Home KRYESORE JO ABUZIM ME NDJENJAT ATDHETARE PËR NGJARJE QË ÇOJNË NË THËRRMIMIN KOMBËTAR.

JO ABUZIM ME NDJENJAT ATDHETARE PËR NGJARJE QË ÇOJNË NË THËRRMIMIN KOMBËTAR.

Nga Sulejman Abazi

Opinion është njohur me një ngjarje të pazakontë, nga një shoqatë paralele me qendër në Holandë, e cila nuk e njeh dhe nuk ka bashkëpunim me Shoqatën Atdhetare “Çamëria”, as me subjektin politik përfaqësues, me qendër në Tiranë.

Një ngjarje e pazakontë, që pa bashkëpunimin dhe miratimin e institucioneve përfaqësuese të Çështjes Çame, duke kaluar më tej, me “shpalljen e pavarësisë së Çamërisë”, me zgjedhjen e një “presidenti”, “të një qeverie” dhe me tej akoma, “të forcave ushtarake çame”, që ka vënë në dilemë opinionin.

Sipas një deklarate në internet, mësohet se kjo lëvizje, ka mbështetjen e faktorit ndërkombëtar, duke pretenduar dhe rreshtuar emra të tillë si, “OKB-në, BE-në, Gjykatën e Hagës” etj.

Nëse është kështu sipas drejtuesve të kësaj lëvizje, atëherë le t’i urojmë suksese, por druaj se me këto deklarata dhe me këto “institucione përfaqësuese” deri në krijimin e një “ushtrie”, nuk mund të besojmë se kjo mbështetje është reale!!

Është e pranueshme që sot, askush nuk e gëzon autoritetin e bllokimit të alternativave me zgjidhje pragmatiste, të cilat ngrejnë më lartë rëndësinë dhe vlerat e organizimit të ndërmarrjeve në planin kombëtar, por kur konstatohen veprime dhe qëndrime të pa sinkronizuara me institucionet përfaqësuese dhë në mënyrë të njëanëshme përballemi me ekstremitete, duke shfrytëzuar në mënyrë të padrejtë ndjesinë e fortë kombëtare të opinionit shqiptar, kjo nuk mund të jetë diçka positive.

Për analogji, do t’u kujtoja një qëndrim identik, kur një grup i vogël njerëzish me në krye Nevzat Halilin, “shpallën krijimin e Republikës së Iliridës”, “me president”, me “gardë ushtarake”, dhe sot rezultojnë të shkrirë si kripa në ujë, pa nam e pa nishan. Kepërdorimi i ndjesisë kombëtare në këtë hapësirë të banuar me popullsi shqiptare, nuk funksionoi. Njerëzit e mençur u distancuan nga veprime të tilla që evidencohen si antikombëtare.

Jam i bindur, ashtu sikundër koha më dha të drejtë në denoncimin e “krijimit të Republikës së Iliridës të Nevzat Halilit”, po kështu do të dështojë edhe vendimi i krijimit “të Republikës së Çamërisë të Festim Latos”.

Këto aventura dhe rafishata politike të njerëzve pa integritet, që tentojnë të rehabilitojnë figurën e tyre të kompromentuar duke synuar të tërheqin pas vetes opinionin, duke keqpërdorur parrullat patriotike që burojnë nga aspirata e kombit shqiptar për ribashkim, nuk mund të jenë vepër e patriotizmit të vërtetë shqiptar.

Në fillesat e kësaj lëvizje, mjaftë njerëz publik, veprimtar me aktivitet patriotik janë distancuar, duke arsyetuar dhe kuptuar se, të ndërmarrësh veprime të tilla, rrugët e ndjekura të çojnë në dëme të mëdha në trajtimin e çështjes së popullsisë shqiptare Çame, duke shkaktuar një agresivitet të panevojshëm politik midis palëve, për të cilin politika përfaqësuese shtetërore në Tiranë, kohët e fundit ka ndërmarrë hapa politike dhe diplomatike brenda standardeve të të drejtës ndërkombëtare në ballafaqim me politikën shtetërore greke.

Në këto kushte, veprimtaria patriotike në shërbim të lëvizjes çame nuk e meriton këtë deformim dhe thërrmim të energjive pozitive, në mënyrë që forca e institucioneve të saj drejtuese dhe përfaqësusese, të jetë në çdo kohë më të fuqishme se sa individët që pretendojnë rast pas rasti të vihen në drejtimin e saj.

Kjo mënyrë veprimi e “tipit Lato” nuk do t’u hapë rrugën proceseve të vërteta demokratike brenda lëvizjes çame për zgjidhjen e saj. Ajo është pjesë e mendësive të vjetra, duke i dhënë shkas dhe mundësi diversionit të mundshëm të politikës greke. Ajo është kundër forcimit të besimit në mundësinë e plotësimit të objektivave, për një lëvizje të lirë të çamëve sipas të drejtave njerëzore dhe rikthimin e mundshëm në tokën e të parëve.

Me logjikë të ftohtë, jashtë patriotizmave romantik, emocional, pse jo dhe kundër individëve që pretendojnë të marrin drejtimin e zgjidhjes së kësaj çështje, opinioni i shërndoshë atdhetar shqiptar, duhet të distancohet dhe të mos pranojë opsione dhe qëndrime individuale kundër angazhimit kolektiv dhe institucional, për të mbrojtur me koseguencë parimore kërkesat programore, vepruese, progresiste, me ide dhe vizion të qartë për ardhmërinë e Çështjes Çame brenda lëvizjes kombëtare.

Të alarmohemi ndaj veprimeve të tilla, të cilat me siguri do të denoncohen nga institucionet ndërkombëtare të përmendura “si mbështetëse” të aventurës politike “Qeveria e Çamërisë në Holandë” dhe të jemi përherë të organizuar brenda zgjidhjes perspektive të çështjes shqiptare në Ballkan, rigoroz në deklarata e qëndrime dhe pa të kompromis kundër elementëve antikombëtar, në demaskimin e pandalshëm ndaj tyre, deri tek mjetet e domosdoshme penguese, brenda të drejtave programore që mbart dhe zhvillon në perspektivën e saj Çështja Çame.

Elementët regresivë, qofshin këta individë apo institucione të vetëshpallura, t’i demaskojmë hapur në opinionin kombëtar, duke i dhënë hapësira të gjera mbështetëse alternativave më të mira të bashkimit dhe unitetit kombëtar dhe jo të coptimit dhe thërrmimit.

Organizimin politik dhe kombëtar i popullsisë çame kudo ku ajo jeton e vepron, ta kthejmë në një institucion mbarëkombëtar, si një proces i pandalshëm i rritjes sasiore të veprimtarisë dhe të bashkëpunimit, me synime të qarta drejt rikthimit të kësaj popullsie vitale në lavdinë e etërve të saj të dikurshëm.

Share: