që janë zhvilluar gradualisht në unison, duke riparuar e ndihmuar njëri- tjetrin gjatë këtyre 25 vjetëve të fundit. Ndërkohë Rama dhe të tijtë i kanë infektuar dhe dëmtuar ato, madje duke i përdorur kundër njëri- tjetrit, ndarjes së pushteteve, reduktimit të opozitës, e kështu me radhë. Po të bëhet një krahasim i vërtetë, në variantin aktual qeverisja i ngjason më shumë se një kanceri që thjesht po neutralizon sistemin imunitar, një sëmundje auto-imune që prish, përvetëson e keq-përdor çdo gjë, që nga qelizat e shëndosha, tek organe të plota, deri sa çon më tej vetë mbartësin drejt fundit të paevitueshëm e pa shërim.
Ka shumë mundësi që ai po mendon e përgatitet tashmë se si të arrijë të përdorë më tej këto sisteme të infektuara, të komanduara apo të zotëruara prej tij. Dhe, mbi të gjitha, me anë të 4 pushteteve, për t’u imponuar me një dëm sa më maximal në dy zgjedhje e njëpasnjëshme. Konkretisht, zgjedhjes së presidentit diku në marsin e ardhshëm (sepse sipas Kushtetutës, nenit 88, paragrafit 2/1 (të ndryshuar më 2008) thuhet se “Procedura për zgjedhjen e Presidentit fillon jo më vonë se 60 ditë para mbarimit të mandatit presidencial paraardhës. Kur mandati presidencial përfundon në gjashtë muajt që i paraprijnë fundit të mandatit të Kuvendit ekzistues, procedura për zgjedhjen e Presidentit fillon jo më vonë se 60 ditë para mbarimit të mandatit të Kuvendit”). Dhe, së dyti, zgjedhjet parlamentare të qershorit 2017, për t’i fituar ato me domosdo.
Dhe ky është realisht problemi. Nëse rilindja do të fitojë përsëri, si dhe jo pak gjasa janë, kjo mund të arrihet falë infektimit total në vënd, por dhe apatizmit shoqëror, deri servilizmit intelektual. Gjithashtu, edhe për shkak se vetë aksioni politik i opozitës nuk po arrin të mobilizojë të gjitha resurset e brendshme të saj, dhe, mbi të gjitha, të thithë dhe forca e grupime të tjera pranë saj. Për më tepër, nuk duken akoma shenja të krijimit të një fronti të vetëm të fuqishëm të gjithë aktorëve opozitarë, qofshin ato nga e djathta, qendra, e majta apo dhe brenda shoqërisë civile. Por, dhe sikur Rama të humbasë, sidomos për shkak të kristalizimit të një revolte popullore si në rastin e importit të plehrave, dhe të shfaqur më tej në votë (por jo atë të blerë!), rilindjes do t’i pëlqente, madje dhe mund ta provonte që të deklaronte manipulim zgjedhjesh (si në opozitë), duke krijuar kështu tension, deri kaos e trazira. Por, kjo nuk duhet lejuar, ajo duhet shmangur me domosdo. Për më tepër, për shkak të infektimit të gjithanshëm politiko-institucional, vendi do të kishte vështirësi shumë të mëdha që të arrinte të përballonte përsëri tensione, përplasje e trazira të tilla. Dhe, mbi të gjitha, nga një rotacion i egër, dhe grupimi i ri politik do të rrezikohej nga e njëjta sëmundje. Sepse dhe ai, që do të krijonte qeverinë, për “efekt mbrojtës”, mund të mishëronte apo përforconte të njëjtat gabime. Prandaj, ajo që nevojitet në zgjedhjet e ardhshme, krahas një zgjedhjeje të mençur të kryetarit të shtetit, është një rotacion i qetë i pushtetit politik, me synim kryesor: përmirësimin e jetës së qytetarit dhe të strukturës qeverisëse, dhe sidomos shëndoshjes së demokracisë, vetë kontroll-balancimit të pushteteve, fuqizimit të zërit dhe pjesëmarrjes qytetare.