Nga Çapajev Gjokutaj
Si dhe pse ndodhi marrëveshja për shelfin kontinental me Greqinë? Deri tani fliteshin e përfliteshin në publik kryesisht tri versione.
Versioni i parë: Qeveria Berisha bëri një lëshim për t’u siguruar shqiptarëve lëvizjen pa viza në zonën Shengen. Greqia bënte isharete se do të vinte veton. Zgjedhjet e 2009-ës po afronin. Vizat i vinin shumë për hosh qeverisë, shtonin mundësitë për një mandat të dytë.
Versioni i dytë: Qeveria Berisha ia shiti detin grekut. Opozita dhe Rama i dolën zot vatanit, sensibilizuan opinionin, e dërguan çështjen në Kushtetuese dhe deti shpëtoi.
Versioni i tretë: Berisha luajti me zgjuarsi të rrallë. E firmosi marrëveshjen. Pastaj, nga prapaskena dhe në fshehtësi, nxiti urët që opinioni të ngrihej kunder dhe Kushtetuesja ta rrëzonte.
Të enjten që kaloi, nga foltorja e parlamentit, Berisha bëri publik një version të katërt, që deri më sot pëshpëritej vetëm në rrethe të ngushta. Ai akuzoi socialistët se, kur kundershtuan marreveshjen detare, vepruan “në interes të një pale të tretë”.
Sa hap e mbyll sytë shpërtheu entusiazmi në mediat greke. ‘Katherimini’ kujtonte deklaraten e Bakojanis se kundërshtimin e opozitës shqiptare e sponsorizoi Turqia. Kujtonte gjithashtu nje gazetar me emër, që vinte dorën në zjarr se turqit u kishin dhenë ryshfete të majme anëtarëve të Gjykatës Kushtetuese që të rrëzonin marrēveshjen.
Vështirë se do ta marrim vesh si është e vërteta. Të paktën tani për tani. Por duket se sot, më shumë se sa e vërteta, rëndësi ka të dimë: Çfarë e shtyu Berishën të bënte deklaratën e të enjtes?
Ngjan e sigurt se nuk e ka bërë për hir të së vërtetës historike. Duhet të jetë shtyrë nga interesa të ditës. Vështirë të thuash ç’janë këto interesa, por disa versione të shkojnë nëpër mend.
Njeri e lidh këtë deklaratë me zgjedhjet e ardhshme dhe shton se fqinji jugor po shtyn urët për një koalicion PD -LSI, që do të rrëzonte Ramën. Si argument sillen afeksioni i kryesocialistit për Erdoganin dhe ftohtësia në marrëdhëniet me Greqinë.
Të tjerë thonë se deklarata e Berishës synon të shtojë dyshimet dhe pasiguritë mes maxhorancës. Nuk është e rastit që u bë sapo kish përfunduar vizita e Metës në Athinë, vizitë që PDIU e anatemoi si braktisje të çështjes çame.
Hamendje të tjera, me gjasë më pak reale, e shohin deklaratën e Berishës si një lëvizje politike në avancë.
BE-ja mund të mos e japë edhe kësaj radhe statusin e vendit kandidat. Shkak kryesor mund të konsiderohen vonesat e reformës në drejtësi. Në këtë rast faji do binte mbi opozitën.
Justifikimi i këtij dështimi me stërkëmbsha grekë, të shkaktuar nga marrdhëniet e ftohta të qeverisë Rama, do ta zhvendoste goxha gravitetin e fajësisë.
Siç dihet, s’është e lehtë të gjesh të vërtetën në politikë. Nuk e kish keq ai që tha se interesat e politikës dhe këmbët e gjarpërit vështirë të gjenden.