Home KRYESORE Penalizimi i mjekëve, diskutohen ndryshimet në Kodin Penal

Penalizimi i mjekëve, diskutohen ndryshimet në Kodin Penal

Nisur nga ngjarjet më të fundit, si humbja e jetës së nënës dhe foshnjës në Maternitetin “Koço Gliozheni” apo foshnjës në Pogradec, ministri i Shëndetësisë Ilir Beqaj kërkon rivlerësim të legjislacionit për përgjegjësitë penale të mjekëve gjatë ofrimit të shërbimit mjekësor.

Për këtë, ai ka qenë nismëtar i një takimi me ekspertë të drejtësisë, Urdhrin e Mjekut, Avokatin e Popullit, profesorë të Mjekësisë dhe struktura të tjera, për të dhënë idetë e tyre në Kodin e ri Penal, që po hartohet nga Ministria e Drejtësisë.

“Na duhet një plotësim më i mirë i kuadrit tonë ligjor, lidhur me gabimin, neglizhencën, pakujdesinë dhe fatkeqësinë mjekësore, nga njëra anë. Një plotësim i legjislacionit për atë që lidhet me gjërat që vijnë nga mosveprimi i mjekut. Një pjesë e mirë e këtyre çështjeve mund të zgjerohen te përgjegjësitë civile, e të mos mbeten vetëm te përgjegjësitë penale”, deklaroi ministri Beqaj.

Ministri i Shëndetësisë thekson se, duhen qartësuar pozitat dhe përgjegjësitë e mjekëve sipas rasteve, për të lënë më pas drejtësinë të veprojë.

“Qëllimi ynë kryesor është që të mos lejojmë boshllëqe, të cilat nesër na çojnë në dobësimin e imazhit të sistemit shëndetësor, e specifikisht edhe të figurës së mjekut. Se çfarë duhet të veprohet drejtpërdrejt nga organet e drejtësisë në kushtet kur nuk ka flagrancë, e çfarë duhet të pritet fillimisht nga vlerësimi profesional i Urdhrit të Mjekut nga vlerësimi i mjekësisë ligjore, derisa pastaj drejtësia të bëjë punën e saj”, deklaroi më tej ministri Beqaj.

Ndërkohë, pritet konsulencë edhe nga ndërkombëtarët dhe përvoja të vendeve të tjera për raste të ngjashme./Top Channel

Share: