Home KRYESORE Migjeni Im!

Migjeni Im!

Nga Kliton Nesturi
Sot Migjeni ka datëlindjen. Njëqind e pesë vjet më parë ai erdhi në jetë si çdo njeri tjetër, i thjeshtë e i zakonshëm, për të ikur në moshën njëzet e shtatë vjeçare si një fenomen letrar që la gjurmët e veta, të cilat nuk mund të zhbëhen kurrë prej letërsisë shqiptare. E gjithë krijimtaria e tij, qëndron sot si një gur kilometrik, si një drejtim që na tregon udhën drejt letërsisë dhe artit të vërtetë.
Dashuria ime për letërsinë e Migjenit ka nisur qysh herët, ende pa e ditur se me të ndanim të njëjtën datë lindjeje, atëherë kur ishta një lexuesi thjeshtë dhe nuk e dija se çfarë profesioni do të zgjidhja në jetë. Qysh atëherë, Migjeni ka qenë shkrimtari im dhe i tillë mbetet edhe sot. Krijimtaria e Migjenit është ura që më shtyu të eksploroj në gegërisht dhe ta dua atë, është shtysa që më bëri të ndjej të afërt dhe të dua Shkodrën dhe shkodranët, pikënisja për të eksploruar në artin e madh të fjalës.
E dua letërsinë e Migjenit për fjalën, për mendimin, shqetësimin, dashurinë dhe revoltën që përçon. Ai është rebel, tipik shkrimtar i vërtetë, shpirtvibrues dhe i pakompromis. Si poezia, ashtu edhe proza e tij, i përkasin një shkalle mjaft të lartë artistike, një letërssie që të godet dhe të bën të mendohesh thellë. Migjeni është një shkrimtar i pakohë, udhëton vazhdimisht duke mbetur përherë aktual.
Ai nuk i imponohet askujt me artin e tij. Migjeni flet thjeshtë dhe pa dashur të ththë mbi vete vëmendjen e të tjerëve tërhiqet në vorbullën e tij.
Migjeni ka mjaft ndjekës dhe adhures, por mbi të gjitha ka shumë studiues dhe shkrimtar që janë marrë me veprën e tij. Natyrisht, një fenomen letrar si ai nuk mund të përjashtohet. Ai do të mbetet gjithnjë në fokus të atyre që e duan dhe jetojnë me letërsinë. Nga i gjithë ky fond kustuar atij, gjithnjë kam nxjerrë si të veçantë veprën “Migjeni”, të profesorit tim të ndjerë Rinush Idrizi. Është analiza më e plotë që është bërë shkruar ndonjëherë për Migjenin, një studim që mbetet gur i rëndësishëm në fushën e studimeve letrare shqiptare.
Por Migjeni nuk ka vetëm simpatizantë dhe adhurues. Nëpër kohë, krijimtaria e tij, herë me dashje e herë jo, është keqinterpretuar, anatemuar, përbuzur, shpërfillur. Dhe kjo sepse kanë hyrë në mes zhvillimet politike, duke pasur si qëllim në të njëjtën kohë edhe tërheqjen e vëmendjes si “faktor të jetës letrare shqiptare”. Veçmas në këtë çerek shekullin e fundit, Migjenin e kanë quajtur “komunist”, “revolucionar”, e plot të tjera. Duke anatemuar Migjenin, është synuar të ngrihet e të vihet në piedestalin e tij Fishta, Koliqi, etj. Por Migjeni është Migjeni dhe ai qëndron në letërsinë shqiptare në vendin e tij, pa dashur që të hedhi hije e të eklipsojë askënd. Ai është fenomeni më tipik i letërsisë moderne shqiptare, asaj letërsie që i kushtohet Njeriut.
Sot Migjeni ka datëlindjen. Ka njëqind e pesë vjet që ka ardhur, po qëndron dhe do të jetojë gjithnjë, ky fenomen letrar i papërsëritshëm.
Share: