Nga Albert Vataj
Psikologu i njohur suedez Bo Sjöbe vendos të deshifrojë kuptueshmërinë e një sjellje, e cila është kundër normës qytetare në një marrëdhënie. Ai flet për ata, të cilët e kanë hobi dhe argëtim gënjeshtrën, për ata që e kanë sjellje rrethanore dhe ato që e përdorin si mjet në arritjen e synimeve të tyre. Sipas tij të gjithë njerëzit gënjejnë. Mund të bëhet fjalë që prej gënjeshtrave të vogla, ose “gënjeshtër e bardhë” mbi p.sh. një shfajsim për një ardhje me vonesë e deri tek gënjeshtra të mëdha mbi p.sh. pasjen e një jetë të dyfishtë apo kryerje tradhtie. Por njeriu gënjen edhe kur e mban të fshehtë diçka e nuk e thotë.
Sipas disa studimeve njeriu gënjen nga çdo katër deri në çdo tetë minuta. Rreth 5% e popullsisë janë gënjeshtarë të dhuntuar: Çfarë do të thotë se nuk mund ta kuptosh nëse ata gënjejnë apo jo. Kurse gënjeshtrat e 95% që mbetet mund t´i zbulosh kur ke njohuritë përkatëse. Zotësia për të zbuluar gënjeshtrën qëndron në aftësinë për të lexuar të ashtuquajturën gjuhë trupore. Bo Sjöberg, psikolog dhe përgjegjës i institutit suedez NLP që mëson njerëzit për të lexuar gjuhën e trupit dhe zbuluar gënjeshtrat, thotë se një gënjeshtar është i mëdyshëm. Ajo që ai thotë me gojë nuk përputhet me atë që ai shpreh me trupin e tij.
P.sh. gjestet nuk përputhen me tempon e zërit ose fjalët nuk përputhen me zërin që nxjerr. Edhe shikimi mund ta tradhtojë gënjeshtarin. Nëse shikimi i dikujt është i ngurtë dhe i ngulitur ai mund të jetë duke gënjyer. Përveç të tjerash, një gënjeshtar ngul këmbë në atë që thotë. Zakonisht me gënjeshtër kuptohet ajo që njeriu me vetëdije e fsheh apo e shtrembëron për të bërë dikë të humbasë fillin.
Më së shumti hasen tre grupe të mëdha gënjeshtarësh. Grupi i atyre që të gënjyerin e kanë për dëfrim, të atyre që gënjejnë për të shmangur një konflikt dhe grupi i atyre që duan të fshehin diçka për të cilën u vjen turp ose prej të cilës nuk ndjehen mirë.
Ata që gënjejnë për tu dëfryer shtyhen nga e njëjta gjë që shtyn dikë që ka qejf të hidhet me parashutë. Gënjeshtra kthehet në një mënyrë për të sfiduar fatin dhe krijuar pak variacion në jetë. Gënjeshtra që të gjithë njerëzit i thonë janë p.sh. rasti si ai kur njeriu thotë se gjella është bërë shumë e mirë ndonëse mendon se nuk hahej dot. Apo kur i bën qejfin dikujt duke i thënë p.sh. shoqes se fustani i ri i shkon shumë bukur kur ndërkohë mendon se ajo ngjan sikur ka veshur një thes.
Në këto raste bëhet fjalë për tregim respekti ndaj tjetrit, për t´iu shmangur diçkaje apo për gënjeshtra të nevojshme. Ka edhe njerëz që përpiqen ta zbukurojnë të vërtetën dhe që besojnë me të vërtetë mbi atë që thonë. Këta quhen mytomanë. Ata nuk e përjetojnë si gënjeshtër atë që thonë. Prandaj është e vështirë ta quash mytomanin me plot gojë gënjeshtar . Sjöberg thotë se atyre që kanë poste të larta u duhet gjithnjë të ballafaqohen me fakte kundërshtuese prandaj duhet të mësojnë të gënjejnë në mënyrë më të përsosur duke thënë gjysëm të vërteta dhe fjalë të dykuptimta.
Kështu mund të kuptoni që dikush gënjen:
Atij i del një zë jo i zakonshëm, bën shumë pak gjeste, shikimin e ka të ngujuar ndryshe nga zakonisht.
Nuk din si të vazhdojë më tutje, përsërit fjalët e thëna, merr frymë thellë pa pasur arsye përse. Flet shumë shpejt ose shumë ngadalë.
Shikimin e ka të ngurtësuar, ngulit shikimin në sytë e tu.
Thotë gjëra të gabuara, ndryshon përnjëherë temë.
Brenda një të njëzete të sekondës shfaq një ndjenjë tjetër nga ajo që ai don që ti të shohësh.
Frymëmarrja është e një ritmi të shpejtuar
I djersijnë duart dhe fytyra i merr një trajtë të shtuar ngjyre ku dallon një kuqe e lehtë, tek disa të tjerë një skuqje, kjo sepse ai/ajo, pavarësisht rrethanave në të cilat ndodhet dhe kërkon te gënjeshtra ndihmë, sërish e ndjen brenda vetes peshëm e fajit
Por ka nga ata ustallarë, të cilët nuk kanë shumë shenja identifikuese, kjo sepse për ta gënjeshtra është një zeje, por gjithsesi, tek vështrimi që gjithnjë i shkëputet përballjes sy më sy, ata dorëzohen, gjestet gjithashtu. Kryesisht kanë sjellje jo të zakonshme, kruajnë kokën, diçka kërkojnë nëpër xhepa dhe rreken të jenë argumentues me gjysma fjalësh.