Home KRYESORE Nishani në Itali: Kanabisi, sfidë dhe kërcënim për të dy vendet

Nishani në Itali: Kanabisi, sfidë dhe kërcënim për të dy vendet

Presidenti i Republikës, Bujar Nishani, në kuadrin e vizitës zyrtare në Republikën Italiane u prit sot në Pallatin Quirinale nga Presidenti italian,  Sergio Mattarella. Pas përshëndetjeve dhe ceremonive të rastit, të dy Presidentët zhvilluan një takim kokë më kokë dhe më pas kryesuan takimin e zgjeruar mes dy delegacioneve.

Presidenti Nishani shprehu që në fillim kënaqësinë për zhvillimin e kësaj vizite zyrtare në Romë, duke e konsideruar një shprehje të qartë të marrëdhënieve të shkëlqyera e të partneritetit strategjik mes dy vendeve. Presidenti Nishani, duke iu referuar marrëdhënieve dypalëshe në përgjithësi dhe spektrit shumë të gjerë të bashkëpunimit u shpreh se “marrëdhëniet e bashkëpunimit dhe të partneritetit mes dy vendeve, të cilat bazohen në marrëdhënie shumë dimensionale historike, kulturore dhe ekonomike, vitet e fundit janë intensifikuar dhe ngritur në një nivel edhe më të lartë dhe kanë hyrë në një fazë të re dhe shumë dinamike, si në aspektin e bashkëpunimit politik e institucional ashtu edhe në atë kulturor dhe ekonomik.”

Kreu i Shtetit shprehu gjithashtu mirënjohjen e thellë të Shqipërisë dhe shqiptarëve për gjithçka Italia ka bërë për t’i ndihmuar në kapërcimin e ditëve të vështira të pas rënies së regjimit komunist dhe vendosjes së demokracisë, dhe veçanërisht në hapat e para të konsolidimit të shtetit të së drejtës, ku një rol të rëndësishëm ka luajtur agjencia Kooperacionit Italian për Zhvillim. “Asistenca e gjithanshme dhe e parkursyer e Italisë për Shqipërinë dhe shqiptarët jo vetëm që ka ndihmuar në konsolidimin e shtetit të së drejtës dhe të institucioneve demokratike në Shqipëri, por ka forcuar edhe më shumë miqësinë mes dy popujve tanë”, – u shpreh Kreu i Shtetit. Presidenti Nishani vlerësoi dhe rolin e madh që luan në këtë miqësi komuniteti i vjetër arbëresh dhe ai shqiptar i pas viteve ‘90.

Duke iu referuar bashkëpunimit ekonomik, Presidenti Nishani vlerësoi nivelin e arritur deri tani dhe theksoi se për Shqipërinë, Italia është partneri i parë në shkëmbimet dypalëshe, por theksoi gjithashtu se mundësitë e bashkëpunimit ekonomik e tregtar mes dy vendeve janë edhe më të mëdha. “Është e rëndësishme që institucionet e të dy vendeve tona t’i kushtojnë një vëmendje më të madhe bashkëpunimit ekonomik, pasi mundësitë e bashkëpunimit në këtë aspekt janë ende të pashfrytëzuara siç duhet.” – theksoi Presidenti Nishani. Gjithashtu, Presidenti Nishani bëri thirrje për një prezencë më të madhe të investitorëve italianë, veçanërisht në sektorët strategjikë ekonomikë.

Presidenti Nishani shprehu mirënjohjen edhe për mbështetjen e dhënë nga Italia në fushën e drejtësisë dhe të punëve të brendshme, duke ndihmuar në konsolidimin e institucioneve të specializuara shqiptare në luftën kundër krimit të organizuar dhe trafiqeve ilegale të çdo lloji.

Share: