Home KRYESORE Mjaft më falsfikimin e historise së kulturës shqiptarë!

Mjaft më falsfikimin e historise së kulturës shqiptarë!

Nga Romeo Gurakuqi

Sulmet e riperteritura ndaj Eterve te Kombit, Elites Intelektuale Tradicionale; perpjekja per te ngurtesuar, amortizuar dhe shkrire pergjithmone nga tekstet shkollore, mesimi i femijeve ne shkolla, i veprave te Shkrimtareve Shqiptare, Letersise, Kultures dhe Kontributeve te Tradites, jane sulme politike, perpjekje qe duhet te ndalen, permes Reagimit dhe Veprimit konkret, Nderhyrjes deklarative per mbajtje qendrimi nga ana e Ministrise se Arsimit dhe Sporteve, Ministrise se Kultures, pse jo edhe te Qeverise Shqiptare.

Nuk kemi te bejme me ceshtje debati shkencor, por nje ceshtje politike, lidhur me sulme qe vijne nga skutat e enverizmit dhe komunizmit, me te cilat nje qeveri e nje vendi anetar te NATO-s, duhet te ndahet. Ka nje interes nacional per mbrojtjen e kultures dhe riintegrimit ne sistemin e dijes se nxenesve dhe studenteve shqiptare, per gjithperfshirjen kulturore dhe mbi te gjitha, njohjen e bazamentit te vertet nga eshte nisur Shkolla shqiptare, dhe Kultura shqiptare, mbrojtja e te drejtave te popullit shqiptare kudo ndodhet.

Nderkohe e njejta thirrje per mbajtje qendrimi i adresohet edhe ndaj Opozites Shqiptare, partive politike te Shqiperise Tradicionale, te cilat duhet te thoje zerin e saj te ekspertizes ne mbrojtje te Shqiperise qe vuajti nga persekutoret e ringjallur!

Ju mendoni se unë mund të hesht kur sulmoni, etiketoni në bllok si kolaboracionist, një institucion, anëtarë të Parësisë së Kombit Shqiptar, krenarinë e gegëve dhe toskëve, pa dallim përkatësie, vjershëtarin, një prej prijësve moralë dhe diplomatikë të kombit shqiptar në vitet e mundishme të ringritjes nacionale 1900-1924 zoti Jorgaqi?Ju mendoni se do heshtet kur ju etiketoni me terma negativë, Institutin e Studimeve Shqiptare, të themeluar nga Ernest Koliqi më 1940 dhe vepren e tij madhështore?!  Mendoni se do të heshtet dhe qendrohet serish urtë para jush, ku ju hapni një thes komunist të kolaboracionizmit dhe fusni brenda gjithë njerëzit e dijes shqiptare të para vitit 1944?! Besoj askush nuk mund të heshtë para përpjekjes për denigrim të paragjykuem dhe të pa argumentuem, serish bazuar në një letër nga blloku juaj selektiv i llogarimbajtjes. Është çështje parimesh dhe ndërgjegjeje zotëri, dhe ju duhet ta kishit parashikuar, se fyerja e ndërgjegjës, vazhdimi i nxitjes së urrejtjes së klasifikueme në terma, rinovimi i sulmeve të kohës së errët të Revolucionit Kulturor, sot më 2016, do të ndeshej dhe përgjigjen e gjykueme si më të përshtatshme në pikëpamja e arsyes së shëndoshë, e cila gjithsesi është shume pak nga ajo çfare mund të nxjerrë në ditët në vijim, Dosja e Madhe e Diktaturës ndaj Dijes.

Duhej të ishte koha e ndjesës publike, për dhjetra e dhjetra studiues, të vrarë, të burgosur, të internuar dhe të plaçkitur intelektualisht dhe materialisht, nga regjimi komunist, posaçërisht në Shkodër, Tiranë, Durrës, Korçë, Gjinokastër, pavarësisht se kush i ka bërë procesualisht: elita shkencore që drejtoi nën diktaturë këto studime dhe që arriti t’i mbijetonte ditës së lirisë e, kishte për detyrë të reflektonte e para, kur zemra është vertetë  e bardhë; Duhej të ishte koha e rikthimit të bibliotekave të grabitura, dorëshkrimeve të tjetërsuara, të drejtave të mohueme të autorësisë; do të duhej të ishte koha që kasta e vjetër, që u mbivendos intelektualisht, duke fshirë gjithë kontributin e një plejade të tërë të studiuesve, të albanologëve të përiudhës së para vitit 1944 dhe atyre që mbijetuan vështirësisht nën hijen dhe frikën e diktaturës së inkuizitorëve të letrave, të punonte së paku për rinovimin e dëmit intelektual të bërë shkollës shqipe, teksteve, studimeve letrare, të studimeve historike; koha e ripërtëritjes institucionale dhe të plotë shkollore, të kontributit madhor të Padër Gjergjit, Mid’hat Frashërit, Kristo Floqit, Mustafa Krujës, Pashk Bardhit, Gaspër Jakova Mërturit, Anton Xanonit, Prengë Doçit, Namik Resulit, Atë Zef Valentinit, Ernest Koliqit Ali Asllanit, Dhimiter Beratit, Nebil Çikës. Anton Harapit, Et’hem Haxhiademit, Pader Benardin Palajt, Ekrem Vlorës, Marin Sirdanit, Lazer Shantojës, Vinçens Prennushit, Xhevat Korçës, Padër Justin Rotas, Karl Gurakuqit, Ndue Palucës, Tahir Dizdarit, Kolë Kamsit, Fadil Podgoricës, Arshi Pipës, Haki Sharofi, Vexhi Buharaja, Kolë Ashtës e sa të tjerëve që sigurisht do të duhet të jenë në këto radhë. Po kjo nuk ndodhi dhe nuk ndodh as sot nga ju me thirrje publike për vlerësim të institucionalizuar. Përdryshe, ndodh rinovimi i pastudiuar, emocional dhe klasik i sulmit dhe i tezave të Enver Hoxhës ndaj Padër Gjergj Fishtës, klerit katolik shqiptar, shkrimtarëve të desidencës, asaj të përvuajtur të brendshme dhe asaj aktive të emigracionit shqiptar, që arriti t’u shpëtojë brumatiçes së diktaturës jugosllave të PKSH; rinovohet sulmi ndaj shkrimtarit tonë të madh Ismail Kadare, me të cilin nderohet, njihet dhe identifikohet sot në bashkëkohësi, kombi shqiptar në botë me krenari të ligjshme. Më vjen shumë keq që e them, por ju zotëri u dilni serish shqiptarëve me të njejtin flamur të Plenumeve të KQ të PPSH. Ju merreni si të deshironi, por rilindja e persekucionit ndaj Fishtës, goditjes së pamotivueme ndaj Kadaresë, me mendje të ftohtë, është një kauzë e anëtarëve të Byrosë Politike të KQ të PPSH, që kanë operuar të furnizur nën këshillë shkrimtarësh dhe studiuesish të prodhuar nga fryma e tyre dhe kësisoj, nuk mund të mos e mendoja që ju po kryeni funksionalisht këtë mision edhe sot, kur ende skeni bërë përpjekjen për rivlerësim të plotë dhe përfshirjen në një sistem të institucionalizuar të edukimit të brezit të ri. Më këtë rast duhet të kërkoj ndjese për keqkuptimin e funksionit sekretarial të cekur në artikullin pararëndës timin, por kishte veç këtë konotacion logjik, lidhur me ngjashmërinë e etiketimeve tuaja të ditëve të sotme.

Unë mendoj se ju, para se të merreni me një dromcë letre, të pavlerë për klasifikime të ngjashme me ato që ju keni bërë, duhet të analizonit kontributet në kohë të dy institucioneve që ju i etiketoni si bashkëpunëtore të Fashizimit:

  1. Rolin e Kishës Katolike në Shqipëri deri në procesin mohues komunist; 2.Pozicionin Institutit të Studimeve Shqiptare të drejtuar nga Ernest Koliqi.

Përsa i përket problemit të parë:duhen libra për t’jua ritreguar, atë që edhe ju e dini shumë mirë, por heshtni prej 70 vitesh: është e njohur nga studiuesit seriozë, se Kisha Katolike në Shqipëri, që në fillesat e Rilindjes Nacionale, ka ndjekur programin e vet “Fѐ e Atdhe”, dhe nën petkun e meshtarit,  Parësia e tyre, ia arriti të zhvillonte veprimtarinë e vet kulturore e kombëtare. Sidomos Etërit Françeskanë nuk u kursyen asnjëherë për të dhënë ndihmesën e vet të çmueshme në zgjimin e popullit e në përparimin e vendit me anë të arsimit (Shkolla e parë e tyne është i vitit 1861). Duhet t’ju kujtoj të gjithë mohuesve dhe etiketuesve politikë, se në vitin 1899 u nis një periudhë e re e veprímtarisë, me një program më të gjërë e me qellime më të theksuara përgatitore, për ditën e lirimit, që përjetohej si shumë e afërt në rrethet e këtij institucioni. Në këtë vit Imzot Prengë Doçin, Abat i Mirditës, mblodhi në Shkodër disa prej intelektualëvë në zë, për të përcaktuar strategjinë e veprimit kombëtar arsimor dhe shkencor, duke krijuar një Komitet, që do të punonte për krijimin e një Alfabeti të Përbashkët për të gjithë shqiptarët. Këtu morën pjesë: Dom Ndoc Nikaj, At Gjergj Fishta, Atë Pashk Bardhi, Dom Dodë Koleci, Dom Nikollë Deda, Emzot Lazër Mjedja, Dom Pashko Krasniqi. Dihet krejt mirë, se pas shumë mbledhjesh ata ia dolën në krye, sajimit të Alfabetit, që e quajtën Alfabeti  “Bashkimi”, sepse kështu quhej edhe Shoqëria që ata kishin formuar. E dyta pikë e programit të Shoqërisë „Bashkimi“ ka qenë botimi i një Fjalori, i cili u shtyp në vjetin 1908. Përpiluesi i tij qe Dom Dodë Koleci. Shoqërija “Bashkimi” botoi edhe mjaft libra të tjerë; po përmendim disá: “Historija e Shqipnís” (Bruxelles 1902); vepër 414 fq; “Historia e Turkís” (1902); “Lahuta e Malcis”; “Anzat e Parnásit”; “Dheshkroja”; “Folmarja e gjuhës shqype”; etj., gjithsejt 30 veprá.  Ndërkohë me duhej t’ju kujtoj, se ju po etiketoni para së gjithash, Kolegjen Fretnore e Gjuhadolit në Shkodër, që ka qenë: “nji shkollë shqiptarizme së gjallë, frytet e së cilës Shqipnija i shijoi në hapat e parë të jetës së vet vetëqeverimtare. Në qoftë se prej kësaj Kolegje kanë dalë burra shqiptarë, njerz fjale, inisjatorë veprash të dobishme fetare e kombtare, shkrimtarë me vleftë, poetë dore së parë (mjafton êmni i Bernardin Palajt- vrarë më pas në burgjet e mohuesve, shënim imi R.G.), kjo gjâ duhet t’i dihet në pjesën mâ të madhe zellit të pashoq, vullndetit të pa-përkulshëm të këtij idealisti, qi dijti me i vû rrâjë të forta këtij Instituti në nji kohë kûr shumkuj Shqipnija i dukej ândërr, kûr çdo gjâ lipsej krijue prej themeli, kur mungonte çdo mjet, e kûr madjé gjindeshin edhe asish qi talleshin me ndiesit kombtare të disá idealistave të tipit t’At Pashkut.” (Karl Gurakuqi, Qi të mos harrohen, dorëshkrim i shpëtuem).

Më duhet t’ju kujtoj edhe një Shoqërii tjetër letrare, ajo me emrin “Agimi”, e themeluar nga Dom Ndrѐ Mjedja në vitin 1901, shoqëri që synoi krijimin e një alfabeti, themelisht latin dhe shkencor. Po ashtu ju nuk duhet të mohoni rolin e Fishtës e fretënve të tij, që së bashku me Luigj Gurakuqin, Hafiz Ali Korçën, Gjergj Pekmezin, Mati Logorecin, Aleksandër Xhuvanin, Dom Ndrѐ Mjedjen, Át Ambrozin Marlaskaj, Át Vinçenc Prennushin, Sotir Pecin dhe Luigj Naraçin në themelimin e një institut studimesh shqiptare, që u quajt: “Komisija Letrare”, që ka qenë Akademia e parë e Shkencave në Shqipëri. Shërbimet që “Komisija Letrare” i ka sjellë çështjes së gjuhës janë shumë të çmueshme: përveç vendimit e caktimit të gjuhës së shkrimit, caktoi edhe rregullat e ortografisë, shumica e të cilave ka mbetë në veprim deri në uzurpacionin kulturor komunist, i cili ndërtoi paradigmat e etiketimit të Elitës së Tradicionale, që po përdorni ende sot ju. Përsa i përket akuzës dhe prozhmimit tuaj në lidhje me pranimin e fashizmit nga kleri katolik, mendoj se është plotësisht i pabazuar. Etërit Françeskanë  e refuzuan prerë pushtimin. Episodi me i famshëm ndodhur ndër jezuitë shqiptarë, ka qenë detyrimi i uljes prej Altarit, prej anës së Atë Pjetër Mëshkallës, të një kleriku italian që kërkoi të bënte propagandë fashiste dhe mbyllja e rrugës, një herë e mirë, për aktivitete të tilla brenda institucionit të Kishës.

Instituti i Studimeve Shqiptare

Askush nuk mund të mohojë faktin që në periudhën e pushtimit italian dhe në atë që pasoi të pushtimit gjerman, jeta akademike, jeta administrative, përpjekjet intelektuale, arsimore, botimet etj,. kanë vazhduar. Aktiviteti jetësor i shoqërisë nuk është ndërprerë dhe nuk është aspak e vertetë përralla hoxhiste, se e vetmja jetë qe është zhvilluar në këtë vend, i vetmi aktivitet pozitiv ka qenë ajo e njësiteve guerrile, luftëtarëve që luftonin në male, së bashku me partizanët jugosllavë të Titos. Jeta shqiptare ne periudhen 1939-1944 nuk asht ndërprerë dhe ajo ka vazhduar, jo vetem nga brigadat e Enver Hoxhes dhe Dushan Mugoshes, por ajo ka operue me vlefshmeri edhe në Tiranë, Shkodër, Korçë, Gjinokaster etj. Administrata e shtetit, sistemi shkollor, botimet dhe studimet shkencore, kanë qene në aktivitetin e vet normal. Një nga ngjarjet më të rëndësishme në jetën shkencore në Shqipëri ka qenë Kuvendi i Studimeve Shqiptare, themelimi i Institutit të Studimeve Shqiptare dhe i Fondacionit “Skanderbeg”, pjesmarrjen në të cilen njësi shkencore, ju e konsideroni një mëkat.  Është e vertetë se në fillesë, leja e krijimit mund të konsiderohet si pjesë e arkitekturës shkencore dhe kulturore që italianët u munduan të krijonin në Shqipëri, në mbështetje të politikës së tyre. Por duhet të kuptohet që ky institucion u shfrytëzua maksimalisht nga njerëzit e kulturës shqiptare, për t’i dhënë një nxitje të metejshme, pa veshje fashiste, studimeve albanologjike, mbrojtjes së të drejtës së popullit shqiptar në Tokat e Lirueme (AQSH, Fondi Mëkëmbësia e Përgjithshme, Dosja 387, viti 1942, Letër e A. Corrias i Ministrisë së Punëve të Jashtme Romë, drejtuar Mëkëmbësisë, Romë 3 Korrik 1942). Duhet të kujtojmë se aktiviteti shkencor, botues, studiues që ndërmori ky institucion, ka qenë ndër më të rëndësishmit dhe me një impakt shumë të madh dhe themelvënës për arsimin, shkencen shqiptare mbrojtjen e të drejtave kombëtare. Dua veç të sjell në vëmendje, listen e pjesmarrësve në Kuvendin e Studimeve Shqiptare, të mbajtur në Tiranë, në muajin prill 1940. Në Kuvendin e Studimeve Shqiptare morën pjesë, mes të tjerëve, profesor Matteo Bartoli i Universitetit të Torinos, Profesor Sergio Bettini i Universitetit të Padovas, Profesor Igino Epicoco i Misionit Arkeologjik të Butrintit, Francesco Ercole i Akademisë së Italisë në Romë, Profesor Mario Morandi, Këshilltar i Përhershëm i Ministrisë së Arsimit në Tiranë, Profesor Domenico Mustilli i Universitetit të Napolit, Doc. Paolo Emilio Pavolini i Akademisë së Italisë në Romë, Profesor Papas Gaetano Petrotta, i Universitetit të Palermos, Dr. Giusepppe Schiro, Kryeredaktor i Revistes “D’Albania” që botohej në Romë, Dr. Carlo Alberto Straneo, Profesor Carlo Tagliavini i Universitetit të Padovas dhe Padre Zef Valentini Jezuit italian i natyralizuar shqiptar, që jetonte në Shkodër. Nga studiuesit shqiptarë kanë marë pjesë: Frano Alkaj nga Korça, Ali Asllani Tiranë, Dhimiter Berati Romë, Profesor Eqerem Çabej Tiranë, Nebil Çika Tiranë, Pader Gjergj Fishta Shkodër, Filip Fishta Tiranë, Midhat Frashëri Tiranë, Stavro Frashëri Durrës, Karl Gurakuqi Tiranë, Tonin Guraziu Tiranë, Padër Anton Harapi Shkodër,  Ethem Haxhiademi Tiranë, Kolë Kamsi Tiranë, Sotir Kolea Elbasan, Vangjel Koça Tiranë, Ernest Koliqi Tiranë, Don Mikel Koliqi Shkodër, Mustafa Kruja Tiranë, Padër Donat Kurti Shkodër,  Mati Logoreci Tiranë, Vangjush Miho Korçë, Anastas Mio Korçë, Ludovik Naraçi Tiranë, Lef Nosi Elbasan, Pader Benardin Palaj Shkodër, Ndue Paluca Tiranë (Kosovë), Papas Sif Papamihali Berat, Thoma Papapano Gjinokastër, Odisa Paskali Tiranë, Petraq Peppo Elbasan, Dr. Rosolino Petrotta Tiranë,  Lasgush Poradeci, Tiranë, Vinçens Prennushi Shkodër, Ilo Mitko Qafzezi Korçë, Namik Resuli Tiranë, Imzot Paolo Schiro, Piana dei Greci, Padre Marin Sirdani Shkodër, Don Lazer Shantoja Tiranë, Terenc Toçi Tiranë, Ekrem Vlora Vlonë, Hasan Xega Tiranë, Aleksander Xhuvani Tiranë. Dekretet e Mëkëmbësisë së Përgjithshme për themelimin e Fondacionit “Skanderbeg” dhe të Statusit të Institutit të Studimeve Shqiptare, mbajnë datën 8 prill 1940. Ndër emërimet që i janë bashkëngjitur Institutit të Studimeve Shqiptare në Tiranë shohim që me dekretin e Ministrit Koliqi janë emëruar edhe Aleksandër S. Drenova, poet, Bukuresht; Xhevat Korça, historian, Tiranë; Padër Justin Roota, linguist, letrar, Shkodër, Et’hem Haxhiademi, dramaturg, Tiranë. Siç mund të shihet, rreth këtij instituti që ju e konsideroni të papërshtatshëm për arsye politike për shijet tuaja, të cilat nuk është e vështirë të klasifikohen, u mblodh e gjithë elita intelektuale e letrave shqipe. Në qoftë se vihet re me kujdes, pjesa më e madhe e kësaj elite, ose do të eliminohet fizikisht pas 4 vitesh, ose do të detyrohet të largohet nga vendi dhe veç katër ose pesë prej tyre mundën të mbijetonin në vetminë e tyre intelektuale, brenda territorit të shtetit shqiptar pas ardhjes së komunistëve në pushtet. Kjo është e verteta, sikurse është po aq e vertetë se ju dhe profesor Emil Lafe, nuk mund të ndryshoni përbërjen e kabinetet ministrore shqiptare, 1939- 1944, inkluziv përbërjen e kabinetit të kryeministrit Rexhep Mitrovica (AQSH, Fondi i Këshillit të Ministrave, viti 1943, dosja I/538, Formimi i Qeveris nën Kryesin e Shk. Rexhep Mitrovica, Betimi i misave të Qeverisë përpara Këshillit të Naltë; PRO.HS 7/70, S.O.E History 37/B, Allied Military Mission, Albania 1942-1945, part I Appendix F), që janë të regjistruara në dokumentacionet arkivore, ashtu sikurse nuk mund te lini në harrese përpjekjen e Ernest Koliqit e rrethit të tij të ndritur, për shpëtimin e Norbert Joklit nga kthetrat e nazimit.

Një kujdes më i madh do kishte qenë rruga më e mirë për të hapur, ju dhe brezi juaj, rrugën e mundishme të shqiptarëve dhe brezit të ri, drejt së vertetës. Me keqardhje ju them koha nuk troket më për ju, por për ata që e duan të vertetën dhe Shqipërinë njëlloj.

Romeo Gurakuqi

Tiranë, me 11.10.2016

Share: