Home KRYESORE Ka profesionistë në TV, por nuk ka punë!

Ka profesionistë në TV, por nuk ka punë!

Nga Lutfi Dervishi

Televizionet informative sot treguan se vendimet për të përcaktuar se cila ngjarje është më e rëndësishme, nuk i marrin profesionistët.  Të gjitha si të komanduara me telekomandë transmetuan live, kryeministrin, ndërkohë që para godinës së kryeministrisë qindra protestues, protestonin kundër ligjit për importin e plehrave/mbeturinave/lëndës së parë/mallit në bursë.

Nuk mund të thuash se në televizione nuk ka profesionistë. Duket se nuk punë për ta. Dhe dita e sotme ishte maja e ajsbergut. Nuk ka gazetar,redaktor e kryeredaktor që të thotë se fjalimi I kryeministrit, për të disatën herë  për “plehrat” është më i rëndësishëm se protesta e parë e shoqërisë civile.

Në një shoqëri të hapur, sot pamë metoda të shoqërisë së mbyllur. Kulmi ishte kur disa stacione për të treguar se janë në një hap me lajmin, ndanë ekranin në dysh dhe transmetonin pa zë protestën dhe në anën tjetjër ligjëronte kryeministri!

Kryeministri nuk është se tha ndonjë gjë të re. Ka një javë që vetë dhe përmes anëtarëve të qeverisë thotë të njëjtën gjë: se kemi patur të drejtë më 2013 dhe kemi të drejtë edhe tani më 2016, se është mafia që nuk është e interesuar për riciklimin, se po vdes një industri që ka hap mijëra vende pune,. Majde nuk tha asgjë të re edhe kur quajti median “kazan”! Ky është lajm I vjetër.  Lajm I ri duket se është sindroma e Stokholmit që ka kapur median. Ka rënë në “dashuri” me dhunuesin. Dhe nuk është fjala për “dhunën” e ushtruar sot. Kjo është pjesa ku mund të buzëqeshësh.

Problemi është më serioz se u bë muaj e vite që kryeministri raporton për vetveten. Nuk ka gazetarë në takime. Kronikat I bën vetë. I dorëzon të gatshme dhe televizionet I transmetojnë pothuaj të gjitha pa përmendur se nuk është punë e gazetarëve.

Është një mikrofon pa sigël që shëtit kudo që është kryeministri dhe në darkë ky mikrofon del si lajm. Lajmi është I njëjtë në të gjithë televizionet. Taman si delet që I qeth një bari. I njëjti tekst, I njëjti sinkron, të njëjtat pamje.

Dhe nuk është vetëm kryeministri. Shikon edicion lajmesh dhe ti shikues pret që në çdo kronikë të lexosh emrin e gazetarit, emrin e operatorit, emrin e montazhierit. Harrojeni. Ka edicione të plota që nuk ka gazetar, nuk ka operator, nuk ka montazhier. Lajmet janë gatuar dhe paketuar jo në studiot e televizioneve. Televizionet janë kthyer në vidioteka ku futet “kaseta” e gatshme.  Dhe gënjejnë ditën me diell dhe natën me hënë kur shkruajnë video: TV!

Në emaile, vijnë tashmë teksti, sinkroni, dhe pamjet. Nuk ka më gazetarë. Gazetarët po lënë  pa punë njerëzit e PR-t.  Prirja për të raportuar për veten tashmë është bërë traditë.

Nëse qeveria dhe politika raportojnë vetveten, atëherë gazetarëve nuk u mbetet gjë tjetër vetëm të japin mend si qeveriset.

Jemi në prag të zgjedhjeve parlamentare.  Nuk ka shanse që fushata të raportohet nga gazetarët. Por të paktën njerëzit duhet ta dinë që kronikat janë prodhim I partive politike.

Një media që pranon që punën e vet ta bëj qeveria dhe politika nuk i shërben askujt.

Po zhduken reporterët dhe duhet pranuar se teknikisht qeveria po I bën më të mira kronikat televizive.  Kur kam parë një kronikë të një reportereje në terren, më mori mallli për të parë kronikën e përgatitur me regji.

Në televizione sot punojnë gazetarë dhe gazetare me përvojë që e dinë shumë mirë çfarë është lajm dhe çfarë është propagandë, çfarë është shërbim I hapur ndaj qeverisë dhe çfarë është shërbim I maskuar. Por tashmë askush nuk mund të bëj strucin duke futur kokën në rërë apo duke u fshehur pas gishtit. Nuk ka njerëz budallenj. Madje është vështirë të gjesh edhe ata që bëjnë rolin e budallait.

Duhet thënë hapur se Qeveria po raporton për veten. Politika po raporton për veten. Media po bën sehir dhe po mashtron veten dhe shikuesit.

Mbreti është lakuriq. Nuk është detyrë e medias të blej rroba dhe të tregoj se Mbreti është lakuriq, por të paktën duhet të thotë: Mbreti është lakuriq!

Ndryshe duhet të pranojmë që në televizione ka profesionistë, por nuk ka punë për to. Punën e tyre po e bën qeveria! Tani të shpresojmë që ndonjë ditë qeveria e cila raporton për veten të pranojë se diku, dikur mund të ketë bërë ndonjë gabim të lehtë! Syri.net

Share: