Home KRYESORE Ilir Meta vë në dyshim votën pro ligjit të plehrave:

Ilir Meta vë në dyshim votën pro ligjit të plehrave:

Kreu i LSI-së Ilir Meta nuk u duk njësoj i bindur për të votuar ligjin e plehrave në parlament, tani që presidenti e ktheu për rivotim. Meta tha se e quan pozitiv reagimin qytetar për çështjet e mjedisit, si shenjë për rritjen e ndjeshmërisë që ka shoqëria shqiptare. Për këtë arsye, kreu i LSI tha se jemi në një situatë, ku po jepen interpretime të ndryshme edhe për direktivat e Bashkimit Europian.

“LSI nuk ka qenë asnjëherë për një zgjidhje oportuniste, por gjithnjë ka qenë për një zgjidhje parimore. Prandaj ka këmbëngulur në një dialog të thelluar dhe në këtë situatë duhet një ekspertizë e thelluar nga Bashkimi Europian” u shpreh Meta.

“Shoqërimi i zbatimit të ligjit me një dyshim të përhershëm nuk është pozitiv për një shoqëri. Nuk jam naiv që të besoj se do të kemi gjithnjë consensus, por besoj se sikurse drejtësia i takon të gjithëve edhe çështja e mjedisit, i takon jo vetëm shqiptarëve që jetojnë sot, por edhe atyre që do jetojnë nesër. Prandaj këmbëngul për një dialog shterues, një ekspertizë shteruese që japin të dhëna për të mos u kthyer më pas” u shpreh kreu i LSI.

Në vitet e fundit lSI ka votuar verbërisht për çështjen e mjedisit, sipas projektligjit që ka propozuar edhe PD, edhe PS. Në vitin 2011 votoi pro importit të plehrave. Në vitin 2013 votoi kundër, ndërsa disa javë më parë ishte sërish pro./Lapsi.al

Share: