Kryeministri Edi Rama u është rikthyer përgjigjeve të komenteve në Facebook. Kuptohet që ka zgjedhur persona të veçantë për t’ju përgjigjur, por nuk kanë munguar edhe ata që nuk i kanë pëlqyer kreut të qeverisë. Shkak për replikat e bërë në orët e vona të mbrëmjes së të martës është bërë një statistikë e postuar nga kryeministri sipas të cilës në vitin 2015 numri i vrasjeve ra me 40% në krahasim me vitin 2013. Komenti vjen pas dy ditëve me ngjarje të rënda ku 4 persona u vranë brenda 48 orëve.
Rama thotë se në 2015-ën u shënuan vetëm 59 viktima, por njëri prej komentuesve thotë se “ato nuk janë mollë”. Ironia nuk i ka pëqlyer kreut të ekzekutivit që i kthehet: “Endri, e gjithe bota keshtu i formulon statistikat per vrasjet, sa per mburrjen ate e thua ti, statistika nuk e thote dhe sa per ate qe paskemi bere, natyrisht qe jemi krenare qe kemi ulur kaq ndjeshem vrasjet ne raport me vitin 2013 e me trendin historik deri ne vitin 2013! Keshtu qe nese nuk te pelqejne statistikat apo postimi i tyre ketu, e ke shume te thjeshte: Mos hyr ne kete faqe!”, citon lapsi.al
Një tjetër i kërkon ashpërsimin e ligjit për rastet e armëmmbajtjes pa leje. Në këtë pikë Rama godet vendimin e Gjykatës Kushtetuese që rrëzoi ligjin që forconte maksimalisht këtë vepër. “E ashpersuam por e rrezoi Gjykata Kushtetuese dhe ja rezultati! Po studiojme si ta ashpersojme perseri pa i rene ndesh vendimit skandaloz te GJK” – shkruan Rama.
Një tjetër moment ai nuk lë pa përmendur edhe “mediat e kazanit” pas një komenti që i kujtonte vrasjet kanë rënë pasi mafia i zgjidh punët me shtetit.
“Kjo lloj ironie s’ka asnje lezet, sepse per shtetin sot ka shume gjera qe ende jane larg se funksionuari si duhet, po ama nje nga gjerat qe s’mund te thuhet kurre eshte lidhja me mafian apo me krimin! Natyrisht kete e thote perdite Saliu dhe gjithe politika e mediat e kazanit, po kjo nuk i ben shpifjet te verteta, as ironite te lezetshme… Shendet Kastriot!” – shkruan Rama./lapsi.al/