NGA Nikolin MIRIA
Cilat janë qëllimet e mia në jetë? Cilat janë vizionet e mia? Çfarë dua të jem? Çfarë dua të kem? Çfarë dua të bëj?Këto janë disa nga pyetjet që na ndihmojnë të përcaktojmë se cilën rrugë duhet ndjekur. Na ndihmojnë të kuptojmë se ku është entuziazmi ynë, ku është pasioni ynë. Na ndihmojnë të zbulojmë dëshirat. Çfarë dua të bëj? Edhe këtu është një e dhënë e mirë sepse është mundësia të shohësh se cila duhet të jetë rruga e drejtë për ty.
Për të zbuluar këtë qëllim na ndihmon një fjali e marrë nga shkrimet e Dalai Lama që thotë: Qëllimi i jetës është të jesh i lumtur. Gjithashtu i njëjti autor thotë: Qëllimi i jetës është t`i ndihmosh të tjerët. Pastaj shton: Nëse nuk mund t`i ndihmosh të tjerët të paktën mos u bëj të keqen. Për këtë na flet edhe Shkrimi i Shenjt ku thotë: Bëju të tjerëve atë që dëshiron të të bëhet ty ose mos ju bëj te tjerëve atë që nuk dëshiron të të bëhet ty.
Nëse analizojmë këto dy pohime në njërën anë thotë: qëllimi i jetës është të jesh i lumtur. Në pjesën tjetër thotë:qëllimi i jetës është t’i ndihmosh të tjerët. Këtu është një gjë që kam zbuluar që mund të jetë mjaft evidente, e qartë për të gjithë sepse duke ndihmuar tjetrin ti ndjehesh i lumtur. Sepse duke ndihmuar tjetrin ti ndihmon veten sepse i bëjmë të tjerët të lumtur duke u dhënëdashuri, paqe, gëzim, bujari, zemërgjerësi, shëndet, mirëqenie. Duke ia dhënë tjetrit të gjitha këto i ke dhënë vetes shumë më shumë. Duke u mundur që të tjerët t`i bësh të lumtur kjo lumturi ngulitet edhe më shume tek ti, e cila nuk mund të mos duket edhe përballë shumë të tjerëve.
Nëse qëllimi i jetës tuaj është të jeni të lumtur edhe duke i ndihmuar të tjerët je i lumtur, ju tashmë jeni ndihmë për të tjerët sepse një person, i cili e jeton jetën e tij të lumtur në paqe e dashuri nuk mund të mos ketë efekt pozitiv edhe mbi personat me të cilët jeton, punon e me të gjitha ata që e rrethojnë.
Kjo kuptohet se nuk ndodh menjëherë, por kërkon duresë, vullnet e qëndrueshmëri. Të ndihmosh tjetrin je i lumtur, je i lumtur kur ndihmon tjetrin. Është një gjë bilaterale e dyanshme që plotësojnë njëra- tjetrën.
Bota në të cilën jetojmë ka nevojë për persona që janë të mirë dhe të lumtur. Personat e lumtur janë ata që bëjnë atë që duan dhe duan atë që bëjnë. Janë ata që kanë njohur të Vërtetën, Zotin. Janë ata që bëjnë shumë për të tjerët, janë ata që ndihmojnë të tjerët në aspektin ekonomik, por sidomos në atë shpirtëror që çdo njeri ta jetojë një jetë sa më të mirë. Këta janë personat e lumtur.
Ajo që shpesh bëhet pengesë për të zbuluar qëllimet është frika. Frika për të njohur veten, frika për t’u takuar me veten, frika për të bërë, frika për të takuar tjetrin. Frika është ajo që të bllokon, është një paralizë që njeriun nuk e lejon të veprojë. Është ajo që pushton shumë shpejt mendimin dhe mënyrën tënde të sjelljes. Frika është ajo që të pengon të shfaqësh vlerat. Për këtë kërkohet që t`i themi stop frikës e të fillojmë të veprojmë për të mirën personale dhe për të mirën e tjetrit. Mos të kemi frikë t`i përgjigjemi pyetjes: Kush jam?
Platoni thotë: Të kuptosh çfarë është e drejtë, të ndjesh çfarë është e bukur, të dëshirosh çfarë është e mirë, ja qëllimi i jetës të arsyeshme.