Studimi i profesorëve grekë shkakton reagimin e ashpër të studentëve të Universitetit Pandio, të cilët nuk i pranojnë dot faktet shkencore që vërtetojnë genocidin grek ndaj popullsisë çame
“Fakte të pakundërshtueshme dhe asgjë më shumë.”
Ky është argument, përmes të cilit u mbrojtën studiuesit grekë në auditorin e një universiteti, kur ata vërtetuan shkencërisht genocidin grek ndaj popullsisë çame. Shifrat e viktimave të genocidit grek ndaj popullsisë çame të konstatuara në këtë studim janë më të mëdha se sa ato që paraqet pala shqiptare.
Studiuesit grekë paraqitën fakte të pakundërshtueshme të genocidit grek ndaj popullsisë shqiptare të Çamërisë. Dy prej detajeve që kanë ndezur reagimin kundër tyre në auditor, ishte përfundimi i studimit të tyre, sipas të cilit “50 mijë çamë të Epirit janë dëbuar ose vrarë gjatë periudhës së Luftës së Dytë Botërore nga Ushtria Revolucionare Çlirimtare Greke” (EDES, forcat e djathta të Greqisë për çlirim, krahas ELAS-it, që ishte komunist, në radhët e së cilës kanë luftuar edhe rreth 200 çamë, shën. red.)
Një detaj tjetër i vërtetuar gjithashtu me dokumente zyrtare të pakundërshtueshme ishte edhe vrasja e fakti se 77 çamë të Paramithisë janë ekzekutuar nga forcat e EDES-it, vetëm për shkak të kombësisë së tyre.
Debati në auditor
Debati për studimin grek u zhvillua në auditorin e Universitetit Pandio të Greqisë, ku një grup profesorësh grekë të këtij universiteti, paraqitën studimin për genocidin grek ndaj popullsisë çame.
Të pranishmit, studentë dhe pedagogë të këtij universiteti kundërshtuan studimin dhe reaguan me ashpërsi dhe ulurima me zhargon rruge, teksa ulërinin: “fashistët!”, duke iu referuar çamëve, “atë meritonin!”. Në mbrojtje të studimit shkencor profesor Lambros Bulciotis, një prej hartuesve të studimit, tha: “Ky është thjesht një studim shkencor, që nuk tenton të futet në situata politike. Ne, thjesht paraqesim faktet, që ekzistojnë dhe asgjë më shumë“.
Të pranishmit filluan të bërtisnin më tej, kur studimi evidentonte se “Vorio-epirotasit” bashkëpunuan me forcat naziste në Shqipërinë e Jugut dhe se tokat e pronat e shqiptarëve në Thesproti (Çamëri) iu dhanë mikrasiatëve (grekëve që shkuan në Greqi, nga Turqia, pas ndryshimit të popullsive mes dy vendeve). Megjithë kundërshtitë e forta të studentëve dhe pedagogëve të këtij universiteti, studiuesit nuk pranuan të ndryshonin asnjë presje në punën e tyre shkencore. Konstandinos Ciceliqis, një ndër hartuesit tha: “nuk po flasim për çështje kombëtare, por për çështje historike dhe për fakte të dokumentuara, të cilat sot po i paraqesim“.
Studimi
Është i dyti studim i kryer nga profesorët grekë që konstaton genocidin grek ndaj popullsisë çame. I pari, është hartuar nga profesori grek i Universitetit të Jeillit (Yale) në Shtetet e Bashkuara, Stathis Kalivas, i cili në studimin e tij thotë ndër të tjera: “ky rast është padyshim një genocid. Pyetja që mbetet është nëse kemi të bëjmë me një (genocid) të parapërgatitur nga qendra (drejtuesit e ushtrisë) apo nëse erdhi nga veprime hakmarrjeje në nivel lokal. Mendoj se diferenca mes këtyre të dyjave është shumë e vogël. Megjithëse, EDES-i ishte një organizatë e përqendruar ku, në ndryshim nga EAM (organizata politike e ELAS-it), drejtuesit qendrorë mund të kontrollonin lehtë ushtarakët vendorë, asnjë fakt nuk tregon se udhëheqësit kishin dëshirën më të vogël (apo reale) për t’i ndaluar (të kryenin genocidin). Rrethanat politike të shtatorit të vitit 1944 lejonin “zgjidhjen përfundimtare” të Çështjes Çame dhe sipas mendimit tim, EDES-i nuk u frenua për të përfituar nga rasti”, thekson profesori grek Stathis Kalivas.
Më poshtë publikohet video e plotë e debatit në auditorin e Universitetit Pandio të Greqisë, për genocidin grek ndaj popullsisë së Çamërisë./27.al