U zhvillua në Bruksel ceremonia e lançimit të grupit të miqësisë në Parlamentin Evropian (PE), ‘Friends of Albania’, e organizuar nga Zëvendës Presidenti i Parlamentit Evropian, David Sassoli.
Ceremonia u zhvillua në prani të Presidentit të grupit S&D në Parlamentin Evropian, Gianni Pitella, Kryetarit të grupit për Ballkanin Perëndimor në Komitetin për Çështjet e Jashtme në Parlamentin Evropian, Eduard Kukan, si dhe eurodeputetëve të tjerë nga grupe të ndryshme politike të PE-së, të cilët kanë luajtur dhe vijojnë të luajnë një rol të rëndësishëm në integrimin evropian të vendit.
Grupi i Miqësisë ‘Friends of Albania’ do të shërbejë si një urë miqësie ndërmjet Parlamentit Evropian dhe Shqipërisë, më qëllim rritjen e mbështetjes për avancimin e Shqipërisë në procesin e integrimit në BE, duke mundësuar krijimin e lidhjeve më të forta dhe një dialogu konstruktiv brenda Parlamentit Evropian.
Ministri Bushati, në fjalën e tij, duke theksuar rolin e PE-së si një mbështetës aktiv i përpjekjeve transformuese dhe modernizuese të vendit, konfirmoi vendosmërinë e qeverisë shqiptare për të vijuar me reformat shtet-konsoliduese në vend, duke shprehur bindjen se ngritja e këtij grupi në një moment kyç për avancimin e vendit drejt BE-së, do të sjellë energji të reja në reformat që po ndërmerr vendi ynë, si dhe në rrugëtimin tonë evropian.
Europarlamentarët vlerësuan politikën konstruktive të Shqipërisë në rajon, angazhimin e Shqipërisë dhe progresin e qëndrueshëm në zbatimin e pesë prioriteteve kyçe për hapjen e bisedimeve për anëtarësim, duke rikonfirmuar mbështetjen e PE-së për rrugëtimin evropian të Shqipërisë. Ata u ndalën në rezultatet pozitive që kjo praktikë ka prodhuar me vendet e tjera që tashmë janë anëtare të BE-së.
Në fjalën e tij, Ministri Bushati u shpreh se: “Parlamenti Evropian ka qenë gjithnjë një mbështetës aktiv i përpjekjeve tona, dhe ne besojmë në ndihmën tuaj, që Bashkimi Evropian të vijojë të ketë në fokus rajonin tonë. Ne mbështesim një politikë të zgjerimit të drejtë, bazuar në meritat personale, por gjithashtu ka nevojë për një qasje rajonale të balancuar mbi zgjerimin”.