Home KRYESORE Mejdani: Rama si vajza pa burre e Vunoit…

Mejdani: Rama si vajza pa burre e Vunoit…

Nga Denion Mejdani

Po shihja lajmet mbi parlamentin, natyrisht, në ritransmetim sepse është diçka që mund t’ia vlejë vetëm kur ke pak kohë të lirë. Por sot ndjeva një keqardhje në rritje për kryeministrin tonë “iniquitatem aeternum”, që fliste i lodhur e i zhubravitur nga mosha reale, por më shumë nga ajo politike, i munduar nga konsumi i fajit dhe vesit.

Teksa ai iu përmendte kazanët, monopolet, tenderët dhe drogën opozitës e aleateve të tij tashmë në revansh kundër tij, m’u kujtua një histori nga Vunoi që ma ka treguar kur isha i vogël gjyshja ime, që vjen nga ato anë.

Në këtë fshat plot histori e traditë, na ishte një vajzë e re së cilës, si shumë të tjerave në fshat në ato kohë të vështira i ishte larguar burri në emigracion.

Ajo, nga natyra mbase me pak rezistente ndaj ngacmimit mashkullor, disi dhe e përdalë, mbase e diktuar dhe nga fati për të përfaqësuar fajin kolektiv, kishte mbetur gjatë asaj kohe shtatzënë.

Barra e saj po bëhej çdo ditë më e dukshme dhe fshati sapo kishte filluar të gumëzhijë nën thashethemet e provincës, por akoma askush nuk iu kishte dhënë zë haptas dyshimeve të bazuara.

Duke parë rrezikun në rritje, papritur një mëngjes të mallkuar vajza, teksa po bënte ecejaket nëpër fshat për punë të përditshme, filloi të thërriste “kurvë”, duke i bërtitur çdo vajze e gruaje qe i dilte përpara.

Zhurma dhe fjalët mbërritën deri në veshin e mamasë së saj, që ishte tepër e shqetësuar për ënjtjen dhe fryrjen e saj gjithmonë e më pranishme prej ditësh.

Nënoja e mjerë e drithëruar nga çfarë intuita e paralajmëronte, por mendja e refuzonte, e thirri vajzën e përdalë në shtëpi dhe e irrituar i tha: “Po ç’ bën moj kështu se na more erzin!”

Vajza pa ju dridhur qerpikët e gjatë e lozonjarë kroi kokën, që kishte ditë që po e gjakoste me thonj nga stresi dhe iu përgjigj me vrik e fytyrë të shtrembëruar “Sa të ma thonë ua them unë përpara!”

Sigurisht mamaja e zemëruar dhe me shumë nder e namuz nuk ja fali këtë mëkatet vajzës së saj dhe thirri të birin dhe ai po në kurbet. Ky ishte dhe fundi i vajzës. Ajo “nuk pati nga të shkonte” përveçse drejt një fundi të hidhur të denjë për çdo telenovelë turke, meksikane e kolumbiane.

Tani dhe kryeministri ynë artist dhe me gjysmën e gjakut, që i rrjedh në vena, nga Vunoi na përmend nga foltorja publike tenderë, monopole e kazanë, pikërisht kur ka bërë një “show” të shëmtuar si me fondet publike ashtu dhe me plehrat.

Ai, pa iu dridhur qerpiku, teksa kruan kokën, na përmend drogë, të droguar e mafiozë, kur ai është vetë një përdorues i dyshuar i saj; personi që refuzoi shtimin në ligjin e dekriminalizimit të kontrollit për përdorim substancash të tilla apo që mbushi në vetëm tre vjet fusha, kodra e male me plantacione drogash nga më të ndryshmet.

Pra, i “përdali” ynë “përjetësisht fajtor” me barrën e dukshme, që e markon, vepron nën ritmin “sa të më thonë tua them” duke e ditur se fraza që tha dje për gjykatësit në rrjete sociale, në fakt, pasqyronte frikën e tij të brendshme se shumë shpejt “s’do ketë ku të shkojë”…

Share: